Kërko

Vatican News
2020.10.21 Beatificazione Michael Mc Givney (31 ottobre) 2020.10.21 Beatificazione Michael Mc Givney (31 ottobre)  ((c)KNIGHTS OF COLUMBUS)

Sot Michael Mc Givney, kalorës i fesë e i bamirësisë, është i lum

Lartohet në nderimet e altarit, nga Hartford, SHBA, meshtari që themeloi Kalorësit e Kolombos, shoqatë e lindur për të përforcuar fenë e për t’i dhënë ndihmë ekonomike besimtarëve.

R. SH. - Vatikan

“Kalorësit e Kolombos janë gjithnjë gati për t’i ndihmuar vëllezërit. Gati  edhe për fijimin e vetvetes, në ndihmë të njeriut të ligësht. Pa njolla e pa frikë. Pikërisht si meshtarët”: kështu ishte Michael Mc Givney, themeluesi energjik i shoqatës Kalorësit e Kolombos, i lindur më 1882 në atë Hartford, ku sot u shpall i Lum. Katër janë shtyllat, që i bashkojnë e u prijnë kalorësve, gjithnjë në shtegtim për të lehtësuar dhimbjet e botës: dashuria e krishterë, uniteti, vëllazërimi e patriotizmi. Parime themlore, nga të cilat vijojnë të frymëzohen edhe sot e kësaj dite, 140 vjet pas themelimit.

Dashuri e dhimbje: dy mësime nxënë në familje

Michael lindi në Connecticut, në një familje emigrantësh irlandezë, ku u takua së pari me mësimet e Ungjillit e të Shkrimeve të Shenjta e ku njohu dashurinë prindërore, në gjirin e një familjeje me 13 fëmijë. Por njëkohësisht edhe vështirësitë e punës, të cilën e nisi që në moshën 13 vjeçare, në një fabrikë.

Pastaj - thirrja e Zotit! U nis në Kanada, ku  hyri në kolegjin francez e, më pas në seminare të tjera, si ai i etërve jezuitë pranë Montrealit. Më në fund u shugurua meshtar më 22 dhjetor 1877. E nisi misionin në Baltimora, më 22 dhjetor 1877. E vijoi me një zell të jashtzakonshëm, pa ditur ç’ësht, pushimi: dita e tij kalonte me mësim katekizmi, luftë kundër plagës së alkoolizmit, ndihmës materiale të familjeve të rëna në varfëri të thellë e të njerëzve të lodhur e të këptur nga puna dhe nga sëmundjet.

Bijtë e Kolombos

Më 1881 atit Michael i lindi një ide e re. Të themelojë një shoqëri vëllazërore, që të merrej me fuqizimin e fesë e edhe me nevojat financiare të të asistuarve. E kështu, i mbështetur nga disa laikë, një vit më pas, themeloi “Bijtë e Kolombos”, emër i zgjedhur enkas për të shkrirë në një, frymën katolike me atë thellësisht amerikane të shoqatës. Më pas shoqata do ta ndryshonte emrin nga “bijtë”, në “kalorësit”, për nder të anëtarëve të shumtë irlandezë të organizatës, që i shpërvolën menjëherë mëngët, për ta vënë në praktikë fenë e tyre.

Ndërkaq, më 1884 atë Michael shkon nga New Haven, në Thomaston, ku rifillon nga e para misionin, me të njëjtin entuziazëm. Këtu nis t’i humbasë forcat, pikërisht atëherë kur krijesa e tij, shoqata, fiton gjithnjë më shumë forca të reja. Në Thomaston vijon të jetojë deri në fund të fundit. Deri më 14 gusht 1890, kur ndërron jetë në moshën 38 vjeçare.

Mision, që e vijuan mijëra kalorës

Atë Michael pushon në paqe në Kishën e Shën May, në New Haven, ku realizoi pjesën kryesore të misionit. La pas 700 mijë kalorës, që japin ndihmesën për të mirën e përbashkët me 60 milion orë shërbimi ndaj të afërmit e 130 milionë dollarë fondesh. Kanë më se 12 mijë zyra e janë  aktivë në 13 vende. Trashëgim, që e mblodhën duke shpërvjelur mëngët e duke ndotur duart, që në botë të ketë më pak dhimbje, më shumë fe, ndihmë ekonomike e  lumturi për çdo njeri.

 

31 tetor 2020, 14:30