Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra e Jakobit, të varfrit e shfajësimi

Vijojmë edhe sot me komentin e Letrës së Jakobit e pikërisht me kapitullin e dytë të saj, ku kritikohen ata, që e dëshmojnë fenë vetëm në dukje e madje e shfrytëzojnë atë për qëllime personale. Reflektohet gjithashtu, edhe për marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe veprave. Bazohemi gjithnjë në librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Fillimi i kapitullit II është thjesht fenomenal për mënyrën me të cilën Jakobi tallet me hipokritët, që e përziejnë fenë me favoritizma personale, duke arritur deri sa t’i akuzojë për vrasje ata, që i përbuzin të varfrit dhe i braktisin në fatin e tyre. Toni i letrës bëhet tejet i ashpër e kështu, arrijmë të kuptojmë ç’ishte feja për Jakobin:

“Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan? E ju e përbuzët skamnorin!” (Jak 2,5-6)

 Jakobi nuk i toleron aspak ata, që mendojnë se të varfrit nuk i përkasin fesë, por kanë të bëjnë vetëm me lëmoshë e bamirësi. Zoti i zgjodhi që njerëzit t’i duan e, vetëm duke i dashur të varfrit mund të respektohet ligji i Tij. Të mos e ndihmosh të varfrin do të thotë ta vrasësh atë! Këto fjalë na kujtojnë mjaft retorikën paoline. Në Letrën e parë drejtuar Korintasve, Apostulli i Popujve shkruan:

“Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time… por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!” (1 Kor 13,3).

 Në Letrën e Jakobit kemi dy linja, që ecin paralelisht: sinqeriteti i ndjetit dhe siguria e veprimit. Duke ndjekur fjalët e profetëve dhe ato të Jezu Krishtit në Ungjill, dashuria për të varfrit, sipas Jakobit, është thelbi e shpirti i fesë së vërtetë:

“S’ka dyshim, në qoftë se e zbatoni ligjin mbretëror si thotë Shkrimi Shenjt: ‘Duaje të afërmin tënd si vetveten!’, atëherë bëni mirë. Por, në qoftë se ju i mbani anë ndokujt, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës të ligjit. Sepse, ai që e mban krejt ligjin, por e prish vetëm në një pikë, bëhet fajtor i tërë ligjit. Sepse, Ai që tha: ‘Mos bëj kurorëthyerje!’, tha edhe: ‘Mos vra!’” (Jak 2,8-11).

Për Jakobin, ta përbuzësh të varfrin do të thotë ta çosh atë drejt vdekjes. Ta vrasësh! E këtu, ai arrin të formulojë një shprehje vendimtare për të kuptuar idenë e tij mbi Ligjin:

“Flitni ashtu dhe ashtu veproni si ata që do të gjykohen me ligjin e lirisë! Sepse, gjyqi nuk ka mëshirë për atë që nuk është i mëshirshëm; mëshira ngadhënjen mbi gjyqin” (Jak 2,12-13).

Pse kjo shprehje? Shumë studiues mendojnë se Jakobi e ka me shën Palin e me polemikën e tij kundër ligjit e nënshtrimit, drejt të cilit mund t’i çonte besimtarët. Sigurisht, të ngjallet një dyshim për këtë, pasi kapitulli i dytë i Letrës së Jakobit duket sikur e kundërshton doktrinën paoline të shfajësimit a të justifikimit përmes fesë.

 Por, ndoshta, është më e drejtë të mendojmë se ai ishte kundër atyre, që e patën ekstremizuar e bërë iluzore intuitën paoline. Megjithëse, afërmendsh, një njeri si Jakobi ka shumë mundësi të mos ishte dakord me shprehjet më të guximshme e më të rrezikshme, të cilat i përdorte nganjëherë shën Pali në Letrat e tij.

Ligji i lirisë e feja e pastër, në Jakobin, janë e njëjta gjë! Respektimi i shterpët i rregullave e normave, duke e harruar mëshirën, edhe për të është iluzion e skllavëri. Për Jakobin, i lirë është ai, që fiton mbi tundimin, që nuk është viktimë e iluzioneve dhe e zbaton atë, që dëgjon.

Është interesante të vërejmë se kur Jakobi diskuton me ata, që e ekstremizojnë doktrinën e shfajësimit përmes fesë, nuk përmend “veprat”, pra, respektimin e normave të Ligjit. Rrethprerja, të shtunat, agjërimet, ushqimet… gjithçka e ngjashme me këto as që duket aspak në Letër; për Jakobin, “veprat” janë vetëm ato të bamirësisë për të varfrit:

“Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur, ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: ‘Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!’, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?! Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete” (Jak 2,15-17).

Prandaj, Jakobi e përfundon kapitullin II duke thënë se njeriu shfajësohet mbi bazën e veprave e jo vetëm mbi bazën e fesë. E ja thelbi i çështjes: “jo vetëm”! Për të kuptuar rëndësinë e kësaj fjale u deshën 550 vite e më në fund, katolikët e protestantët arritën në deklaratën e përbashkët mbi doktrinën e shfajësimit a të justifikimit… Ka të drejtë Jakobi kur thotë se “feja pa vepra është e vdekur” e mbetet thjesht, një iluzion shpirtëror. Por këtë thotë edhe shën Pali në Letrën drejtuar Galatasve, ku shkruan: “Në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por - feja që vepron me dashuri” (Gal 5,6).

24 shtator 2020, 08:49