Kërko

Vatican News

Imzot Arjan Dodaj shugurohet ipeshkëv

Kryedioqeza Tiranë-Durrës, me bekimin e Zotit dhe me gëzim kremtoi sot paradite gjatë Meshës solemne, në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në kryeqytetin e Shqipërisë, shugurimin ipeshkëvnor të Sh. T. Imzot Arjan DODAJ, të cilin Papa Françesku e emëroi më 9 prillin e kaluar Ipeshkëv Ndihmës të Kishës kryedioqezane të Tiranë- Durrësit.

R.SH. - Vatikan

Kryedioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës, me bekimin e Zotit dhe me gëzim kremtoi sot paradite, gjatë Meshës solemne, në ora 10:00  në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në kryeqytetin e Shqipërisë, shugurimin ipeshkëvnor të Sh. T. Imzot Arjan DODAJ F.D.C., të cilin Papa Françesku e emëroi më 9 prillin e kaluar Ipeshkëv Ndihmës të Kishës kryedioqezane të Tiranë- Durrësit.

Meshën solemne dhe ritin e shugurimin ipeshkëvnor e kryesoi Imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit në bashkëkremtim me shumë ipeshkvij nga Shqipëria, trevat shqiptare dhe Italia, në praninë e Nuncit Apostolik në Tiranë, Imzot Charles Brown, të një numri të madh meshtarësh, rregulltarësh e rregulltarësh dhe të popullit të Zotit.

Në kremtimin e shugurimit ipeshkëvnor të ipeshkvit ndihmës të Tiranë-Durrës, imzot Arian Dodaj mori pjesë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, personalitete tjera nga Shqipëria e Kosova, përfaqësues të Komuniteteve fetare të vendit e miq e dashamirë.

Ipeshkvi ri Imzot Arjan Dodaj, lindi në Laç të Kurbinit, në Kryediqezën e Tiranë-Durrësit, më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi kishte kryer shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali. U vendos në Cuneo, ku nisi të punojë.

Më 2007 kërkoi të pranohej në ‘Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit’, pranë Bashkësisë “Shtëpia e Marisë”, në Romë. Në rrugën e përgatitjes për meshtari, nisi studimet e filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.

Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvëndës-famullitar në Famullinë “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë  së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendës famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.

Më 2017, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmës të Shenjtërisë së Tij për Dioqezin e Romës, u transferua si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Mëkëmës i përgjithshëm, Famullitar i famullisë të “Zemrës së Papërlyer  të Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan.

Ipeshkvit të ri  i urojmë punë të mbarë, sipas motos ipeshkëvnore që ka zgjedhur fjalët testament e dhuratë të Jezusit mbi Kryq “Ecce Mater tua!” (“Qe Nëna jote!”), që përkojnë me festën e sotme të Zojës së Dhimbshme, nën hijen e Kryqit të Jezu Krishtit - e pranë Zemrës së Zojës!

Homelia e Imzot George Frendos me rastin e SHUGURIMIT IPESHKVOR TE MONS. ARJAN DODAJ

Më 15 shtator 2020

I dashur Monsinjor Arjan, ke qenë ti që ke caktuar këtë datë për shugurimin tënd si ipeshkëv, dhe ke qenë ti që ke zgjedhur leximet që sapo kemi dëgjuar. Ti vjen nga një Kongregatë rregulltare që ka si emër Casa di Maria (Shtëpia e Marisë). Dhe besoj se kjo ishte një nga arsyet pse ke dashur që shugurimi yt ipeshkvor të kremtohet në një festë në nder të Zojës Mari. Dhe në fakt, Kisha Katolike sot përkujton Zojën Mari të dhimbshme. Ja pse Ungjilli që u lexua tashti foli për Marinë afër kryqit të Jezusit, birit të vet.

Por unë të ftoj të shohesh në këto tri lexime dy gjëra të rëndësishme. Së pari, të shohësh në to një dritë mbi misterin e jetës sate. Së dyti, t’i vlerësosh si program për jetën tënde.

DRITË MBI MISTERIN E JETËS SATE

Një shkrimtar amerikan ka thënë: Life is a mystery to be lived, and not a problem to be solved – Jeta është një mister për t’u përjetuar, dhe jo një problem për t’u zgjidhur. Nëse nuk e pranojmë jetën si mister, atëherë ka vetëm një alternativë: ta pranosh si një absurditet, si ka pohuar filozofi Jean Paul Sartre. Personalisht parapëlqej ta përjetoj jetën time si mister sesa si absurditet.

