Kërko

1280px-Pietro_Perugino_cat13e.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXI të vitit liturgjik

Sa herë në jetë, pjesa ungjillore e sotme, marrë nga kreu 16 i shën Mateut, na ka dhënë forcë e shpresë! Sa herë, kur i kemi drejtuar sytë kah Papa i Romës e kemi dëgjuar fjalën e tij, kemi ndjekur me besim pikërisht fjalët e Jezusit në këtë Ungjill të së dielës XXI të vitit kishtar: “Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time”. E sa herë jemi trimëruar si të krishterë me premtimin e Jezusit: “dyert e ferrit nuk do të ngadhnjejnë”. Pikërisht në këtë pjesë ungjillore gjejmë një nga gurthemelet e Kishës dhe të fesë së krishterë. Ta ndjekim…

R.SH. - Vatikan

13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” 14 Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë”. 15 “Po ju - u tha atyre - ç’thoni: kush jam unë?” 16 Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia - Biri i Hyjit të gjallë!” 17 Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! 19 Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell”. 20 Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.

Të lutemi së bashku:

Ai, Simoni, biri i Jonës,

të njohu si Mesi,

si i Shumëprituri, si Biri i Zotit të gjallë.

E ti, o Jezus, e quajte “shkëmb”,

guri mbi të cilin do të ndërtohej Kisha jote.

Ti e di sa i brishtë do të ishte ky shkëmb

pikërisht në çastin kur

duhej të kishte dhënë provë

për qendresën e tij para stuhive,

për guximin para keqdashjes,

për besnikërinë pa hije dyshimi.

E megjithatë, Ti nuk hoqe dorë prej tij,

as ia llogarite mundësitë

apo virtytet a kompetencat,

por fenë e tij, atë fe

që e bëri të flasë atë ditë,

atë fe, që do ta mbështesë

kur të ndihet ngushtë e i brishtë,

plot frikë e do të Të mohojë tri herë me radhë.

E njëjta gjë vlen edhe për ne, o Zot.

Nëse i lë në duart tona thesaret e tua të paçmuara,

duke mos marrë parasysh mëkatet e plogështinë tonë,

e bën, sepse e sheh besimin që kemi në Ty,

dashurinë, që na lidh me Ty.

E shi për këtë, na largohet trishtimi

e mbushemi me gëzim që jemi

një mjet i varfër në duart e Tua.

22 gusht 2020, 08:27