Kërko

bambini-rosario-2-grandepngAEM.jpg

Një milion fëmijë do t’i luten së bashku Zojës për të mirën e botës

Më 18 tetor, nisma, që përfshin fëmijë nga të gjitha kontinentet, së bashku me prindërit, mësuesit dhe katekistët, për t’iu lutur Zojës ta lirojë botën nga koronavirusi. Në një letër drejtuar fëmijëve, organizatorët shpjegojnë si thuhet Rruzarja, ndërsa në një tjetër për të rriturit, nënvizojnë se Jezu Krishti është “ilaçi” i vërtetë kundër të këqijave, që e mundojnë njerëzimin.

R.SH. - Vatikan

Edhe këtë vit, në muajin tetor, i njohur tradicionalisht nga të krishterët si muaji i Rruzares, Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan” promovon nismën “Për bashkimin dhe paqen, një milion fëmijë thonë rruzaren” , e cila kësaj radhe zhvillohet në një kuadër tejet të veçantë, për shkak të emergjencës së koronavirusit.

Çorientimi i sjellë nga pandemia

“Bota nuk është më po ajo: gjithçka, që më parë konsiderohej e mirëqenë, nuk do të jetë më kështu”, thuhet në letrën e paraqitjes së nismës, nënshkruar nga kardinali Mauro Piacenza, kryetar i Fondacionit dhe nga asistenti kishtar, atë Martin M. Barta. Pavarësisht nga masat mbrojtëse, përjetojmë frikë, çorientim dhe ndihemi të pafuqishëm, shkruhet në tekst, ku vihet në dukje edhe solidariteti e bashkimi shoqëror, gjatë muajve më kritikë të pandemisë. Gjithsesi, nuk mund të mohohet se “virusi na ka distancuar dhe izoluar nga njëri-tjetri. Jemi të prirë ta shohim tjetrin jo si shëmbëlltyrë të Zotit por si rrezik, si bartës të mundshëm të virusit”.

Me Jezusin, Zoti i mori mbi vete të gjitha kufizimet tona

Përballë kësaj emergjence dhe ngjarjeve të tjera të ngjashme, që mund të ndodhin në të ardhmen, është e qartë se “njerëzimi pa Zot - nënvizohet në letër - do të ishte i dënuar të mposhtej”. Por Zoti është pranë nesh dhe në Jezusin, mori mbi vete të gjitha të këqijat tona, madje edhe mëkatin, virusin më të keq. Për këtë arsye, Jezu Krishti është “ilaç” kundër të gjitha “fatkeqësive të botës”, prandaj duhet t’i lutemi Atij e Nënës së Tij që ta ndihmojë njerëzimin, në çastet më të errëta.

Prania e vazhdueshme e Marisë përkrah njerëzimit

Letra kujton rastet e dukjes së Zojës, gjatë 200 viteve të fundit. Në to, Nëna e Zotit kërkon gjithnjë kthimin e njerëzve në udhën e Hyjit. “Jeta në hirin e Tënzot, rrëfimi e pajtimi, eukaristia, rruzarja, leximi i Biblës, kushtimi ndaj Zemrës së saj të Papërlyer, veprat e mëshirës”: këto janë këshillat e Virgjërës Shenjte. E këtu i ka rrënjët edhe ftesa për t’u bashkuar të gjithë të dielën, 18 tetor, në lutjen e Rruzares, ose të hënën, më 19 tetor, për ata, që dëshirojnë ta thonë në shkollë. Kjo është nisma “Një milion fëmijë thonë Rruzaren”, e cila synon ta vërë botën nën mbrojtjen e Marisë.

Fëmijët i kushtohen Nënës Qiellore

Përveç Rruzares, sipas mistereve të Gëzimit, fëmijët mund të thonë edhe një lutje të veçantë, një akt kushtimi Marisë, Nënës së Zotit. Lutja fillon me këto fjalë: “O shën Mari, Nëna ime, plot gëzim vij tek Ti për të dhuruar krejt zemrën time. Të dhuroj edhe gjithçka kam e gjithçka bëj, krejt jetën time. Vij tek Ti me të gjithë ata, që i kam për zemër, me prindërit, vëllezërit dhe motrat, me të gjithë miqtë, por edhe me të gjithë ata, që më kanë lënduar. Bëhu Ti nëna jonë, na beko dhe na mbro”.

16 shtator 2020, 13:44