Leximi i parë u nxorr nga faqja e parë e Librit të Jeremisë profet. Zoti e caktoi të jetë profet. Jeremia nuk ishte aq naiv që ta shikonte këtë mision kinse ishte thjesht një pozitë e veçantë para shoqërisë. Ai e dinte mirë se duhej të qortonte një popull të korruptuar dhe zemërgur. Kishte frikë, edhe për faktin se ishte ende shumë i ri. Zoti e siguroi: “Unë do të jem me ty dhe do të të mbroj”. Erdhi momenti kur Jeremia iu drejtua Zotit me stilin e tij shumë konfidencial, sikur një person flet me një mik të ngushtë, dhe i tha: “O  Zot, pse më joshe për t’u bërë profet në këtë kohë të vështirë për një popull kaq kokëfortë?” Por menjëherë vëren se profeti nuk duhet të kërkojë popullaritet, ose të flasë për t’u pëlqyer njerëzve. Profeti duhet t’i japi popullit atë për të cilën populli ka nevojë, më shumë sesa atë që populli dëshiron.

Por në historinë e Jeremisë shiko, i dashur vëlla, historinë tënde. Ishe shumë i ri kur ke shkuar si një klandestin në Itali. Atëherë, edhe pse mendoje se ishe katolik sepse vije nga një familje me tradita katolike, ende nuk ishe katolik, sepse as ishe pagëzuar. Por a kishe imagjinuar, në atë kohë, se një ditë do të bëheshe prift? Dhe pasi u bëre prift në Romë, a kishe menduar se një ditë arqipeshkvi i Tiranës do të të kërkojë si vikarin e tij? A kishe imagjinuar se një ditë do të gjendeshe para ipeshkvit të kësaj dioqeze që të shugurohesh ipeshkëv?

Rrugët e Zotit janë shumë të çuditshme dhe të paparashikueshme. Por përgjigja jonë duhet të jetë ajo që kemi dëgjuar në Psalmin: “Ja po vij për të kryer vullnetin tënd, o Zot”. Ose ajo që Virgjëra Mari i drejtoi engjëllit: “Unë jam shërbëtorja e Zotit. U bëftë sipas fjalës sate”. Dhe kjo përgjigje e Marisë zbulon sekretin e përshpirtërisë së saj. Tërë jeta e saj ishte një “Po” drejtuar Zotit.

Por shiko “Po-në” e Jezusit, e përshkruar shumë mirë në Leximin e Dytë. Shkrimtari, duke cituar fjalët e Psalmit që kemi dëgjuar, thotë se, duke hyrë në botë, Jezusi tha: “Ti, o Atë, nuk kërkove flitë e kafshëve si flijonin kaherë, por ja, unë po vij për ta kryer vullnetin tënd”. Me fjalë të tjera, flija e Krishtit ishte dëgjesa e tij, kryerja e vullnetit të Atit të tij qiellor, dëgjesa që u përkrye me vetëflijimin e tij mbi kryq.

I dashur vëlla, pas kësaj meshe shumë njerëz do të të urojnë, të japin dorën, të përqafojnë, por ti, që për tre vjet ke qenë shumë afër meje, e di mirë se jeta e ipeshkvit nuk është një muaj mjalti. Dhe kur një ditë dikush do të të keqinterpretojë, ngulit sytë e tu mbi kryqin e Krishtit. Kur dikush ndaj të cilit je treguar bamirës dhe bujar, nuk tregohet mirënjohës, ngulit sytë e tu mbi kryqin e Krishtit. Kur dikush të akuzon si fondamentalist sepse shpall vlerat e vërteta, ngulit sytë e tu mbi kryqin e Krishtit. Kur nga ana tjetër dikush të akuzon si heretik sepse je i ndjeshëm për shenjat e kohërave, ngulit sytë e tu mbi kryqin e Krishtit.

PROGRAM PËR JETËN TËNDE

E tani le të hedhim vështrimin tonë mbi figurën e Zojës Mari si u paraqit në Ungjillin që kemi dëgjuar, dhe shih në të programin për jetën tënde. Ajo është Zoja e Dhimbshme, afër Birit të vet në atë moment shumë kritik. Por pikërisht në atë moment bëhet për ne dhuratë. Është shoqëruar nga apostulli më i ri, Gjoni, i cili në atë moment përfaqësonte njerëzimin. Atëherë Jezusi i thotë: “Ja biri yt”. Dhe duke iu drejtuar Gjonit, Jezusi i thotë: “Ja nëna jote”. Çdo nënë lind fëmijë në dhimbje. Edhe Maria, Nëna jonë, na ka lindur në dhimbje.

Por në këtë tregim sot, dua të theksoj disa aspekte të tjera, që duhet të vlerësojmë në Marinë në këtë ngjarje.

