Kërko

Shugurimi meshtarak Shugurimi meshtarak

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Pjetrit, meshtaria mbretërore

Vijojmë komentin e Letrës I të Pjetrit, pasi javën e kaluar sapo e cekëm pak himnin e pagëzimit, që paraqitet në kapitullin II të saj, ku përmendet shprehja “Guri i gjallë” për Jezu Krishtin e, përmes Tij, për të gjithë të krishterët. Fati i këtyre “gurëve të gjallë” është të hidhen, siç ndodhi me gurin e këndit. E megjithatë, guri i hedhur u bë guri i këndit i një ndërtese të re, i një ndërtese shpirtërore, siç shkruhet në librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia, të cilin e ndjekim për këtë emision.

R.SH. - Vatikan

Në kapitullin 2 të Letrës së parë të Pjetrit thuhet qartë:

 “Guri që përbuzën ndërtuesit, u bë gur i këndit, gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa. Ata zënë në thua, sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar” (1 Pjt 2,7-8) .

 Në këtë ndërtesë të re, në të cilën përshpirtëria është e fortë si shkëmbi, shën Pjetri u kujton gjithë të pagëzuarve se dhuratat, që dikur, ishin privilegj i një populli të vetëm dhe i disa prej anëtarëve të tij, tani bëhen pasuri e një populli të ri: “popullit të Zotit”. Shprehje origjinale, edhe kjo, ashtu si ideja e një “populli meshtarak”, krijuar për të ofruar fli shpirtërore. Një popull gurësh të gjallë për një tempull, që nuk është më i përbërë nga gurë të pashpirt!

 “Ju jeni: ‘Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme. Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Popull i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën” (1 Pjet 2,9-10).

Nëse Letra drejtuar Hebrenjve përcakton teologjinë e meshtarisë së Krishtit, në Letrën I të Pjetrit formulohet, për herë të parë, teologjia e meshtarisë së përbashkët të gjithë besimtarëve. Një doktrinë, që do të harrohet shpejt, kur krishterimi, duke braktisur shtëpitë vëllazërore e duke u zhvendosur në bazilikat romake, do t’i japë jetë një kulti, që do t’i largojë gjithnjë e më tepër besimtarët nga vetëdija për meshtarinë e tyre.

Duke filluar nga ky bashkim me Krishtin, Guri i gjallë i këndit, apostulli jep këshillat e tij për gjithë të krishterët:

“Sjellja juaj midis paganëve të jetë shembullore që, shi për ato sende në të cilat ju shpifen si të ishit bakëqij, kur t’i shohin veprat tuaja të mira, t’i japin lavdi Hyjit në Ditën e Ardhjes së tij.  Nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit: qoftë mbretit - porsi sundimtarit më të epër - qoftë edhe qeveritarëve, si të dërguarve të tij për të ndëshkuar bakëqijtë e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë. Sepse ky është vullneti i Hyjit: duke bërë mirë t’ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamendë. Porsi njerëz të lirë - por jo si ata që lirinë e kanë porsi mbulesë të veprave të këqija, por si shërbëtorë të Hyjit - nderoni gjithkënd, doni vëllazërinë, doni Hyjin, nderoni mbretin!  Shërbëtorë, nënshtrohuni me plot frikë zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve e të butëve, por edhe të mbrapshtëve” (1 Pjt 2,12-18).

“Ju, gra, dëgjoni burrat tuaj… , edhe ju burra, bashkëjetoni në mënyrë të njerëzishme me gratë tuaja… Jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvujtë. Mos e ktheni të keqen me të keqe as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni” (1 Pjt 3,1.7.8-9).

Në kohën e Neronit, kohët ishin bërë të vështira për të krishterët, të cilët akuzoheshin rëndë për gjithçka ndodhte, prandaj, nuk duhej të bënin asgjë, që mund të ushqente shpifjet kundër tyre. Ja si shpjegohen këto këshilla të Shën Pjetrit, kaq i kujdesshëm që të gjithë ndjekësit e Krishtit të kishin një sjellje të shëndoshë morale. E arrin t’u kërkojë këtë lloj qëndrimi edhe skllevërve, por për këtë do të flasim më hollësisht në emisionin e ardhshëm.

22 tetor 2020, 11:50