Kërko

 Zoja e Medjugorjes Zoja e Medjugorjes 

Shtegtim në Medjugore, të Zoja e dukjeve të reja

Me rubrikën “Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, vijojmë vizitën në shenjtëroret mariane, nëpër botë. Sot shtegtimi ynë virtual nuk na çon shumë larg trojeve tona. Do të shtegtojmë drejt Medjugores, që tashmë është bërë e njohur në mbarë botën si “Lurda e Ballkanit”, vend ku Zoja e bekuar duket përsëri…

R. SH. - Vatikan

Për ata, që nuk e dinë, Medjugorje është një qytet i vogël në Bosnjë-Hercegovinë. I vogël, po i famshëm. E bëri të famshëm Zoja e Bekuar, që tashmë këtu lutet si Zoja e Medjugores. Maria u duk përsëri! Zgjodhi datën 24 qershor të vitit 1981. E edhe vegimtarët Vicka Ivankovic, Mirjana Dragiçeviç, Marija Pavlovic, Ivan Dragiçeviç, Ivanka Ivankoviç dhe Jakov Colo (asokohe ndërmjet 10 dhe 16 vjeç). Ata nisën ta vegojnë Virgjërën Mari, që iu duk e u foli, duke u  paraqitur me titullin "Mbretëresha e Paqes" (Kraljica Mira). E që asokohe Medjugorje nisi të bëhet cak shtegtimesh. Një herë për banorët  e vendit. Mandej të Ballkanit. E sot, të mbarë botës. Sa më shumë kalon koha, aq më të shumtë janë shtegtarët, që e vizitojnë.

Qëndrimi i Kishës

Në fillim Kisha, që i ndjek me shumë kujdes e vëmendje ngjarje të tilla të mrekullueshme, nuk e shikoi si dukje të mbinatyrshme "non constat de supernaturalitate", siç na kujton Deklarata e Zarës (1990), kur dukjet nuk kishin përfunduar ende. Në dokumentin zyrtar “Normae S. Congregationis pro doctrina fidei de modo procedendi in iudicandis praesumptis apparitionibus ac revelationibus, miratuar në 1978, nga Papa Pali VI, gjejmë njoftime të plota mbi ndjekjen e fenomenit nga barinjtë e Kishës, për të arritur në përcaktimin e natyrës së tij, që mund të jetë i mbinatyrshëm, ose jo i mbinatyrshëm. Megjithatë, në rastin dukjeve Mariane në Medjugorje, më 1991 Konferenca e Ipeshkvijve jugosllavë arriti  në përfundimin së fenomeni nuk dukej se ishte i mbinatyrshëm. E la, kështu, derën hapur për të ardhmen, duke mos dashur ta përjashtonte apriori se në dukjet  Mariane të Medjugorjes kishte diçka të vërtetë. Gjë që e vërtetonte dyndja e shtegtarëve nga mbarë bota në atë vend, ku ndjehet fort një frymë misterioze, e cila depërton në shpirtrat e atyre që ngjiten atje, ku sipas vegimtarëve në grup, u duk e vijon të duket Zoja.

Përfundimet e Komisionit te Selisë së Shenjtë

Në mars të vitit 2010, Selia e Shenjtë formoi një komision ndërkombëtar  për t’i hulumtuar më hollësisht faktet. Komiteti përbëhej nga ipeshkvij teologë dhe specialistë të tjerë, të kryesuar nga kardinali Camillo Ruini. Më 17 janar 2014 në përfundim të punës, kryer në fshehtësi absolute, ata e dorëzuan përfundimin pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

Françesku autorizon shtegtimet në Medjugorje

Ndërkaq Papa Françesku vendosi të autorizojë shtegtimet në Medjugorje, të cilat, tani e tutje, do të organizohen zyrtarisht nga dioqezat dhe famullitë e jo më vetëm në formë “private”.  

 Për të kuptuar arsyet dhe rëndësinë e madhe të vendimit të Papës Françesku për autorizimin e shtegtimeve në Medjugorje, duhen lexuar disa pjesë të Nxitjes Apostolike “Evangelii gaudium”, dokumenti, që përvijon udhën e papnisë së tij. Në këtë tekst, Papa kujton se “në përshpirtërinë popullore mund te kuptohen mënyrat, me të cilat feja mishërohet në kulturë e vijon të transmetohet”. E, duke cituar dokumentin përfundimtar të Konferencës së ipeshkvijve latinoamerikanë në Aparesidë, nënvizon se “rruga e përbashkët drejt shenjtëroreve dhe pjesëmarrja në manifestime te përshpirtërisë popullore, duke marrë me vete fëmijët e duke ftuar njerëz të tjerë, është në vetvete, vepër ungjillëzimi”. “Nuk e përcaktojmë e as pretendojmë ta kontrollojmë këtë forcë misionare!”, përfundon Ati i Shenjtë.

         “Mendoj” se “në Medjugorje është hiri i Tënzot. Nuk mund të mohohet. Ka njerëz, që kthehen në udhën e Hyjit”, pati thënë Papa Françesku, në një intervistë me atë Alexandre Awi Mello, në vitin 2013. Në dialogun me mariologun, që sot është Sekretar i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, shndërruar në libër (“Është nëna ime. Takime me Marinë”, botim i Città Nuova), Ati i Shenjtë, sigurisht, paralajmëronte të tregohej kujdes ndaj protagonizmit të vegimtarëve dhe ndaj shumëfishimit te mesazheve e të sekreteve. Por, pa i mohuar kurrë frytet pozitive të shtegtimeve. Në parathënien e librit, teologu argjentinas Carlos Marìa Galli shkruan: “Për Françeskun, gjëja më e rëndësishme është besimi marian i ‘Popullit të shenjtë e besnik të Zotit’, që na mëson ta duam Marinë, përtej reflektimit teologjik. Si çdo bir e anëtar i Popullit të Zotit, Bergoglio - Françesku - merr pjesë në ‘sensus fidei fidelium’ dhe identifikohet me përshpirtërinë më të thellë mariane të besimtarëvë të krishterë”.

Pikërisht për këtë, duke vijuar studimin e fenomenit Medjugorje, e pa mbajtur qëndrim për vërtetësinë e dukjeve, Papa deshi të kujdeset për ata, të cilët, duke përballuar vështirësitë e udhëtimit, vijojnë të shkojnë për t’u lutur në atë vend. Prandaj, çoi një të dërguar të përhershëm, një ipeshkëv të varur nga Selia e Shenjtë, ngarkuar për kujdesin baritor të shtegtarëve. E gjithnjë për këtë arsye tani vendosi të shkojë përtej deklaratës së Kongregatës për Doktrinën e Fesë, të 20 viteve më parë, që lejonte shtegtimet në Medjugorje, por vetëm “privatisht”. Tani, dioqezat dhe famullitë mund t’i organizojnë e t’i udhëheqin këto shtegtime të përshpirtërisë së Popullit të Zotit.

05 gusht 2020, 12:59