Së pari, përvujtërinë e saj. Maria nuk ishte e pranishme kur Jezusi, në saje të mrekullive që bënte dhe të mësimit të tij, tërhiqte admirimin e morisë aq sa, të habitur, thoshin: “Nga i erdhi atij kjo dituri? Flet me autoritet. Askush askurrë nuk ka folur si ky”. Jo, Maria nuk ishte aty. As ishte aty kur një grua bërtiste: “Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar”. As ishte e pranishme kur moria e madhe e popullit, e ushqyer mrekullisht nga Jezusi me pesë bukë, vendosi ta shpallte mbret. Jo. Por tani, në një moment kur Jezusi është i braktisur nga të gjithë, i dënuar për një vdekje të rezervuar për kriminelët e mëdhenj, tani po, Maria është aty. 

Ajo është gruaja e përvuajtur e një fshati nga i cili, sipas një komenti të njëfarë Bartimeu që pastaj u bë apostull, asgjë e mirë nuk mund të dalë nga ai. Ajo është model përvujtërie. Edhe në Kuran çmohet shumë përvujtëria e saj. Shën Bernardi tha, se në virgjërinë e saj e lindi Zotin, por ishte me përvujtërinë e saj që i pëlqeu Zotit. Le të jetë Maria për ty, i dashur vëlla, model i asaj përvujtërie që të nxit të përsëritësh fjalët e saj: “Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm, i shenjtë emri i tij”. Dhe kujto gjithmonë fjalët e Davidit: “Kush jam unë, o Zot Hyj, dhe ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?” (2 Sam 7, 18). Tregohu gjithmonë i përvujtë, që të jesh gjithmonë i gatshëm për të dëgjuar ankesat dhe dëshirat e meshtarëve, të motrave dhe të besimtarëve.

Por në përvujtërinë e Marisë vështro edhe dy tipare të tjera: besnikërinë dhe kurajon. Që nga momenti kur i tha “po” Zotit, interesat e Jezusit u bënë interesat e saj, deri në vdekjen e Jezusit. Prandaj, me kurajë është afër Jezusit të kryqëzuar. Asnjë apostull, përveç Gjonit, nuk është i pranishëm. Edhe ai që, pak më përpara, i kishte thënë Jezusit: “Jam i gatshëm edhe të vdes për ty”. Por Maria është grua e fortë. Dëgjon zhurmën e çekiçit mbi gozhdat që e lidhën Jezusin në kryq. Dëgjon sharjet drejtuar atij që quhej “Qengji i butë”.

Merr si model shembullin e Jezusit, i cili, në fjalët e Isaisë profet, “nuk e thyen kallamin e copëtuar, nuk e fik fitilin tymues” – me fjalë të tjera, nuk u tkurr të takohej me mëkatarët dhe me të varfërit, me njerëz që ne i etiketojmë si injorantë dhe pa kulturë. Mos harro, se Jezusi e ka bekuar Atin e tij qiellor sepse zbulohet të vegjëlve dhe të përvuajturve. Madje, nga eksperienca ime, të garantoj se do të mësosh më shumë nga ata sesa nga librat.

Në vijim një reflektim i Imzot George Frendos mbi muajin shtator dhe shumë ipeshkvij të Kishës katolike të Shqipërisë.

SHTATORI: MUAJ “IPESHKVOR”?

Vërtetë, ky muaj mund të konsiderohet si muaji ipeshkëvnor në Shqipëri. Më 2 shtator 2017 u shugurua ipeshkëv Mons. Gjergj Meta. Më 7 shtator 2017 u shugurua ipeshkëv Mons. Giovanni Peragine. Më 14 shtator 2017 u shugurua ipeshkëv Mons. Simon Kulli. Më 23 shtator 2006 u shugurua ipeshkëv Mons. George Frendo. Dhe më 15 shtator do të shugurohet ipeshkëv Mons. Arjan Dodaj.

Për këtë arsye ju nxisim të lexoni këtë reflektim të Mons. George Frendos.

IPESHKVI:

Reflektim i shkurtër teologjik

Dy tituj me të cilët shkrimtarët e krishterë e dy shekujve të parë e quajtën ipeshkvin janë: “përfaqësuesi i Krishtit” dhe “pasardhësi i apostujve”. Të parën e gjejmë në letrat e shën Injacit të Antiokisë në fillimin e shekullit të dytë; ndërsa të dytën e lexojmë në shkrimet e shën Ireneut rreth gjysmës së shekullit të dytë.

PËRFAQËSUESI I KRISHTIT

Shën Pali, në Letrën e tij drejtuar Efesianëve, shkruan se Kisha, apo, si e quan ai vetë, “familja e Hyjit”, është ndërtuar “mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka është vetë Jezusi” (2, 20).

