Kërko

Vatican News
 Nënë Tereza në lutje Nënë Tereza në lutje 

Shenjtërorja e Zojës në Letnicë – e Nënë Tereza

Në vijim të “Shtegtimit, drejt shenjtëroreve”, jemi përsëri në Kishën e Letnicës, në lutje para Zojës e plot me kujtime për thirrjen e Nënë Terezës, gruas më të shenjtë të tokës shqiptare. Këtu, para Nënës së Krishtit, të cilës ne i lutemi sot virtualisht për nevojët tona, duke i kërkuar të na nxjerrë hiret, për të cilat kemi aq shumë nevojë, e nisi rrugën, që do ta çonte në nderimet e altarit.

R. SH. - Vatikan

Mijëra shtegtarë janë gjunjëzuar para Zojës së Letnicës. E ndërmjet tyre, Gruaja që do ta bënte të njohur kombin e vet në mbarë botën: Nënë Tereza. Duke pohuar, jo pa krenari: “Me gjak jam shqiptare”. Në këtë Shenjtëroree Mariane Zoja ia hapi rrugën drejt fundit të botës - tek më të fundmit - të gërbulurit. E ndriçoi. E këtë çast drite Nënë Tereza na e la trashëgim në kujtimet e saj:

 “Te këmbët e Zojës Mari të Letnicës, një Shenjtërore afër Shkupit, e ndjeva në shpirt thirrjen hyjnore. Më kujtohet mirë: kjo ndodhi natën e festës së Zojës Madhe. Lutesha dhe këndoja, plot me gëzim të brendshëm, kur e dëgjova zërin e Zotit, që më ftonte që të isha tërësisht e Tija, duke iu kushtuar Atij dhe shërbimit të të afërmit”.  

Nënë Terezës as që i shkoi ndonjëherë mendja të shkruante një autobiografi. Ndoshta, po ta kishte porositur Papa (e ajo njohu Papën Pali VI e Gjon Palin II) edhe mund ta kishte shkruar, për të bërë dëgjesën shenjte. Por atë që nuk ia kërkuan kurrë Papët, ajo e tha me vepra, për t’i shprehur Jezusit dashurinë e saj të pakufishme, pa i shkuar në mend se dikush i mblidhte ditë për ditë fjalët e saj.

Shumë e ndjejnë këtu thirrjen e Marisë, thirrjen e Zotit, por jo të gjithë e ndjekin këtë zë me kaq vendosmëri, si Nënë Tereza. Jo të gjithë mund të jemi të shenjtë, si Shën Tereza, ose si Papa Gjon Pali II, por është e rëndësishme që mos e harrojmë kurrë çka na thotë Zoja Mari gjatë shtegtimit në këtë vend të shenjtë. Vend i shenjtëruar nga Virgjëra Mari, nga Nënë Tereza, por edhe nga Martirët e Karadakut gjatë shekullit 19, që   pësuan përndjekje të tmerrshme nga ana e pushtuesve turq e dhuruan edhe jetën për Krishtin.    

Nuk mund ta përfundojmë ndryshe këtë shtegtim të Zoja Cërnagorë, veçse me një thirrje të dalë nga Zemra: “Lutu për ne!”.

12 gusht 2020, 11:59