Kërko

Vatican News
 Memoriali i Nënë Terezës Memoriali i Nënë Terezës  (Vatican Media)

Shtegtim në Memorialin e Nënë Terezës

Në rubrikën “Shtegtim, drejt shenjtëroreve”, sot po ecim në gjurmët e Papës Françesku që, më 7 maj 2019, vizitoi Memorialin e Shën Terezës, në Shkup e i lartoi Zotit lutjen për nder të Shenjtores, duke i kërkuar të na bëjë edhe ne “shenja të dashurisë”, dëshmitarë të besueshëm të Kishës, që ka për detyrë t’ia predikojë Ungjillin të varfërve.

R. SH. - Vatikan

Prekës, shtegtimi virtual, që po bëjmë në Memorialin e Nënë Terezës. Na kujton edhe vizitën e Papës Françesku në këtë vend, në Shkup, vendlindje e  Shenjtores, figurë e ndritur, në qendër të vëmendjes të shtegtimit të tij të 29-të apostolik. Ndërtesa moderne, asokohe në ndërtim e sipër, u përurua në vitin 2019, njëherësh me një muze të vogël, me foto, objekte e relike të Nënë Terezës. E nisim pjesën e parë të këtij shtegtimi, me lutjen para shtatores së Shenjtores, një herë në heshtje. Pastaj, në kapelën e ndërtesës.  

Mbi altar shikojmë një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj, simbol i pesë konfesioneve fetare, përfaqësuesit e të cilave shtegtojnë vazhdimisht aty, për ta nderuar këtë Grua të vogël - tejet të madhe - që u përkul mbi të  varfërit më të varfër, ndaj e deshën fort njerëz të feve, kulturave, traditave të ndryshme, në të katër anët e botës, sepse në të katër anët shkeli, deshi, shërbeu! Për t’ia  shuar etjen e Jezusit të mbërthyer mbi kryq!

Kujtojmë edhe fjalët me të cilat iu drejtua Papa Zotit gjatë lutjes për nder të Nënë Terezës, kanonizuar në vitin 2016:

“Të falëndërojmë o Zot për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së  dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. E duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.

Si Nënë Tereza, shenjë dashurie

Në vendin, ku sot ngrihet shtëpia përkujtimore, ku po shtegtojmë virtualisht, më parë ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, e rrënuar nga tërmeti i vitit 1963. Aty pati qënë pagëzuar Nënë Tereza! Aty i pëlqente shumë të lutej. E po aty, nisi së pari bisedën me Jezusin!

E pikërisht prej këtij vendi, kaq domethënës për Shën Terezën, mund të bëjmë tonat lutjet e Françeskut drejtuar Shqiptares së Madhe për të ndërmjetësuar pranë Jezusit, që të na e dhurojë edhe ne hirin ta dëgjojmë  britmën e të varfërve, të atyre, që u mohohet çdo e drejtë, të sëmurëve, të  shtypurve, të fundmëve. E edhe hirin që ta shikojmë Jezusin në sytë e nëvojtarit:

“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nëvojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë,  e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

E edhe lutjen:

“O Shën Nënë Terezë, lutu për këtë qytet, për këtë popull, për Kishën e tij e për ne të gjithë, që dëshirojmë ta ndjekim Krishtin, si dishepuj të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi  si Ai, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

Gjithë këtë e shumë më tepër, mund ta kundrojmë,  nëse shtegtojmë në Shkup, të Memoriali….

 

14 gusht 2020, 10:24