Jezusi zgjodhi dymbëdhjetë prej nxënësve të tij, “të cilët edhe i quajti apostuj” (Lk 6, 13). Para se i zgjodhi, e kaloi natën duke u lutur: gjë që tregon rëndësinë e kësaj zgjedhjeje. Fjala “apostull” do të thotë “i dërguari”. Në fakt, apostujt ishin të dërguar nga Jezusi që të flasin, të mësojnë, të shërojnë, të pagëzojnë etj. në emrin e tij. Prandaj ishin me të vërtetë përfaqësuesit e Jezusit. Si Jezusi, edhe ata ishin të dërguar për të shërbyer, dhe jo për të qenë shërbyer.

Si Jezusi, të cilin Shpirti Shenjt e dërgoi për ta shpallur lajmin e mirë (Lk 4, 18), dhe i cili, “me fuqinë e Shpirtit Shenjt”, filloi të mësonte të gjithë (4, 14), ashtu edhe apostujt: për të kryer detyrat e tyre, u duhej të pranojnë dhuratën e Shpirtit Shenjt. Fjalët e Jezusit: “Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”, janë lidhur me dhënien e Shpirtit Shenjt: “Merrni Shpirtin Shenjt” (Gjn 20, 21-22). Dhe fjalët e fundit të Jezusit para se u ngjit në qiell kanë po të njejtë kuptim: “Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt .... dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi” (Vap 1, 8).

PASARDHËSI I APOSTUJVE

Referim për apostujt në Ungjijt bëhet nëpërmjet fjalës “të dymbëdhjetët” – fjalë që tregon se apostujt formonin një bashkësi (kolegjium). Kjo nuk do të thotë se të gjithë anëtarët e këtij kolegjiumi ishin njëlloj dhe barabartë. Pozita e veçantë e Pjetrit brenda kësaj bashkësie del në pah në Mt 16, 18: “Ti je Pjetër-Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!”; dhe në Lk 22, 32: “Unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoj vëllezërit tu.”

Por vetë apostujt zgjodhën ndihmës për punën e tyre për të predikuar dhe udhëhequr komunitetet. Ashtu Pali caktoi dhe dërgoi Epafroditin tek Filipianët, si “bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar” (Fil 2, 25). Të parëve të Kishës së Efesit Pali u thotë: “Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. Udhëheqni Kishën e Hyjit” (Vap 20, 28).

Në Kushtetutën Dogmatike mbi Kishën (Lumen Gentium) e Koncilit të Vatikanit II, në n. 20 ekzistenca e urdhërit ipeshkvnor shtjellohet përmes karakterit e mesazhit ungjillor: “Dërgim hyjnor që Krishti ua besoi apostujve do të qëndrojë gjer në të sosur të botës (krah. Mt 28, 20), sepse Ungjilli që do ta predikojnë ata, për Kishën është fillimi i mbarë jetës së saj në çdo kohë. Për këtë apostujt në këtë shoqëri të rregulluar si hierarki kishin kujdes t’i caktonin pasardhësit.”

Thashë se, për t’i kryer detyrat e tyre, apostujve u duhej ndërhyrja e Shpirtit Shenjt. Prandaj, që nga fillimi, duke caktuar bashkëpunëtorët, apostujt përdornin një rit liturgjik, që përfshinte vënien e duarve dhe një lutje. Pali e nxit Timoteun me këto fjalë: “Mos e lë pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në sajë të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjit të pleqve” (1 Tim 4, 14). Dhe përsëri: “Të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në sajë të vënies së duarve të mia” (2 Tim 1, 6).

Koncili, në Kushtetutën sipërpërmendur, vazhdon duke thënë se kolegjiumi i apostujve, me dhe nën Pjetrin, korrespondon kolegjiumit i ipeshkvinjve me dhe nën Papën si pasardhësin e Pjetrit: “Sikurse sipas vullnetit të Zotit shën Pjetri dhe apostujt tjerë përbëjnë një të vetmin kolegjium apostolik, kështu në mënyrë të ngjashme janë të lidhur Kryeipeshkvi i Romës, pasardhësi i Pjetrit, dhe ipeshkvijtë, pasardhësit e apostujve në mes tyre” (n. 22).

Kur dioqeza kremton e përvjetorit e shugurimit e ipeshkvit të saj, ky përkujtim dallohet nga përkujtimet e tjera që bën çdo shoqëri gjatë vitit (si kur kremtojmë ditën e çlirimit apo ditën e pavarësisë). Përvjetori i shugurimit të ipeshkvit është rasti për të kremtuar bashkimin tonë si Kisha vendase dhe ftesa për t’u lutur për bariun e dioqezës i cili është thirrur për të shërbyer këtë kishë në emrin e Krishtit Profet, Meshtar, dhe Mbret.

Mons. Gjergj Frendo O.P.

15 shtator 2020, 13:41