Kërko

  Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Dashuria është masa e fesë, feja është shpirti i dashurisë, kёtё na kujton Jezu Krishti nё pjesёn e Ungjillit tё kёsaj sё diele nga Mateu, duke ripohuar se dashuria për Zotin dhe për të afërmin janë faqe të së njëjtës medalje. Urdhri i dashurisë për Zotin e për të afërmin është i pari, jo sepse qëndron në krye të listës së urdhërimeve. Jezusi nuk e vendos në majë, por në qendër, sepse është zemra, nga e cila duhet të nisë gjithçka e ku gjithçka duhet të kthehet.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalën Hyjnore të dielës së 30-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është ‘ ta duam njeriun, për ta dashur Zotin’. Të besosh e të duash, të besosh në Zotin është si të duash. Risia e madhe e krishterimit është në faktin që na ka dëftuar se “Zoti është dashur”. 

Dashuria është masa e fesë, feja është shpirti i dashurisë, kёtё na kujton Jezu Krishti nё pjesёn e Ungjillit tё kёsaj sё diele nga Mateu (22,34-40), duke ripohuar se dashuria për Zotin dhe për të afërmin janë faqe të së njëjtës medalje. “Do ta duash Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë mendjen tënde”, i përgjigjet Jezusi, në Ungjillin e kёsaj diele, një dijetari të Ligjit hebraik, i cili e pyet për urdhërimin më të madh të Zotit. E pastaj, shton menjëherë: “Duaje të afërmin porsi vetveten”.

Jezusi nuk i shpik nga vetja këto dy urdhërime, i gjen nga Shkrimi i Shenjtë, nga Libri i Ligjit të Përtërirë dhe nga Levitiku. Por shton një risi tё tij qё është bashkimi i këtyre dy urdhërimeve – dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin – duke na zbuluar, kёshtu, se ata janë të pandashëm e plotësues, janë dy faqe të së njëjtës medalje. Përmes dashurisë për të afërmin, çdo i krishterë mund të dëshmojë dashurinë për Zotin.

Urdhri i dashurisë për Zotin e për të afërmin është i pari, jo sepse qëndron në krye të listës së urdhërimeve. Jezusi nuk e vendos në majë, por në qendër, sepse është zemra, nga e cila duhet të nisë gjithçka e ku gjithçka duhet të kthehet. Në dritën e fjalëve të Jezusit, pra, dashuria është masa e fesë dhe feja është shpirti i dashurisë. Nuk mund ta ndajmë më jetën tonё nga shërbimi për vëllezërit, për ata vëllezër konkretë, që takojmë nё jetёn e pёrditshme. Nuk mund ta ndajmë më lutjen, takimin me Zotin në Sakramente, nga dëgjimi i të tjerëve, nga afërsia me jetën e tyre, sidomos me vёshtirёsitё dhe plagët e tyre.

Jezusi hap një udhë të re. Në mes të pyllit të rregullave e normave – të legalizmave të djeshëm e të sotëm – Jezusi hap një të çarë, që na lejon të shohim dy fytyra: fytyrën e Atit Hyjnor dhe atë të vëllait. Madje janë një fytyrë e vetme, ajo e Hyjit, që pasqyrohet në shumë fytyra, sepse në fytyrën e çdo të afërmi, sidomos në atë të më të voglit, tё më të brishtit dhe më të pambrojturit, është i pranishëm imazhi i vetë Zotit

                                                    Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Dal 22, 21-27)
Nëse e dëmtoni vejushën e bonjakun, hidhërimi im do t ë ndizet flakë kundër jush.

Lexim prej Librit të Daljes
Kështu thotë Zoti: “Mos e keqtrajtoni vejushën as bonjakun. Nëse do t’i nëpërkëmbni, ata do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. Atëherë hidhërimi im do të ndizet flakë e do t’ju prej me shpatë. Gratë do t’ju mbesin të veja e fëmijët bonjakë.
Nëse do t’i huazosh para ndokujt prej skamnorëve të popullit tim që është me ty, mos u sill me të si të ishe kamatari: mos i merrni kamatë.
Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit. Sepse ajo është i vetmi petk me të cilin e mbështill trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri. Fjala e Zotit!

Psalmi 18 (17)
Ref: Të dua, o Zot, fuqia ime.

_____________________________
O Zot, Qeta ime, fuqia ime, Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
_____________________________
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
_____________________________
Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
_____________________________

 

Leximi i dytë (1 Sel 1, 5-10)
Ju u kthyet kah Hyji prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushëmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzim që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës.
Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’ pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyj prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm. Fjala e Zotit!

Ungjilli (Mt 22, 34-40)
Duaje Zotin, Hyjin tënd dhe të afërmin tënd porsi vetveten!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan dhe njëri sish, mësues ligji, për ta vënë në provë, e pyeti: “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
Jezusi u përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.” Fjala e Zotit!

24 tetor 2020, 09:40