Kërko

San Germano San Germano  (© BAV, Vat. lat. 3767, f. 57v)

Më 30 tetor kalendari kishtar kujton Shën Gjermanin, ipeshkëv

Gjermani trashëgoi një pasuri të madhe. Shiti gjithçka kishte dhe paratë ua ndau të varfërve. Kështu mundi t’i kushtohej plotësisht jetës shpirtërore, për të cilën ishte i thirrur dhe t’i kalonte ditët e jetës tokësore me lexime të shenjta, lutje e pendesë.

R.SH. - Vatikan

Më 30 tetor kalendari kishtar kujton Shën Gjermanin, ipeshkëv. Kush dëshiron ta njohë më thellësisht shën Gjermanin, mund të shfrytëzojë një bibliografi të pasur, që flet për të e për veprimtarinë e tij, duke filluar nga libri me titull “Jeta e shën Gjermanit”. Vepra, shkruar tre shekuj pas vdekjes, jep njoftime të përgjithshme për jetën e ipeshkvit shenjt.

Gjermani lindi në Kapua, në shekullin V. Ishte bir i Amancios e Gjulianës, qytetarë të shquar të qytetit historik. Pas vdekjes së babait, Gjermani trashëgoi një pasuri të madhe. Me miratimin e së ëmës, shiti gjithçka kishte lënë i ati. Paratë e fituara nga shitja, ua ndau të varfërve. Kështu mundi t’i kushtohej plotësisht jetës shpirtërore, për të cilën ishte i thirrur dhe t’i kalonte ditët e jetës tokësore me lexime të shenjta, lutje e pendesë.

Në vitin 519, pas vdekjes së ipeshkvit të Kapuas, sipas zakonit të kohës, kleri dhe populli e zgjodhën Shenjtin në vendin e prelatit të vdekur. Jetoi në kohën e skizmës akaçiane, që mori emrin e patrikut të Kostandinopjës, Akaçio. Skizma zgjati 35 vjet dhe e ndau Kishën e Lindjes nga Roma.

Por që në ditët e para të zgjedhjes së Justinianit, perandori kërkoi nga papa të dërgonte një delegacion për të rivendosur paqen ndërmjet dy Kishave. E Papa e dërgoi menjëherë delegacionin, në krye të të cilit caktoi ipeshkvin e Kapuas, Gjermanin, gjë që tregon sa i urtë e i virtytshëm ishte Shenjti. Delegacioni, i pritur triumfalisht në Kostantinopojë, ia doli mbanësh t’i bindte kundërshtarët ta pranonin formulën e papës. Ishte e Enjtja e Madhe e vitit të largët 519.

Kështu u rivendos paqja e u kapërcye rreziku i thellimit të përçarjes. Delegatët e papës ndejën një vit të tërë në Bizanc, për ta përforcuar rezultatin e madh që ishte arritur, për ta përhapur edhe në Kishat e tjera Lindore e për të përballuar rrezikun e kundërshtimeve që mund të vinin nga murgjit shiitë. U kthyen në Romë më 10 korrik të viti 520, vit pas të cilit ipeshkvi shenjt vijoi veprimtarinë e gjithanshme në favor të bashkimit e të lulëzimit të Kishës.

Shën Benedikti tregon se, ndërsa po lutej në Montekasino, pa në vegim shpirtin e shën Gjermanit duke u ngjitur në qiell, i mbartur nga Engjëjt. Patriku shenjt dërgoi menjëherë njerëz të interesoheshin për shëndetin e shën Gjermanit. Mori përgjigjen se kishte dhënë shpirt pikërisht në çastin kur ai kishte pasur vegimin: ishte data 30 tetor e vitit 541.

30 tetor 2020, 09:48