Kërko

Vatican News

Lutja për Zojën e Pompeit: imzot Caputo, “lutje korale, që përmban pyetjet e njerëzve të çdo kohe”

"Gjatë mbylljes për shkak të koronavirusit, lutja për Zojën e Pompeit, rrezatuar nga rrjetet shoqërore të shenjtërores, lidhi në një zinxhir të vetëm dashurie miliona të përkushtuar të Virgjërës së Pompeit në gjithë botën”. Kështu tha dje paradite, kryeipeshkvi i Pompeit, imzot Tommaso Caputo, në përshëndetjen drejtuar kardinalit Fernando Filoni, i cili kryesoi meshën dhe lutjen e përgjëruar për Zojën.

R.SH. - Vatikan

“Jemi mbledhur sot, në të dielën e parë të tetorit, për kremtimin e meshës shenjte dhe për lutjen” drejtuar Zojës së Pompeit, “lutje korale, që përmban në vetvete pyetjet dhe kërkesat e burrave e të grave të çdo kohe. Është lutje, që bashkon, përtej distancave, sidomos në këtë kohë të vështirë, që po përjetojmë mundimshëm prej disa muajsh. Gjatë mbylljes për shkak të koronavirusit, lutja për Zojën e Pompeit, rrezatuar nga rrjetet shoqërore të shenjtërores sonë, lidhi në një zinxhir të vetëm dashurie miliona të përkushtuar të Virgjërës së Pompeit në gjithë botën”. Kështu tha dje paradite, kryeipeshkvi i Pompeit, imzot Tommaso Caputo, në përshëndetjen drejtuar kardinalit Fernando Filoni, i cili kryesoi meshën dhe lutjen e përgjëruar për Zojën.

“Me të vërtetë, na bëri të ndihemi të gjithë vëllezër, siç na nxit Papa Françesku, që, dje, në varrin e Shenjtit të Asizit, nënshkroi enciklikën ‘Fratelli tutti’ mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore”, shtoi prelati, sipas të cilit “rastësia e bukur ndërmjet festës së Shën Françeskut dhe lutjes solemne për Zojën e Pompeit nxjerr në pah lidhjen e fortë të themeluesit [të shenjtërores] dhe Varfanjakut të Asizit, siç shkruante, në vitin 1992, paraardhësi im i dashur, Shërbëtori i Zotit Francesco Saverio Toppi, rregulltar françeskan: ‘Bartolo Longo e konsideronte shën Françeskun si figurë bamirësie, vëllazërimi universal dhe paqeje. Ajo që propozonte me vepra bamirësie – shkruante imzot Toppi - ishte një ideal, për të cilin frymëzohej sidomos nga përshpirtëria françeskane. Ajo harminozohej mrekullisht në të me përshpirtërinë domenikane, në një sintezë të përsosur dhe vepruese”.

 Imzot Caputo përfundoi: “Sot jemi të bashkuar në lutje. E lutja e përbashkët, në bashkësi e në familje, u rizbulua nga gjithë besimtarët, në të gjithë botën, me rastin e pandemisë. Le të kujtojmë numrin e jashtëzakonshëm të njerëzve, që e ndoqën Papën Françesku gjatë meshëve të kremtuara në Shën Martë, ose pjesëmarrësit e shumtë në stafetën tonë të rruzares”.

E pikërisht Rruzares ia kushton këtë muaj Kisha Katolike. E jo më larg se pasnesër kremtohet festa e Zojës Rruzare, tejet e ndjekur nga besimtarët në Kosovë e në Shqipëri. Gjatë gjithë muajit, Kisha i këshillon besimtarët të thonë Rruzaren si individualisht, ashtu edhe në familje, duke i paraqitur Zojës të gjitha travajët e jetës, në mënyrë që ajo t’i çojë para Zotit të mëshirshëm.

05 tetor 2020, 12:46