Kërko

1601574561092.jpg

Irak, Sako: Enciklika, dokument i nevojshëm për fundin e padrejtësive

Nga Patriarkati Kaldeas, shpresa që dokumenti i Papës Françesku mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore do të hapë një fazë të re sidomos në zonat e botës, të shkatërruara nga luftërat dhe mjerimi. Rifillojnë meshët me besimtarët, ndërsa “në gjithë Lindjen e Mesme vijojnë tensionet e rënduara nga pandemia dhe nga shëndetësia e varfër”.

R.SH. - Vatikan

“Ishte e nevojshme të dëgjohej një zë i ndryshëm nga ai i atyre, që mbjellin luftë, ekstremizëm, të këqia”. Kardinali Louis Raphael Sako, Patriarku i Kaldeasve në Bagdad, komenton enciklikën e re të Papës Françesku “Fratelli tutti”, duke pasur parasysh gjendjen në tokën ku shërben, që ende vuan nga tensionet politike dhe mjerimi i konflikteve të Lindjes së Mesme.

Një thirrje për zgjim shpirtëror

“Ne nuk jemi armiq. Mjaft me luftë, shtypje, mjerim”, pohon kardinali në një intervistë për Vatican News. Ai e konsideron dokumentin e Atit të Shenjtë si hyrje në “një kohë tejet të përshtatshme që njerëzit t’i hapin zemrat ndaj këtij zëri profetik”. Nënvizon edhe rëndësinë e ripropozimit të urgjencës së vëllazërimit, të drejtësisë, të migracionit, të shpërndarjes së të mirave për të gjithë: “Nuk duhet të kemi njerëz tejet të pasur dhe tejet të varfër, kemi nevojë për falje, sidomos në anët tona, ku flitet veç për hakmarrje”. Kardinali Sako fton të shfrytëzohet ky çast për një zgjim shpirtëror, duke ngritur zërin në një denoncim: “ne të krishterët – thotë ai - e kemi humbur pak përshpirtërinë tonë, edhe myslimanët duhet të kthehen në bazat e Kuranit, që janë toleranca, drejtësia, vëllazërimi. Ndërsa ata që nuk besojnë - shton më tej - duhet të rifitojnë një ndjenjë të re qytetarie për një shoqëri vëllazërore, solidare dhe të drejtë. Sektarizmi nuk është në përputhje me vlerat njerëzore dhe fetare”.

Rifillimi i meshëve me besimtarët

Të dielën, më 4 tetor, në kishat e Irakut filloi rikthimi gradual i besimtarëve në meshë, gjithnjë në përputhje të plotë me rregulloret shëndetësore. “Kishat mbetën të hapur për të shtatë muajt e bllokimit, por meshët dhe tubimet u pezulluan e, po kështu, edhe në xhami”, pohon kardinali Sako, i cili e kremtoi Eukaristinë në një famulli të vogël irakiane. “Ishin rreth 70 vetë, të gjithë erdhën me entuziazëm. Falënderuan Zotin për shëndetin e tyre dhe u lutëm për t’u dhënë fund luftërave dhe konflikteve. Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi bërë një sërë takimesh me meshtarë të ndryshëm për të kuptuar si duhet të vazhdojmë t’i formojmë njerëzit tanë në doktrinën e krishterë me një gjuhë të kuptueshme”.

Tensionet politike e dëmet e popullsisë

 “Ka një konfuzion, sidomos politik tani, një tension shumë të fortë në vend ndërmjet pro iranianëve dhe të tjerëve, që janë pro Amerikës. Kjo nuk ndodh vetëm në Irak, por edhe në Siri, Libi, Liban dhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Këto janë tensione - shpjegon kardinali - që i bëjnë shumë dëm popullatës. Qeveria po bën përpjekje, po merr masa kundër korrupsionit dhe armëve, le të shpresojmë për mirë”.

Pandemia dhe ndihma për Kishat

“Kemi 5 mijë të infektuar në ditë nga koronavirusi”, shpjegon kardinali Sako nga një vend ku me Covid-19 numërohen mbi 370 mijë raste dhe më se 9 mijë vdekje. “Nuk kemi aq sa duhet spitale, ilaçe, masa bazë shëndetësore. Secili mbetet i izoluar në shtëpinë e tij”. Megjithatë, ndihma ekonomike për kategoritë më të brishta nuk ka munguar: “Unë vetë – përfundon kardinali Sako - u kam dhënë para kishave për të ndihmuar ata, që nuk kanë asgjë, - deri tani, 120 mijë dollarë - por jemi gjithmonë gati të ndihmojmë kur ka nevojë. Edhe për vizitat tek të sëmurët, jemi gjithmonë të gatshëm”.

06 tetor 2020, 11:53