Kërko

Ipeshkvi i Sapёs Imzot Simon Kulli me don Giovanni Fiocchi e meshtarё tjeraё, nё Pukё, 30 gusht 2020 Ipeshkvi i Sapёs Imzot Simon Kulli me don Giovanni Fiocchi e meshtarё tjeraё, nё Pukё, 30 gusht 2020 

Dioqeza Sapës falënderon don Giovanni Focchi pёr shërbimin 22 vjeçar nё Pukë

Dioqeza e Sapёs falënderon misionarin italian dom Giovanni Fiocchi për shërbimin 22 vjeçar që i dhuroi Shqipërisë, dioqezës së Sapës, siç tha imzot Simon Kulli "në këtë vend të varfër dhe në këtë popull të vuajtur", duke i uruar mision të mbarë në dioqezën e origjinës sё tij, Cremona.

R.SH. - Vatikan

Dioqeza e Sapёs falënderon misionarin italian dom Giovanni Fiocchi për shërbimin 22 vjeçar që i dhuroi Shqipërisë, Kishes dioqezane të Sapës,  siç tha imzot Simon Kulli "në këtë vend të varfër dhe në këtë popull të vuajtur", duke i uruar mision të mbarë në dioqezën e origjinës sё tij, Cremona.

Krahas misionit te zellshёm e dёshmisё meshtarake, aktualish kujtojmё se, së bashku me Mons Simon Kullin, mbështetjen e Nuncit Apostolik në Shqipëri, Imzot Charls John Brown, me dëshirën e don Giovanni Fiocchi po ndërtohet Kisha e re në qytetin e Pukës dhe në fshatin Rrape.

Mesha e falenderimit Zotit për shёrbimin Dom Giovannit u kremtua nga ipeshkvi i Sapёs imzot Simon Kulli, më 30 gusht 2020, organizuar nën kujdesin e zv. famullitarit dom Zef Marku në bashkëpunim me motrat e Nënë Terezes dhe me besimtarë tё Pukës. Pas kremtimit të Meshës Shenjte, të rinjtë e famullisë shfaqen një program të vogel artistik në shenjë mirënjohjeje për dom Giovanin. Mes të tjerash ishte dhe një video e realizuar me fotografi gjatë viteve të misionit të tij në Pukë. Po më hollësisht nga Vau-Dejë të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Nga Vau-Dejë të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit

LAMTUMIRË MISIONIT NË SHQIPËRI

Meshë falenderimi për misionarin dom Giovanni Fiochi

Ditët e fundit të gushtit ndërsa shënojnë mbylljen e një stine vere, shënuan edhe përfundimin e misionit 22 vjeçar të misionarit të zellshëm italian, dom Giovanni Fiocchi, në dioqezën e Sapës.

Nën kujdesin e zv. Famullitarit dom Zef Marku në bashkëpunim me motrat e Nënë Terezes dhe me besimtarët e Pukës, u mbajt Mesha e falenderimit për Dom Giovannin me datën 30 gusht 2020. Me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve nga të gjitha zonat e Pukës, mesha e shenjtë u udhëhoq nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë.

Gjatë predikimit të rastit, Imzot Simoni theksoi se: “në radhë të parë, kremtoj Meshën e falënderimit ndaj të Madhit Zot, për të gjitha dhuratat që na i ka dhuruar deri më sot, por njëkohësisht edhe të falënderimit ndaj Dom Gjovanit, për punën dhe misionin e tij 22 vjeçar në aspektin baritor të kujdesit ndaj kësaj bashkësie famullitare dhe të shumë fshatrave për rreth, në zonën e Pukës. Mendoj se ti dom Gjovani, vërteton dhe dëshmon për këto fjalë me shërbimin tënd meshtarak shumë vjeçar 22 vite, në këtë vend të varfër dhe në këtë popull të vuajtur. Jezu Krishti thotë: “Kështu le të ndriçojnë veprat tuaja para njerëzve që ti shohin veprat e mira dhe ti japin lavdi Atit që është në qiell!” E duke vazhduar më tej, ipeshkvi vuri në dukje se flasin veprat, flet ajo dashuri e Krishtit e cila të nxiti që të vish dhe të punosh në këtë vend jo të lehtë por shumë të vështirë, me një dashuri dhe thjeshtësi të paparë! Faleminderit për shembullin e këpucëve tuaja të shqyera dhe veshjeve jo luks,............... ! Të falënderoj  nga zemra për punën që e kë bërë për mundin dhe dashurinë e treguar duke e ndërtuar bashkësinë e krishterë me shpalljen dhe mësimin e Fjalës së Hyjit, duke kremtuar Eukaristinë dhe ndarë sakramentet, pa kursyer energjitë tuaja në shërbim të misionit të Kishës në popullin tonë shqiptar, në këtë tokë martire! Faleminderit për çdo kujdes ndaj të varfërve dhe të sëmurëve, për çdo shërbim, për çdo dashuri! – përfundoi Imzot Simoni Me urimin që ti shërbejë Krishtit e kishës së Tij edhe për shumë e shumë vite të tjera, u bashkuan të gjithë të pranishmit, ku shkëmbyen edhe përshëndetjet miqësore me dom Giovannin.

