Kërko

Vatican News

Asia Bibi: t’i jepet fund dramës së vajzave të vogla, martuar me zor

Gruaja pakistaneze, e intervistuar në lidhje video nga drejtori i “Ndihmë për Kishën që vuan”, falënderon Papën Françesku për afërsinë dhe mbështetjen e tij. Ndërkaq, një i krishterë tjetër pakistanez, pas një procesi gjyqësor 7-vjeçar, është dënuar me vdekje për blasfemi.

R.SH. - Vatikan

I duhet dhënë fund dramës së “nuseve fëmijë”. Kërkesa vjen e fuqishme nga Asia Bibi, gruaja pakistaneze, simbol i vuajtjeve të persekutimit kundër të krishterëve, që u lirua para një viti, pas burgosjes për blasfemi. Gjatë një interviste video me drejtorin e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” (ACS), Alessandro Monteduro, ajo kujton dramën e shumë vajzave të vogla në Pakistan, që rrëmbehen, kthehen me forcë në myslimane dhe detyrohen të martohen me rrëmbyesit e tyre.

Dy emra, ndërmjet shumë të tjerëve - Huma Younus dhe Maira Shahbaz – janë në qendër të një fushate ndërgjegjësimi të vetë Fondacionit. Asia Bibi u kërkon shprehimisht autoriteteve pakistaneze t’i ndihmojnë vajzat që “asnjëra prej tyre të mos vuajë”. Por, në intervistën e saj, shkon edhe më tej. I drejtohet kryeministrit të Pakistanit, Imran Khan, që të impenjohet personalisht në garantimin e lirisë fetare për të gjithë e sidomos, në mbrojtjen e pakicave. Thërret në ndihmë për këtë themeluesin e Pakistanit, Ali Jinnah, që theksonte se të gjithë qytetarët duhet të gëzojnë “lirinë e fesë dhe të mendimit”.

Falënderimi për Papën Françesku

Gjatë lidhjes me video (publikuar në kanalin YouTube të ACS Italia), nga shtëpia e saj në Kanada, ku strehohet pas lirimit nga burgu, Asia Bibi shpreh sërish mirënjohjen për Papën Françesku. “Kam dy rruzare dhuruar nga Ati i Shenjtë”, tregon ajo, “njëra mbeti në Pakistan e tjetrën e kam me vete. Them çdo ditë rruzaren për fenë dhe për të persekutuarit në Pakistan. Falënderoj Atin e Shenjtë dhe Papën Benedikti, që ndërhynë për mua”. Natyrisht, nuk mungon mirënjohja edhe për Fondacionin “Ndihmë për Kishën që vuan” e për të gjithë besimtarët, që u lutën për të e për lirimin e saj. Së fundi, dëshira për të takuar personalisht Papën Françesku, “që na përforcon në fe”, thotë gruaja pakistaneze, duke iu përgjigjur ftesës për të ardhur në Romë me gjithë familjen.

Rast tjetër: një i krishterë dënohet me vdekje për blasfemi

Ndërkaq, avokati që e asistoi në procesin për blasfemi, i cili e shpalli, së fundi, të pafajshme, është i impenjuar tani me një rast tjetër. Një i krishterë pakistanez, pas një procesi gjyqësor 7-vjeçar, është dënuar me vdekje për blasfemi. Avokati, si në rastin e Asia Bibit, i është drejtuar Gjykatës së Apelit.

09 shtator 2020, 10:38