Vendet e Ulëta: ngushëllimi i Papës për vdekjen e kardinalit Simonis
R. SH. - Vatikan
“Bashkohem me Ju në falënderimin e Zotit të gjithëpushtetshëm për dëshminë besnike të të ndjerit Kardinal ndaj Ungjillit”. Është ky një nga fragmentet e telegramit të Papës, drejtuar kardinalit Willem Jacobus Eijk, duke u bashkuar me dhimbjen e Kishës së Utrechti-t, në Vendet e Ulëta, që dje humbi një pikëmbështetje të fortë.
Deri në frymën e fundit
Njeri “me zemër të madhe baritore”. Besnik ndaj Ungjillit deri në frymën e fundit!”. Me këto fjalë kardinali Willem Jacobus Eijk, kryeipeshkëv metropolit i Utrecht, në Vendet e Ulëta, jep njoftimin për vdekjen e paraardhësit të tij, kardinalit Adrianus Johannes Simonis, që ndërroi jetë dje, 2 shtator, në moshën 88 vjeç.
Pas dorëheqjes - njofton një notë arkidioqezane - Kardinali jetoi për ca kohë në Nieuwkuijk të Brabante-s, në Mariapoli Mariënkroon të Lëvizjes së Fokolarëve. Vitet e fundit i kaloi në një qendër mjekimi në Voorhout, në Vendet e Ulëta.
Duke shprehur ngushëllimet, kardinali Eijk kujtoi veprimtarinë e paraardhësit, nisur në çaste të vështira, kur popullimi në vend ishte shumë i fortë. Po kjo nuk e pengoi ta vinte në jetë moton e tij: “Që Të të njohin, në shumë mënyra, o Krisht!”.
Një jetë në shërbim të Kishës
I lindur më 26 nëntor 1931 në Lisse, dioqeza e Rotterdamit, më i madhi ndër 11 vëllezër, Kardinali Simonis u shugurua meshtar më 15 qershor 1957, pasi kreu studimet në Seminaret “Hageveld" e "Warmond". Më pas studioi ezegjezë biblike në Romë, duke i përfunduar studimet me një tezë kushtuar Ungjillit të Shën Gjonit lidhur me figurën e Bariut të Mirë. I rikthyer në Atdhe, u emërua vikar i njërës nga famullitë e Hagës. Pas shumë shërbimesh të tjera të shquara, më 25 maj 1985 Shën Gjon Pali II e krijoi kardinal me titullin e Shën Klementit. Mori pjesë në Konklavin e prillit 2005, që zgjodhi Papë Benediktin XVI. U bë kryeipeshkëv nderi i Utrecht, më 14 prill 2007.