Menjëherë pas kremtimit të meshës Shenjte, të rinjtë e famullisë shfaqen një program të vogel artistik në shenjë mirënjohjeje për dom Giovanin. Mes të tjerash ishte dhe një video e realizuar me fotografi gjatë viteve të misionit të tij në Pukë.

Dom Giovanni Fiochi vjen nga dioqeza e Cremona Itali. Lindi me 10 nëntor 1959 në Cassano D’Adda të Milanos. Me 18 qershor të vitit 1983 u shugurua meshtar. Menjëherë pas shugurimit u emërua zv.famullitar në famullinë e Shën Jozefit në Cremona, duke vazhduar më vonë edhe në famullinë Shën Maria Asunta. Ndërsa ishte me këtë detyrë, jepte mësim edhe në shkollat religjiose të dioqezës së tij. Pas 13 vitesh meshtarë, dom Giovanni niset për një mission të ri në një tokë ende të panjohur dhe erdhi në Shqipëri. Ishte data 13 dhjetor e vitit 1998, kur vizitoi për herë të parë vendin e shqiponjave. Dhe pas qëndrimit 3 javor në Shkodër, Ipeshkvi i asaj kohe e vendosi përkohësisht në Pukë. Dhe që nga ai moment, dom Gjovani vendosi që të shërbente në këtë famulli dhe zonat përreth. Fillimet ishin të vështira, por me ndihmën e Zotit arriti që ta ndërtonte këtë famulli së pari nga ana shpirtërore pastaj edhe për nevojat e objekteve të kultit. Së bashku me Mons. Dodë Gjergjin dom Giovanni ishte ndër strukturat kryesore të organizimit dhe drejtimit të Dioqezës së Sapës, ku për tre vite kreu detyrën e Drejtorit të Caritasit Dioqezan, dhe hapjen e kursit të Agrikulturës në famullinë e Pistullit.

Dom Giovanni shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ipeshkvinjtë e Sapës, duke filluar që nga Mons. Massafra, Mons. Dodë Gjergji, Mons. Lucjan Avgustini dhe aktualisht Mons. Simon Kulli, tek të cilët ka gjetur mbështetjen dhe bashkëpunimin për të vazhduar misionin e tij deri në ditët e sotme. Gjatë gjithë misionit të tij 22 vjeçar në zonën e Pukës, dom Giovanni nuk e kurseu veten përballë asnjë sakrifice, por edhe me gjithë terrenin e vështirë që të ofron kjo zonë, ai ishte i kundogjendur për çdo nevojë të besimtarëve qofshin ato edhe më të largët.

Edhe së fundmi, së bashku me ipeshkvin, Mons. Simon Kulli, dhe mbështetjen edhe të Nuncit Apostolik në Shqipëri, Imzot Charls John Brown, me dëshirën e tij, po ndërtohet Kisha e re në qytetin e Pukës dhe në fshatin Rrape. Faleminderit Dom Giovanni për vitet e shërbimit tënd që i dhurove Shqipërisë, Dioqezës së Sapës. Të urojmë mision të mbarë në dioqezën e origjinës tënde. Zoti ta shpërbleftë!

Violeta Marashi

02 shtator 2020, 13:39