Kërko

Vatican News

Do të jetë shenjt, Giustino Russolillo, themeluesi i Vokacionistëve

Papa autorizoi dekretet, që lartojnë në nderimet e altarit meshtarin napoletan. Ndër të lumët e rinj, edhe modenezi don Luigi Lenzini, torturuar e vrarë nga partizanët komunistë në korrik të vitit 1945

R.SH. - Vatikan

Konsiderohej shenjt që në jetë, nismëtari i veprave të shumta kishtare, i cili deri në fund, deshi të mbetej meshtar i thjeshtë i famullisë. Napoletan, i treti i dhjetë fëmijëve të një familjeje modeste, ky është shenjtori i ri, Giustino Maria Russolillo, për të cilin Papa Françesku miratoi dekretin, që e larton në nderimet e altarit, së bashku me gjashtë të Lumë, prej të cilëve katër martirë dhe, me dy Shërbëtorë të Zotit.

Shenjtori i ri

 Don Giustino Russolillo, i vetmi shenjtor në listë, gjithnjë alergjik ndaj nderimeve, që i bënin ata, të cilët, kur ishte gati në fund të jetës, e quajtën “Shenjtori i Fushës”. Lindi në Napoli më 1891 e po aty do të vdesë më 1955, pasi themeloi Shoqërinë e Thirrjeve Hyjnore (Vokacionistët) dhe më pas degën femërore, Kongregatën e Motrave të Thirrjeve Hyjnore. Siç kuptohet nga emri i veprës së tij, don Russolillo e kaloi jetën në shërbim të thirrjeve për meshtari e për jetën rregulltare. Që i ri, e ndieu vlerën e pallogaritshme të tyre për Kishën. Kaloi një jetë të vështirë e shpesh, nuk kuptohej, por tani do të shpallet shenjt i Kishës. Mrekullia që i atribuohet atij, ka të bëjë me shërimin e një vokacionisti të ri nga Madagaskari, më 21 prill 2016, në Pozzuoli, të cilit iu vu mbi trup një relike e don Giustino-s, kur ishte i sëmurë rëndë. U shërua pothuaj menjëherë e doli nga spitali më 3 maj të atij viti.

Të Lumet e reja

 Njohja e dy mrekullive të tjera do të çojë në lumnimin e dy themelueseve të tjera të instituteve fetare. Njëra prej tyre është Maria Lorenza Requires në Longo, fisnike spanjolle, lindur më 1463 në Lleida dhe vdekur më 1539 në Napoli, ku kishte shkuar me të shoqin, regjent i Mëkëmbësisë së qytetit, ku, kur mbeti vejushë, hapi Spitalin e të Pakurueshmëve. E sëmurë rëndë, u tërhoq në kuvendin e Murgeshave Kapuçine, edhe ai, i themeluar prej saj. Mrekullia e dytë i atribuohet Elisabetta Czacka (në shekull, Rosa), lindur në Bila Tserkva të Ukrainës, më 1876 dhe vdekur në Laski të Polonisë më 1961. Megjithëse e verbër, themeloi Kongregatën e Motrave Françeskane Shërbëtore të Kryqit, që, ndër të tjera, merren pikërisht me integrimin shoqëror të të verbërve, përmes përgatitjes shpirtërore, shkollore dhe profesionale.

Histori martirizimi e guximi

Ndërmjet martirëve, që do të lartohen në nderimet e altarit, janë dy fretër libanezë kapuçinë, viktima të të ashtuquajturave "marshime të vdekjes”, kryer nga lëvizja nacionaliste e xhonturqve (turqve të rinj) gjatë gjenocidit armen. I pari, fra Leonardo Melki, u arrestua dhe u torturua më 1915. Refuzimi i tij për t'u kthyer në Islam e dënoi me një vdekje mizore, nën goditjet e shpatës. Një fat i ngjashëm i takosi edhe sivëllait Tommaso Saleh, i cili u vra nga urrjetja për fenë në vitin 191, vetëm sepse priti në shtëpi një meshtar armen. Tragjike, 30 vite më vonë, historia e don Luigi Lenzini-t, meshtar dioqezan nga Modena, lindur më 1881, famullitar në Crocette di Pavullo në vitin 1941, famulli e vogël në zonën, ku vepronin partizanët. Disa militantë komunistë e sekuestruan natën ndërmjet 20 dhe 21 korrikut 1945 dhe e vranë në mes të arave, pasi e torturuan mizorisht.

Braziliania Isabella Cristina Mrad Campos ka një histori të ngjashme me atë të Maria Goretti-t. Lindur më 1962, shumë e lidhur me familjen rregulltare të Shën Vençenc de Paolit - dhe me ëndrrën për t'u bërë pediatre – humbi jetën në msohën 20-vjeçare, më 1 shtator 1982, pasi i rezistoi një përpjekjeje përdhunimi. E vrau një punëtor i ri, që ishte përpjekur ta joshte, ndërsa ndodhej në shtëpinë e vajzës për të montuar disa mobilje. Vajza jep shpirt pas 13 plagëve me thikë në shpinë dhe në bark.

Shërbëtorët e rinj të Zotit

E mbyllin listën dy Shërbëtorë të rinj të Zotit, të cilëve u janë njohur virtytet heroike. Janë: braziliani Roberto Giovanni, i Kongregatës së Varrëve të Shenjta të Zotit tonë Jezu Krisht (1903-1994) dhe spanjollja Maria Teresa e Zemrës së Jezusit (në shekull Celia Méndez y Delgado), bashkëthemeluese e Kongregatës së Shërbëtoreve të Zemrës së Krishtit (1844-1908).

30 tetor 2020, 08:15