Kërko

Vatican News

Jeronimi: kush është me Katedrën e Shën Pjetrit, është me mua, e unë me të!

Shën Jeronimi la pas një trashëgimi shumë të pasur të penës së tij tejet pjellore. E gjeniale. Veç “Librit të Librave”, Biblës, na la edhe një mori letrash, përshkrimesh e polemikash, që e radhisin në radhët e para të polemistëve, aq sa të tingëllojë edhe sot e kësaj dite aktual. Ndërmjet tyre, fragmenti i një letre drejtuar Papës Damasi, të cilit do t’i shërbente si sekretar personal

R.SH. - Vatikan

Nuk është kurrë vonë të ecësh pas Krishtit… “Zoti e mori hajdutin nga kryqi dhe e çoi në Parriz! E që ndokujt të mos i duket se është tepër vonë të kthehet, njeriun që qe kryqëzuar si vrasës e bëri martir. Pastaj  përqafoi me gëzim djalin plangprishës, që u kthye rishtas. I la delet e shëndosha, për të humburën e, si, Bari i Mirë që ishte, e gjeti, e mori mbi shpatulla dhe e solli rishtas në vathë. Palin, nga persekutues që ishte, e bëri Apostull: sytë e tij njerëzor u verbuan, po shpirti iu mbush me dritë; e pikërisht ai, që i zvarriste dishepujt e Krishtit të lidhur me zinxhirë, para gjykatave të judenjve, i mbarti vetë vargonjtë, për dashuri të Krishtit.
Atëhere? Atëhere, ta kam shkruar edhe një herë tjetër! Në qytetin e Romës e mora petkun  e Krishtit, po tani jetoj në Siri e ndërmjet barbarëve. Mos mendo se po më dënojnë: ia kam caktuar vetes dënimin, që meritoj. Por, siç shkruan një poet pagan - “kush shkon përtej deteve, ndërron qiellin, jo shpirtin”.
Tani armiku nuk më lë për asnjë çast të qetë: këtu, në shkretëirë, po pësoj sulmet më të forta që kam provuar ndonjë herë. Nga njëra anë më sulet zemërimi i arianëve, të mbështetur e të përkrahur nga bota; nga ana tjetër, Kisha është e ndarë në tri pjesë e secila mezi ç’pret të më të tërheqë nga ana e  saj.
Edhe  autoriteti i murgjërëve, që jetojnë këtu për rreth, është kundër meje. Po unë, ndërkaq, vijoj të ngre zërin në kupë të qiellit: “Kush është i bashkuar me Katedrën e Pjetrit, ai është me mua e unë me të!”.

Fragment nga letra drejtuar Papës Damasi nga Shkretëtira e Calcides, në vitin 376-77

30 shtator 2020, 09:46