Kërko

Vatican News
 Pejzazh pushimesh Pejzazh pushimesh 

Pushime me Zotin

Pushim do të thotë t’i përtërish, t’i rigjallërosh forcat, idealet, projektet… Me pak fjalë: të merresh me një punë tjetër, për t’u rikthyer, pastaj - me hov të ri - te puna e zakonshme. Të dyja, me Zotin!”.

R. SH. - Vatikan

“Në pushime, me Zotin”: kështu titullohet nisma e organizuar nga jezuitët  e Portugalisë, të cilët i ftojnë të rinjtë të mos e harrojnë lutjen edhe gjatë  pushimeve të verës. Larg çdo mendimi, sipas të cilit pushim do të thotë të mos bësh asgjë tjetër, veç dëfrimeve e gjumit! Tepër i pakëndshëm një pushim i tillë. Tepër i zbrazët. Ndaj jezuitët u propozojnë të rinjve një ndalesë, në kohën e gjatë të pushimit. Vetëm dhjetë minuta në javë. Dhjetë minuta lutje e meditime, të cilat të rinjtë mund t’i gjejnë në faqet portugeze të internetit të Shoqërisë së Jezusit.

Kush do t’i propozojë reflektimet?

Sivjet - njofton një notë - reflektimet i propozuan vetë të rinjtë, së bashku me një çift të sapomartuar. Synimi - kujtojnë etërit jezuitë - është që të rinjtë të aktivizohen sa më shumë në  punën baritore të Kishës, jo vetëm si spektatorë, por edhe si protagonistë e aktorë të jetës kishtare, që të japin kontributin e tyre me frymën krijuese, karakteristike për fantazinë e pashterrshme rinore. Veç kësaj nisma i shërben edhe përgatitjeve për Ditën Botërore të Rinisë, parashikuar për vitin 2023, në Lisbonë! Duke shpresuar se deri në atë vit Covid-19 do të mbetet vetëm kujtim i hidhur. I pasuar nga ngjarje të tjera, të mëdha.

Propozime të bëra krejt lirisht

Propozimet mund të viojnë e të bëhen krejt lirisht. Lutjet e meditimet mund të bazohen mbi një lexim, por mund të jenë edhe fryt i fantazisë. I lihet hapësirë krejt e lirë krijimtarisë së të rinjve, posaçërisht në zgjedhjen  e mënyrës si dëshirojnë ta zgjojnë  dëshirën për t’iu afruar Zotit.

Zoti nuk duhet të mungojë as në punë, e as në pushime!

Për t’u nënvizuar, fakti se projekti synon që pushimet të mos shikohen  si periudhë plogështie, në të cilën mungon plotësisht Zoti! Do të ishin tepër të cekta, të menduara në këtë mënyrë. Prandaj jezusitët duan t’i ndihmojnë  të rinjtë të ndalen e të reflektojnë,  duke e shfrytëzuar periudhën verore si rast për të takuar Zotin e të afërmin!

Nisma, e filluar më 1 gusht, do të vijojë deri në gjysmën e shtatorit.

Arti i pushimit

Njeriu modern duhet të kuptojë tri gjëra, për të jetuar si njeri i vërtetë: artin e pushimit, artin e kundrimit, artin e meditimit!

Me vetëdijen se është gjë e ëmbël të pushosh, pasi të kesh kryer detyrën tënde! Pa harruar se edhe gjatë pushimeve duhet ta ndjesh në shpirt dëshirën “të pushosh me Zotin!”.

E ta kuptosh gjithnjë  pushimin si shkëputje nga telashet e përditshme, por kurrë si kohë plogështie. Pushim do të thotë t’i përtërish, t’i rigjallërosh forcat, idealet, projektet… Me pak fjalë: të merresh me një punë tjetër, për t’u rikthyer, pastaj - me hov të ri - te puna e zakonshme. Të dyja, me Zotin!”.

11 gusht 2020, 13:44