Kërko

Vatican News
Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu I Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu I 

Bartolomeu për “Fratelli tutti”: ta lëmë mënjanë indiferencën dhe cinizmin

Intervistë e Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës për mediat vatikanase mbi enciklikën shoqërore të Papës Françesku: ta ëndërrojmë botën si një familje të bashkuar.

ANDREA TORNIELLI

“Jemi plotësisht dakord me ftesën-sfidë” të Papës Françesku për ta "lënë mënjanë indiferencën dhe cinizmin, që sundon në jetën tonë ekologjike, politike, ekonomike dhe shoqërore në përgjithësi”, si edhe “ta ëndërrojmë botën si një familje të bashkuar njerëzore”. Me këto fjalë, Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu I, që ndodhet në Romë për lutjen ndërfetare për paqen, komenton enciklikën e Papës Françesku “Fratelli tutti”, në një intervistë për mediat e Vatikanit.

Shenjtëri, cili ishte reagimi juaj pas leximit të enciklikës “Fratelli tutti” të Papës Françesku?

Para se të njiheshim me enciklikën “Fratelli tutti” të vëllait tonë Papës Françesku, ishim të sigurt se bëhej fjalë për një shembull tjetër të interesit të tij të palëkundur për njeriun, "të dashurin e Zotit", përmes shfaqjes së solidaritetit ndaj gjithë "të lodhurve e të munduarve” e ndaj nevojtarëve, e se do të kishte propozime konkrete për të përballuar sfidat e mëdha të momentit, frymëzuar nga burimi i pashterrshëm i traditës së krishterë, që dalin nga zemra e tij plot dashuri. Gjetëm çfarë prisnim, pas përfundimit të analizës së kësaj Enciklike shumë interesante, e cila nuk është thjesht përmbledhje ose shumë e Enciklikave të mëparshme apo e teksteve të tjera të Papës Françesku, por kurorëzim i gjithë doktrinës shoqërore. Jemi plotësisht dakord me ftesën-sfidë të Shenjtërisë së Tij për t’i lënë mënjanë indiferencën e cinizmin, që qeverisin jetën tonë ekologjike, politike, ekonomike dhe shoqërore në përgjithësi, si njësi të përqendruara në vetvete ose të painteresuara, si edhe për ta ëndërruar botën si një familje njerëzore të bashkuar, në të cilën të gjithë jemi vëllezër, pa përjashtime. Me këtë frymë, shprehim urimin dhe shpresën që Enciklika “Fratelli tutti” të jetë burim frymëzimi dhe dialogu të frytshëm, përmes nismave vendimtare dhe veprimeve transversale në planin ndër-kristian, ndërfetar dhe pan-njerëzor.

20 tetor 2020, 15:43