Kërko

Vatican News
 Zoja e Guadalupes - mozaik Zoja e Guadalupes - mozaik 

Shtegtim te Zoja e Guadalupes, "Trëndafili i Meksikës”

Në emisionin e pestë të rubrikës “Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, vijojmë vizitën në shenjtëroret mariane, nëpër botë. Sot arrijmë në Guadalupe për t’u lutur tek këmbët e Marisë, të cilën popujt e Amerikës Latine e quajnë ‘Trëndafili i Meksikës”, “Zoja e qiellit”, “Virgjëra zeshkane”, “Nëna e Tepejakut”, “Indiania e fisme”.

R. SH. - Vatikan

Kremtohet më 12 dhjetor, nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën. Papët e quajtën Zojën e Guadalupes “Zojë të Meksikës”, “Pajtore qiellore e Amerikës Latine”, “Nënë e Perandoreshë e Kontinentit latino-amerikan”.  Kёshtu, Zoja e Guadalupes, pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë edhe sot pikë e sigurt referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare e për mbarë Amerikën Latine.

Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen: "Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë!”.

Gjunjëzohemi edhe ne sot, në shtegtimin tonë virtual, njëherësh  me mijëra shtegtarë nga mbarë bota, para figurës së Zojës, për të vënë në duart e saj zemrën tonë e të mbarë Kishës. Lutemi e kujtojmë vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari deshi t'i dukej papritmas Huan Diegos, fshatarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Huan Diegos la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.

Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin. Bazilika, që na kujton këtë ngjarje, e ku po shkelim sot virtualisht së bashku, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zoja e Bekuar, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Huan Diego, një ndër vendasit e parë të kthyer në fenë e krishterë.

Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh" "Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës"; më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në të hyrë të Bazilikës shikojmë si shpalosen 24 flamujt e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve.

Duke pasur parasysh dëmtimet e rënda që kishte pësuar bazilika e vjetër nga tërmetet e herë pas hershme, Konferenca Ipeshkvnore vendosi të ngrinte një shenjtërore të re: guri i saj i parë u vendos më 12 dhjetor 1974. Mbi këtë gur do të lartohej shenjtërorja që po e vizitojmë sot së bashku, e cila i ngjet çadrës që Moisiu ngriti në këmbët e malit Sinai sipas urdhrit të Zotit.

Festa e Zojёs sё Bekuar tё Guadalupes na kujton vizitën e Zojës Mari, që erdhi t’i takojë banorët e trojeve meksikane, përmes takimit me një indios të thjeshtë, tashmë shenjt, Huan Diegon. 

Në atë agim të dhjetorit 1531, bëhej mrekullia e parë, që pastaj, do të ishte kujtesa e gjallë e gjithçkaje, që ruhet në këtë shenjtërore. Atë agim, në atë takim, Zoti rizgjoi shpresën e birit të vet, Huanit, shpresën e Popullit të vet. Në atë agim, Zoti rizgjoi e rizgjon shpresën e më të vegjëlve, më të vuajturve, të të shpërngulurve e të të mënjanuarve, të gjithë atyre, që ndjejnë se nuk kanë një vend të denjë mbi këto troje. Në atë agim, Zoti iu afrua dhe i afrohet zemrës së vuajtur, por të fortë, të sa e sa nënave, baballarëve, gjyshërve, që i kanë parë bijtë të nisen, i kanë parë të humbur e madje, edhe në duart e kriminalitetit.

Në atë agim të veçantë, kur iu duk Zoja, Huan Diego provoi ç’është shpresa, ç’është mëshira e Zotit. Ndjehej krejtësisht i papërshtatshëm për të ndërtuar shenjtëroren, që i kërkonte Shën Maria, së cilës ia shprehu mëse një herë këtë dyshim, sepse ai ishte i pashkollë e i padalë, por Zoja s’pyeti dhe e zgjodhi si lajmëtarin e saj. Kjo do të thotë se jo vetëm në ndërtimin e shenjtërores materiale, por edhe të asaj tjetrës, të shenjtërores së jetës, të bashkësisë, të shoqërisë e të kulturës, askush nuk mund të përjashtohet e të gjithë janë të nevojshëm.

Shenjtërore e Zotit është jeta e bijve të Tij, e të gjithëve e në të gjitha kushtet, në veçanti e të rinjve pa të ardhme, ekspozuar para një morie gjendjesh të dhimbshme, të rrezikshme, është jeta e të moshuarve të pavlerësuar, të harruar në shumë skuta. Shenjtërore të Zotit janë edhe familjet, të cilat kanë nevojë për minimumin e nevojshëm që të formohen e të qëndrojnë të bashkuara. Shenjtërore e Zotit është fytyra e shumë vetëve, që takojmë në shtegtimin tonë.

Sot, gjatë shtegtimit në Shenjtëroren e largët, ta shikojmë Nënën e Zotit me sytë e shën Huan Diegos,  për të vënë tek këmbët e saj të gjitha problemet, që na lënë pa forcë, që na lënë pa shpresë, për të kërkuar ndihmë e fuqi për ndryshimin e transformimin e jetës. 

Të mos e harrojmë se festa e Zojës së Guadalupes, që kremtohet më 12 dhjetor - është “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, Ylli i ungjillëzimit të ri - është ndihmë për të forcuar në jetën e njerëzve të këtij kontinenti, e edhe tonën, shtegtarë virtualë në këto vise të largëta e pak të njohura, bindjen se Krishti arrihet përmes Marisë.  

E këtë vit, kur ne jemi në shtegtim, në Spanjën e Zojës së Pilar, Pajtore e vendit, më 2 gushtin e kaluar, u hap Porta Shenjte e Zojës së Guadalupes. Nisi, kështu Jubileu i Saj, që do të përfundojë më 8 shtator 2021. Me këtë rast ipeshkvijtë spanjollë kujtuan, përmes një letre, titulluar “Guadalupe: Streha e Marisë, Shtëpia e Shërimit”- se “shtegtimi në Guadalupe” e shndërron njeriun, i jep guxim t’ia hapë zemrën Zotit e të shikojë ëndrra të ndritura.

03 gusht 2020, 08:50