Kërko

 Vetrate - Santissima Trinità Vetrate - Santissima Trinità  

Shenjtorët javës më 26 tetor – 1 nëntor

E diel 25 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 26 tetor kalendari kishtar përkujton shën Gaudencin e të Lumin Karlo Gnocchi-n

R.SH. - Vatikan

E diel 25 tetorKisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 26 tetor kalendari kishtar përkujton shën Gaudencin e të Lumin Karlo Gnocchi-n. Fjala e Zotit e kësaj së diele na kujton se të duash Zotin ishte dhe mbetët urdhri parë, si themel, ndërsa dashuria ndaj të afërmit është verifikim i dashurisë që kemi për Zotin. Nuk mund ta duam Zotit, që nuk e shohim e të mos e duam të afërmin tonë që e shohim dhe takojmë. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!" (Ungjilli 22, 34-40).

Të hënën më 26 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Dhimitrin, martir. Liturgjia e ditёs na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Të martën më 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë. Liturgjia e ditës na kujton se kush e kërkon Zotin, do të shikojë shëlbimin që vjen prej tij.

Të mërkurën më 28 tetor, sipas kalendarit kishtar përkujton shenjtorët Simonin e Juda Tadeun, Apostuj. Zëri i të tyre u përhap në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.

Të enjten më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Liturgjia e ditёs na kujton sa të mëdha janë veprat e Zotit e na fton t’i kundrojmë në jetën tonë të përditshme

Të premten më 30 tetor, kalendari përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.

Të shtunën më 31 tetor, kalendari përkujton shën Alfonsin Rodriguez, jezuit. La trashëgim shkrimet, në të cilat shpreh besimin e tij të thellë e pa kushte në Hyjin. Shkruan Shenjti: “Ah, o Zot, po të dija e po të mundja, do të të shërbeja si të shërbejnë të gjitha krijesat e qiellit e të tokës të marra së bashku”.

Të dielën e ardhshme më 1 nëntorKisha katolike do të kremtojë të festën e Të Gjithë Shenjtorëve. Kjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.

25 tetor 2020, 08:36