Kërko

Vatican News
2020.09.14  Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio 2020.09.14 Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar 'A'

Jezusi tregon një tjetër shëmbëlltyrë për të na shpjeguar mbretërinë e qiellit në të cilën jemi të ftuar e të thirrur të marrin pjesë. Në shëmbëlltyrën ungjillore të të ftuarve në kremtimin e dasmës,Jezusi paraqet shëlbimin si një banket martesor, si një festë dasme dhe kujton se ka përfunduar koha e pritjes, e se profecia e Izaisë profet mbi banketin eksatologjik (Leximi I) është plotësuar e realizuar me ardhjen e tij, kur ai, Bir i Hyjit, ka përqafuar, madje ka martuar njerëzimin në kraharorin virgjëror të Nënës së tij tejet të shenjtë Mari.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Pas shembullit e imazhit të vreshtit, që dëgjuam të dielën e kaluar, kësaj radhe Jezusi tregon një tjetër shëmbëlltyrë për të na shpjeguar mbretërinë e qiellit në të cilën jemi të ftuar e të thirrur të marrin pjesë. Në shëmbëlltyrën ungjillore të kësaj së diele të të ftuarve në kremtimin e dasmës, shëmbëlltyrë që pason atë të vreshtit, Jezusi paraqet shëlbimin si një banket martesor, si një festë dasme dhe kujton se ka përfunduar koha e pritjes, e se profecia e Izaisë profet mbi banketin eksatologjik (Leximi I) është plotësuar e realizuar me ardhjen e tij, kur ai, Bir i Hyjit, ka përqafuar, madje ka martuar njerëzimin në kraharorin virgjëror të Nënës së tij tejet të shenjtë Mari.

Shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele na tregon se janë të shumtë ata, që janë thirrur për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit, por janë pak, të zgjedhurit. Jezusi, na thotë shën Mateu ungjilltar, vijon të shpjegojë si do të jetë Mbretëria e Zotit, me shëmbëlltyrën e mbretit, që i fton njerëzit në dasmën e të birit, por ata nuk shkojnë e madje, edhe i vrasin shërbëtorët, që ishin dërguar për t’i thirrur. Mbreti merr kështu këdo takojnë shërbëtorët në rrugë, të mirë e të këqinj e, njërin prej tyre, që s’ishte veshur me kostumin e dasmës, e hedh jashtë, aty ku ka errësirë, lot e kërcëllimë dhëmbësh.

Festa që na përgatit Zoti, ka çdo të mirë, por ka të ftuar, që refuzojnë e nuk duan të marrin pjesë në të, sepse shohin punët e tyre. Njëlloj siç bëjmë edhe ne nganjëherë, duke u shqetësuar për punët e përditshme e jo për planin, që ka Zoti për ne. E ky nuk është tundim për ata, që nuk besojnë, por pikërisht për besimtarët. Shpesh jemi kaq të zënë me punët e ditës, sa të mos e pranojmë dhuratën e Hyjit, që na e jep falas. Por Zoti nuk ndalet në refuzimin e parë. Ua shtrin ftesën të gjithë njerëzve, pa përjashtim. Të gjithë janë të ftuar në dasmë, me një kusht të vetëm: të veshin rrobën e dasmës, petkun e panjollë të njeriut, që është larg mëkatit, që është në hirin e Tënzot. Do të thotë që është në përkim me vullnetin e Tij Hyjnor. 

                                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Is 25, 6-10) 

Zoti do të bëj një gosti e do të fshijë lotin nga çdo fytyrë. 

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti. Në këtë mal Ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë. 
Dhe do të thuhet po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për tokë do të shkelmohet në vend të vet Moabi, siç shkelmohet kashta në gropë të plehut. Fjala e Zotit.

Psalmi 23 (22)
Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

_____________________________
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. 
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
_____________________________
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, 
s’trembem nga e keqja 
sepse ti je me mua: 
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
_____________________________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________________________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 12-14, 19-20) 
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi! 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.
Vëllezër, di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak!
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi! Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 22, 1-14)
Këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut 

Në atë kohë, Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat e mi e bagëtitë e majme Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ 
Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. 
Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ 
Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar. 
Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.” Fjala e Zotit.

09 tetor 2020, 17:55