Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVI të vitit liturgjik

“Kush e kryen me të vërtetë vullnetin e Zotit?” Kjo është pyetja, që na drejton sot Jezu Krishti, në kreun 21 të Ungjillit sipas Mateut, në këtë të diel XXVI të vitit liturgjik A. Por ja shëmbëlltyra e dy djemve:

R.SH. - Vatikan

28 “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ 29 Ai iu përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. 30 Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai iu përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. 31 Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?” I thanë: “I pari!” “Përnjëmend po ju them: - vazhdoi Jezusi - tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. 32 Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar”.

Të lutemi së bashku:

Fjalët e tua, o Jezus,

tingëllojnë si sharje

për të devotshmit e të përkushtuarit e djeshëm e të sotëm,

për të gjithë ata, që mendojnë

se kanë të drejtë të shpërblehen

me një vend të rëndësishëm në Mbretërinë, që Ti e shpall.

 

Laviret e tagrambledhësit

natyrisht, as i afrohen jetës shenjte

e, megjithatë, e ndiejnë nevojën

për t’u penduar, për të ndryshuar.

Ndryshe nga ne

që tepër shpesh, kemi ndërtuar

një sistem jete të papërshkueshëm nga Ungjilli yt,

nga kërkesa jote për të ndryshuar

drejtim, sjellje, stil jetese.

 

Oh, e kemi gjithnjë emrin Tënd në majë të gjuhës

por zemra rreh larg Teje.

Diskutojmë për probleme teologjike e baritore,

por jemi të bindur katërcipërisht

se vendimet që marrim, janë më të mirat,

se idetë tona janë të gjitha të drejta,

se s’ka, pra, asgjë

për t’u hequr, për t’u ndrequr, për t’u shndërruar

në këtë ekzistencën tonë të mjerë.

 

Kështu, ditë pas dite, shpirti na ngurtësohet

e ia mbyllim zemrën çdo mundësie për të të marrë seriozisht,

e për ta lënë veten në dorën Tënde

që të na shndërrosh krejtësisht.

26 shtator 2020, 08:28