Kërko

Vangelo della XXIX Domenica 'A' Vangelo della XXIX Domenica 'A'  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu (Mt22,15-21), përmban shprehjen e famshme: “jepini Cezarit atë që i takon Cezarit e Zotit, atë që i takon Zotit”. Vetëm Hyjit, pra, duhet t’ia kushtojmë jetën. Të krishterët kontribuojnë me ndershmëri në mbarëvajtjen e institucioneve shoqërore e civile, por këto nuk mund t’i kundërvihen Zotit, sikur të ishin vlera absolute.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Leximet biblike, të kësaj së diele na propozojnë temën e marrëdhënies ndërmjet fesë dhe pushtetit politik, të marrëdhënies sonë me Zotin dhe me Cezarin, Mbretin apo pushtetin shoqëror, temë kjo që është aktuale edhe për ne sot.

Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu (Mt22,15-21), përmban shprehjen e famshme: “jepini Cezarit atë që i takon Cezarit e Zotit, atë që i takon Zotit”. Vetëm Hyjit, pra, duhet t’ia kushtojmë jetën. Të krishterët kontribuojnë me ndershmëri për mbarëvajtjen e institucioneve shoqërore e civile, por këto nuk mund t’i kundërvihen Zotit, sikur të ishin vlera absolute. 

Zoti nuk pretendon për vete atë, që është e dikujt tjetër, por dhuratat e Tij duhet t’i përdorim në shoqëri e në histori, duke shqyrtuar mirë gjithçka i takon Hyjit të Gjithëpushtetshëm dhe gjithçka i takon njeriut. Kjo është përgjegjësia e të krishterit në shoqëri e në histori, impenjimi i tij për të mirën e përbashkët, për promovimin e drejtësisë, vëllazërimit e të paqes në realitetin shoqëror.

Fragmenti ungjillor i kësaj sё diele nga Mateu, na ofron njё rast për të folur mbi Jezusin dhe mesazhin e Tij para një shoqёrie bashkëkohore.
“Jepini Çezarit, atë që është e Çezarit dhe Zotit, atë që është e Zotit”. Ky pohim themelor i Jezu Krishtit, në Ungjillin e kësaj së diele, pohon para së gjithash se duhet të kemi kujdes të madh, si para politizimit të fesë, ashtu edhe para hyjnizimit të pushtetit kohor e kërkimit të palodhur të pasurisë. Fjalёt e Jezusit na nxisin të mendojmë mirë cilat janë vërtet gjërat më të rëndësishme në jetë, cilat janë vlerat, sidomos në muajt e fundit të një viti, që ka sjellë probleme shoqërore, shëndetësore dhe ekonomike për shumë vetë.

E në Ungjill, të krishterët gjejnë frymëzim për jetën e përditshme e për punën e tyre në botë, kudo ku ata janë, në Parlament, apo në qeveri, nё spitale e nё bursë. Të krishterët nuk duhet t’i ikin botës; përkundrazi duhet të impenjohen në të. Por, saktëson Ungjilli, përfshirja e tyre me pushtetin tokësor, në politikë e në ekonomi duhet t’i largohet çdo forme ideologjie.

Ja përse, kur të krishterët refuzojnë të përulen para zotave të rrejshëm, propozuar në kohët tona, nuk e bëjnë këtë se kanë ndonjë këndvështrim të vjetruar mbi botën. Kjo ndodh, sepse janë të lirë nga zinxhirët e ideologjisë e frymëzohen nga një botëkuptim kaq fisnik për fatin e njeriut, sa nuk mund të pranojnë kompromise me asgjë, me asnjë pushtet që e cenon atë. Kjo ka ndodhur nganjëherë në histori, kur të krishterët “nuk kanë mundur t’i pranojnë kërkesat e Çesarit”, sikur na kujton fraza e famshme të Jezusit. Nga kulti i perandorit romak tek regjimet totalitare të shekullit të kaluar ‘Çesari’ është përpjekur t’i zërë vendin Zotit.

Të krishterët, sikur na fton edhe Papa, luftojnë kundër mjerimit, sepse i njohin çdo njeriu, krijuar në ngjashmëri me Zotin dhe i caktuar për amshim, dinjitetin më të lartë. Të krishterët, punojnë për shpërndarjen e barabartë të pasurive të tokës, sepse janë të bindur që, si administratorë të gjithësisë së krijuar nga Hyji, e kanë për detyrë të kujdesen për më të dobëtit e më të brishtët e shoqërisë. Të krishterët, janë kundër lakmisë dhe shfrytëzimit, me bindjen se bujaria dhe dashuria, që na ka mësuar Jezu Krishti, janë udha, që na çon drejt plotësisë së jetës.

Feja e krishterë, përmban në vetvete urgjencën e nxitjes së paqes e të drejtësisë për të gjithë. Këto qëllime, i kemi të përbashkëta me shumë të tjerë, prandaj bashkëpunimi i të krishterëve me të tjerët është gjithnjë i mundur. Po Ungjilli i kësaj sё diele na kujton se si besimtarë tё krishterë kemi një mbret tjetër, Jezu Krishtin Zot, i cili nuk përdor forcën e armëve, por fuqinë e dashurisë. Krishti i frymëzoftë të gjithë të jetojnë si qytetarë të Mbretërisë së Tij Qiellore, të cilën çdo njeri vullnetmirë mund të ndihmojë të ndërtohet edhe në Tokë.

                                                             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Is 45, 1. 4-6)
Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt.

 Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: “Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt, për t’i vënë në ikje mbretërit, për t’i hapur para tij dyert; edhe dyert para tij s’do të mbyllen.
Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s’më njihje. Unë jam Zot e tjetër s’ka: përveç meje Hyj tjetër s’ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje, që të dihet prej lindjes në perëndim, se posë meje, askush tjetër s’është!” Fjala e Zotit.

Psalmi 96 (95)
Ref: Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia!

_____________________________
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
_____________________________
Sepse i madh është Zoti,
tejet i denjë për t’u lavdëruar,
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
_____________________________
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.
_____________________________
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Sel 1, 1-5)
Kemi para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së Selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe! Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.
Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, mbasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju jo vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi e me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 22, 15-21)
Jepni Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatim apo jo?”
Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni? Ma tregoni monedhën e tatimit!”
Ata ia sollën një dinar. “E kujt është – u tha – kjo fytyrë e ky mbishkrim?”
“E Cezarit!” – i përgjigjën ata.
Atëherë Jezusi u tha: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.” Fjala e Zotit! 

17 tetor 2020, 11:41