Kërko

 Gjon Pali II, shtegtar te Kisha e Zojës Gjon Pali II, shtegtar te Kisha e Zojës 

Shtegtim tek Zoja e Këshillit të Mirë

“Shtegtimi drejt shenjtëroreve” na çon sot përsëri në veri të Shqipërisë, tek Shenjtërorja Kombëtare e “Zojës së Këshillit të Mirë”, dy herë e rrënuar e dy herë e rindërtuar, me gurin e parë të themelit të ri, të vendosur nga Shën Gjon Pali II.

R. SH. - Vatikan

Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur si Kisha e Zojës, kushtuar kultit të Zojës nga bashkësia katolike e Shkodrës, ndodhet rrëzë kodrës, mbi të cilën ngrihet Kështjella mitike Rozafa,  ndërtuar në kohët legjendare, kur në themele bëheshin flije njerëzore. E pikërisht fryma e flijimit ndjehet fort në atmosferën që rrethon Kështjellën lart, e Shenjtëroren poshtë saj. Kështjellën, në themelet e së cilës gojëdhëna rrëfen se u muros një nuse e re. Që muret t’u bënin ballë rrebesheve të kohës. Ashtu si Kisha poshtë saj, mbi të cilën u dyndën shumë stuhi të rrepta. U rrënua dy herë. E po aq edhe u rindërtua. Së pari, nga pushtuesit turq...  

Rrënoja, cak lutjesh në shekuj

Tek vendi ku lartohet Shenjtërorja, para vitit 1917 ishin ca mure të vjetra, ku besimtarët katolikë vijonin të shtegtonin e t’i luteshin Zojës së Këshillit të Mirë, që besonin se nuk ishte larguar kurrë nga shtëpia e saj shkodrane. Ishte larguar figurja - e dinin - ashtu si e dinin se qe ndalur në Gjenacan të Italisë. Po Zoja ishte aty. E ndjenin. E vegonin. I luteshin. Fitonin prej Saj hire mbi hire!

Kështu të krishterët. Ndërsa besimtarët myslimanë i mbanin rrënojat si mbetje të një teqeje bektashiane. Ndoshta nga që Farlati pohon se në atë mjedis, në shekullin XVIII, ishte një teqe dervishësh. E ngritur, sigurisht, mbi muret e lashta të Kishës. Pasi muret u bënë pretekst grindjesh, administrata osmane u detyrua t'i bllokonte për një periudhë të pacaktuar. Me kohë u formua një komision nga të dy palët për ta shqyrtuar çështjen. Nga anëtarët e komisionit sot njihen vetëm emrat e dy anëtarëve: Jusuf efendi Golemi dhe Shani i Dedëjakupëve. Pas vendimit të komisionit, besimtarët katolikë u lejuan të shkonin për të bërë lutjet e tyre personale! E nisën edhe shtegtimet, që  nuk u ndërprenë më kurrë. E njëjta e drejtë iu dha edhe myslimanëve, që  besonin se aty kishte qenë një teqe.  

Gjatë Luftës së Parë Botërore, më 1917, kur qyteti ishte në dorë të austro-hungarezëve, kleri katolik, me përkrahjen e administratës austriake, nisi rindërtimin e kishës. Protestat e disa individëve myslimanë që u bënë para Ministrisë së Luftës në Vjenë kundër këtij vendimi arbitrar për të ndërtuar kishën mbi rrënojat e mureve të kontestueshme, nuk u përfillën. Kisha kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë rilindi në vitin 1930. Më 1922 u varros aty arqipeshkvi i Shkodrës Jak Serreqi, për meritën së kishte vënë gurin e parë të ndërtimit më datën 25 mars 1917. Për t’u zhvarrosur, më pas  nga regjimi komunist e për t’u flakur në lumin Drin.

Rilindje!

Më 1946, pas marrjes së pushtetit nga komunistët, mbi dy mijë vetë morën pjesë në shtegtimin për tek kisha. Jo shumë kohë më pas, u shemb krejtësisht. Për t’u rindërtuar pas rënies së komunizmit, më 1993. E Zoja premtoi që gurin e themelit të shenjtërores se re ta vinte një shenjt: Gjon Pali II. A nuk ndjehet fort fryma e mrekullisë në këtë bekim, që të rikujton gurin e parë të Kalasë, e cila të duket se është aty, në majë të Kodrës, pikërisht për ta ruajtur Kishën poshtë, që askush të mos guxojë më t’i prekë themelet e saj te hedhura nga një Shenjt! E shtegtarët e panumërt që shtegtojnë me rruzare në dorë e shpesh, si dikur, zbathur. Për ndjet!

21 gusht 2020, 09:05