Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra e Jakobit, kapitulli i parë

Letra e Jakobit, të cilën filluam ta komentojmë javën e kaluar, na jep mundësinë ta njohim nga afër mendimin e bashkësisë së parë judeo-kristiane, ta krahasojmë atë me mendimin paolin e t’i japim përgjigje pyetjes: cili prej të dyve është më afër mendimit të Jezu Krishtit? Vijojmë edhe sot reflektimin, gjithnjë duke u bazuar në librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Letra e Jakobit fillon me një përshëndetje të thjeshtë, por që jep menjëherë një këshillë:

“Çmojeni si gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’ju ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie” (Jak 1,2).

Nëse kërkojmë në këtë Letër teologji apo fjalë të ndritura mbi misterin e Krishtit, ndoshta, është mirë të shohim diku tjetër. Jo se autorit i mungojnë mjetet për këtë, pasi greqishtja e kësaj Letre, siç thonë studiuesit, është tejet e bukur dhe njohja e Shkrimit Shenjt është vërtet e thellë, por bien në sy disa veçori: emri i Jezusit përmendet vetëm dy herë, Hyji Atë tri herë, ndërsa Shpirti Shenjt vetëm një herë. Ndodhemi para një nxitjeje morale, me tipare befasuese, por jo para një shkrimi teologjik.

 Duke dëgjuar urdhra, qortime e ftesa, kemi përshtypjen, pa pritur, se i kemi hasur diku këto fjalë. Kujtohemi për “Jezusin, vëllain e Jakobit”, që fliste në këtë mënyrë, që i donte fort fjalët e drejtpërdrejta, me ngjyrime të shumta e tejet të gjalla, të cilat synonin ta preknin dhe ta shtangnin bashkëbiseduesin, për ta shndërruar në njeri të ri.

Ashtu si Jezusi, edhe Jakobi shqetësohet për veprimet e pa dyshim, nuk e ndjek shën Palin në teologjinë e tij të shfajësimit apo justifikimit, ose në kritikën për veprat e Ligjit. Nevralgjike për të është besnikëria në sprovë dhe integriteti në ndjekjen e rregullave të fesë.

“Prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë. Por qëndresa le të ushtrohet me përpikmëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete” (Jak 1,3-4).

Autori nuk jep shpjegime të tjera e menjëherë u thotë besimtarëve ç’duhet të kërkojnë në lutje: urtinë.

 E pse pikërisht urtinë?

 Ja çfarë shkruan për ata, që nuk i kërkojnë Zotit, “me fe”, urtinë:

  “Ai që dyshon i përngjan valës së detit, që e çon peshë era dhe e përplas. Njeriu i tillë të mos mendojë se do të marrë gjë prej Zotit - njeriu me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e veta” (Jak 1,6-8).

Që këtej, mund të krijojmë një ide mbi Jakobin, të Drejtin: njeri i qëndrueshëm, rigoroz, i pathyeshëm. Letra e tij na zbulon kujdesin e jashtëzakonshëm ndaj sjelljeve të moralshme, që shihen si kartë identiteti për pastërtinë e fesë. Ai s’ka nevojë të gjejë argumente, si shën Pali, ta gjykojë e ta justifikojë vazhdimisht doktrinën e vet; nuk bën kurrë hartime të guximshme teologjike apo rrëfime interesante të brendshme. Jakobi është i thjeshtë, pa lajle-lule, thelbësor e, në leximin e parë, mund të duket edhe disi i pagdhendur. Por nuk është ashtu, sepse ai e ka “bluar” mirë Ungjillin, prandaj, kur e lexon, të duket se dëgjon jehonën e fjalëve të Jezu Krishtit.

Tema që ka më për zemër Jakobi ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Vetëm në këtë Letër, gjejmë jehonën më të thellë të fjalëve të Krishtit, që ua kushtoi të varfërve kumtin dhe veprën e Tij. Mënyra me të cilën trajtohet çështja na kujton shëmbëlltyrat ungjillore dhe urtinë e disa psalmeve:

“Pasaniku le të mburret për përvujtërimin e tij, sepse do të mbarojë porsi lulja e barit. Lindi dielli me vapën e vet, e thau barin dhe lulja e tij u vyshk: hijeshia e fytyrës u zhduk. Kështu do të thahet edhe pasaniku në ndërmarrjet e veta” (Jak 1,10-11)

Kjo temë paraqitet këtu për t’u trajtuar edhe më vonë, pasi autori dëshiron që ajo ta përshkojë krejt Letrën. E në kapitullin e parë flet edhe për tri tema të tjera: tundimi e mëkati, dëgjimi i Fjalës së Tënzot, feja e pastër. Jakobi argumenton pa doreza e pa dyshim arrin të jetë i qartë dhe i mprehtë. Ja disa nga pohimet qendrore të kapitullit të parë:

“Hyji nuk tundon askënd. Por secili tundohet nga lakmimi i vet” (Jak 1,13-14).

 “Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. Ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë - e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do ta gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij” (Jak 1,22.24).

“Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë” (Jak 1,27).

Në Letrën e tij, Jakobi synon të luftojë kundër një feje sa për sy e faqe. E këtë e bën energjikisht, në kapitullin e dytë, kur duke nxjerrë në pah aftësitë e tij të padyshimta dialektike, përpiqet t’ua çjerrë maskën atyre, që ndjekin një fe sa iluzore, aq edhe të shterpët. Por këtë do ta shohim në emisionin e ardhshëm.

17 shtator 2020, 08:19