Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Pjetrit, bashkimi me mundimet e Krishtit

Duke komentuar Letrën I të Pjetrit, javën e kaluar vumë në dukje se apostulli u kërkonte të krishterëve të silleshin në mënyrë të shkëlqyer, që askush të mos kishte ç’të thoshte për ta. Jemi në kohën e Neronit perandor e të krishterët nuk shiheshin me sy të mirë, madje, atyre ua vishnin shpesh fajin për çdo gjë që ndodhte në Perandorinë Romake. Vijojmë edhe sot të shohim këtë aspekt, duke ndjekur, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në Letrën e tij të parë, Shën Pjetri Apostull i fton besimtarët e krishterë t’u përgjigjen me sjellje të mira akuzave rreth tyre:

“Në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar” (1 Pjet 3,16).

Apostulli arrin t’ua kërkojë këtë edhe skllevërve, në një himn, që konsiderohet nga më të bukurit e Besëlidhjes së Re. Shën Pjetri e kupton hallin e tyre, nevojën e tyre për drejtësi, por i fton të jenë të butë e të kenë durim, siç pati durim Krishti. Ky është himni, që ka një fuqi të jashtëzakonshme letrare dhe emotive e që i fton të fundmit e kësaj bote të shohin në plagët e tyre ato të Bariut të Mirë, që u ofrua fli, si qengj i butë, në mënyrë që delet të jetonin:

“Krishti pësoi për ju

duke ju lënë shembullin

që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tij:

Ai që mëkat nuk bëri

dhe në buzët e tij nuk u gjet gënjim,

Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje

dhe, i salvuar, nuk kërcënohej,

por ia lëshonte çështjen e vet

Atij që gjykon me drejtësi.

Ai në trupin e vet i mori

mbi drurin e kryqit mëkatet tona,

që, të vdekur për mëkate,

të jetojmë për drejtësi:

me vërragët e të cilit jeni shëruar.

Ishit po, si delet e tretura,

por tani u kthyet

te Bariu e Rojësi i shpirtrave tuaj” (1 Pjt 2,21-25)

 Shën Pjetri e di mirë se nuk është koha për revolucione a kryengritje, prandaj, vë në dukje se horizonti i fudmë është shpëtimi i shpirtrave. Por, parapëlqimi i Krishtit për të fundmit e kësaj bote, pa dyshim, nuk e përjashton Kishën nga lufta për zhdukjen e pabarazive shoqërore.

Nuk është ndonjë çudi që i krishteri sprovohet e feja e tij sulmohet gjithmonë. E nuk është fjala as vetëm për dëshminë e besnikërisë. Pagëzimi, që i bashkon gjithë të krishterët me vuajtjet, me vdekjen dhe me ringjalljen e Krishtit, bën të mundur që, në kohën kur Pjetri shkruan Letrën e parë, ata të jenë vërtet të bashkuar me mundimet e Jezusit.

“Gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju” (1 Pjt 4,13-14).  

 Ideja e pjesëmarrjes në mundimet e Krishtit – siç e dimë të gjithë – u bë një nga elementet qendrore të përshpirtërisë katolike. Madje, edhe në tepri, nganjëherë. Gati-gati sikur pa vuajtje nuk mund të marrim pjesë në jetën e Krishtit; sikur vuajtja të jetë e vetmja rrugë, që Zoti përgatit për bijtë e vet për t’i sprovuar e për t’i munduar.

Është e vërtetë që Letra I e Shën Pjetrit përdor këto shprehje, por tepër shpesh, harrohet se ajo është menduar pikërisht për t’u ardhur në ndihmë të krishterëve, të shtangur nga zjarri, që u përplas mbi ta me furinë e Neronit.

29 tetor 2020, 08:12