Kërko

Vatican News

Kard. Hollerich (Comece): vlerat evropiane ka rrezik të konsiderohen gënjeshtra

Tragjedia e Lesbos në qendër të takimit të javës së kaluar të kardinalit Jean-Claude Hollerich, kryetar i Comece-s, me Papën Françesku. “Vitet e fundit – deklaron kardinali për agjencinë katolike SIR - kemi thënë fjalë të bukura për të drejtat e njeriut dhe vlerat evropiane. Ka njerëz që besuan në ato fjalë. Por kur mbërritën në kufi me Evropën, e kuptuan se ato që kemi thënë deri tani, janë vetëm gënjeshtra. Të kemi kujdes edhe kur flasim për identitetin e krishterë të Evropës, sepse nuk mund të shkojmë në kishë, t’i lutemi Zotit dhe të mos bëjmë asgjë, duke ditur se ka njerëz që vdesin dhe vuajnë”.

R.SH. - Vatikan

Në kampin e Morias, tashmë djegur krejtësisht nga flakët, kushtet e më se 12 mijë refugjatëve janë bërë të padurueshme. Ata kanë humbur gjithçka e sillen rrugëve të ishullit grek të Lesbos, në kërkim të mbështetjes e të përkrahjes. Ndërsa përgatitet një kamp tjetër i përkohshëm, ku tashmë janë strehuar 300 vetë, Evropa flet për dërgimin e anijeve e për shpërndarjen e refugjatëve në vende të tjera.

          E ndërsa Karitasi Evropian dhe organizata të shumta humanitare janë mobilizuar për ndihmën e menjëhershme, kryetari i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të BE-së, kardinali Jean Claude Hollerich, ngre zërin për të denoncuar mikpritjen evropiane dhe besueshmërinë e kontinentit të vjetër. Në një intervistë për agjencinë katolike Sir, kardinali nënvizon faktin se Moria ka qenë problem i hershëm për Evropën, por asgjë nuk është bërë për ta zgjidhur. Pas Papës Françesku, në vitin 2016, edhe vetë kardinali pati shkuar në Lesbos për të parë personalisht vështirësitë, në të cilat jetonin mijëra njerëz. Pastaj, Bashkësia e Shën Egjidit, me korridoret e saj humanitare, bëri shumë për të lehtësuar situatën e refugjatëve, por - denoncon kardinali – duhet bërë shumë më tepër, sidomos nga Bashkimi Evropian, që pretendon të ketë vlera të krishtera në rrënjët e tij.

Gra nga kampi i djegur i Morias
Gra nga kampi i djegur i Morias

Fjalë të mira e gurët në trastë

          “Gjatë këtyre viteve – vë në dukje me hidhërim kardinali Hollerich – kemi thënë fjalë tejet të bukura për të drejtat e njeriut e për vlerat evropiane. Ka njerëz që besuan në ato fjalë. Por kur mbërritën në kufi me Evropën, e kuptuan se ato që kemi thënë deri tani, janë vetëm gënjeshtra. Të kemi kujdes edhe kur flasim për identitetin e krishterë të Evropës, sepse nuk mund të shkojmë në kishë, t’i lutemi Zotit dhe të mos bëjmë asgjë, duke ditur se ka njerëz që vdesin dhe vuajnë. Kjo s’është e mundur”.

Nuk zgjidhet problemi i migracionit me “hotspot”

          Ishulli i Lesbos e djegia e kampit të refugjatëve është dëshmi e qartë, që i tregon Evropës se udha e krijimit të të ashtuquajturve “hotspot” – qendra ku grumbullohen emigrantët e sapoardhur – nuk mund të ndiqet më. Ipeshkvijtë evropianë, sipas kardinalit Hollerich, duhet të flasin me qeveritë e vendeve të tyre, për t’u thënë se Kisha pret mikpritjen e refugjatëve. “Pas zjarrit të jashtëzakonshëm në kampin e Morias – vëren kardinali – Franca e Gjermania njoftuan se mund të marrin pjesën më të madhe të 400 të miturve të pashoqëruar, të cilët Bashkimi Evropian deklaroi se është gati t’i pranojë. Por nuk mjafton. Është shifër gati qesharake. Duhen hapur dyert. Nëse nuk i hapim dyert për refugjatët, do t’ia mbyllim Krishtit. Ndëse duam t’ia hapim dyert Krishtit, duhet t’ua hapim edhe refugjatëve. Bashkësia e Shën Egjidit, me korridoret humanitare, na e ka treguar si duhet të veprojmë”. Sipas kreut të Comece-s, disa vende evropiane janë treguar më mikpritëse se të tjerat, në të cilat mungojnë pikat e referimit, rrënjosur në krishterim e në humanizmin evropian.

Kampi i ri i përkohshëm i Morias
Kampi i ri i përkohshëm i Morias

Papa Françesku: Evropa, garanci e pluralizmit

          Së fundi, kardinali Hollerich, kujton se për Papën Françesku, Evropa është garancia e fundit e pluralizmit, që garanton më shumë paqe dhe drejtësi. Jo se gjithçka bëhet në Bashkimin Evropian është e mirë, por pa të gjendja do të keqësohej jo vetëm për Evropën, por për gjithë botën. “Të imagjinojmë që Bashkimi Evropian nuk ekziston: do të mungonte një pikë ekuilibrimi për superfuqitë si Rusia, Kina dhe SHBA-të. Bota – përfundon kardinali Hollerich – ka nevojë për Bashkimin Evropian. Mendoj se Papa e sheh qartë këtë. E është shumë i shqetësuar”.

15 shtator 2020, 08:42