Kërko

Vatican News
2019.09.03 Madre Teresa di Calcutta Madre dei poveri 2019.09.03 Madre Teresa di Calcutta Madre dei poveri 

Nënë Tereza, “Gruaja që kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt!"

Kush ishte Nënë Tereza? ”Kush vallë e ndezi në zemrën e saj shkëndijën e dashurisë për të varfërit, për fëmijët e braktisur, për njerëzit, që nuk i do askush?”. Kush ishte kjo grua, Nënë Tereza që mund të shihej duke kaluar ndërmjet të mjeruarve të braktisur, buzë gropave të hapura të gjirizeve, që i has kudo në lagjet e varfra rreth Kalkutës. Sillej si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi.

R. SH. - Vatikan

Më 21 gusht bie 110-vjetori i lindjes ne Shkup, më 5 shtator bie dita kur me 1997 në Kalkutë ndërroi jetë, e më 4 shtator bie dita kur më 2016 Nënë Tereza u shpall Shenjtore nga Papa Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.  E duke iu afruar datave të gushtit e shtatorit të këtyre ngjarjeve, shumë vjet pas, shumë njerëz vijojnë të pyesin: “E kush është kjo grua?”….Kësaj pyetje po përpiqemi t’i japin përgjigje kushtuar përvjetorëve të Gruas më të përvuajtur, e njëkohësisht, më të famshme të gjakut shqiptar që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt.

Si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi

“E kush ishte kjo grua?”….kush ishte Nënë Tereza? ”Kush vallë e ndezi në zemrën e saj shkëndijën e dashurisë për të varfërit, për të fundmit, për fëmijët e braktisur, për njerëzit, që nuk i do askush?” - pati pyetur e vijon të pyesë bota. Kush ishte kjo grua, Nënë Tereza që mund të shihej duke kaluar ndërmjet të mjeruarve  të braktisur, buzë gropave të hapura të gjirizeve, që i has kudo në lagjet e varfra rreth Kalkutës. Sillej si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi.

Një herë, në “Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës”, në Kalkutë, sollën një burrë kockë e lëkurë, që i ngjiste një krijese sajuar me pergamenë. Ishte mbeturinë njerëzore, mumje që merrte frymë ende, ndonëse në sytë e tij jeta qe shuar qëkur.

Po ishte ende gjallë.

Krimbat lëviznin mbi lëkurën e tij gjysëm të ngrënë, për të depërtuar, më pas, në brendësi. Gratë e palodhshme me sari bardh e blu mundoheshin t’ia njomnin buzët e thara me lëng mishi të ngrohtë: po burri nuk ishte më në gjendje të kapërdinte asnjë lloj ushqimi, sepse i qe tharë plotësisht goja.  Ndërsa motrat ia lajnë trupin e zhigatur me baltë e jashtëqitje,  aty afrohet një grua në moshë, me një buzëqeshje plot dashuri e respekt, që burri  nuk e kishte provuar kurrë në jetën e tij.

Është Nënë Tereza, e dërguara e Mëshirës hyjnore.

Nis t’ia heqë krimbat nga plagët, që lëshojnë një duhmë të padurueshme. Një tjetre do t’i kishte rënë të fikët. Por jo asaj. Burri skeletik mrekullohet e pyet me një fije zëri: “Si mund ta durosh erën e qelbur, që del nga trupi im?”.

“Çka ndjej unë, nuk është asgjë, në krahasim me atë, që vuan ti!”.

“Ti sigurisht nuk je prej këtyre anëve. Njerëzit e këtushëm nuk e bëjnë, këtë, që po bën ti. Bekuar qofsh!”.

“Jo, i bekuar je ti, sepse vuan me Jezusin e si Jezusi”.

Këto, fjalët e fundit që dëgjon burri i ngrënë nga krimbat. Ky bekim e shoqëron në qiell, në krahët e Jezusit, ndërsa buzëqeshja e Zojës së Bekuar i zë vendin buzagazit të Shenjtes së Mëshirës Hyjnore.

Ajo nganjëherë i shkëpuste sytë nga mjerimi e shikonte indiferencën e njerëzve të ngopur e, megjithatë, të palumtur, të galdimtarëve të pakënaqur, të të pasurve krejt të varfër, pa pikën e ndjenjave njerëzore. E nga buzët, që kishin puthur vetë mjerimin, i dilte qortimi i natyrshëm: “Duhet të marrë fund kjo indiferencë: në botë po zhduket dashuria…e kjo është varfëria më e rrezikshme, sepse i vret njerëzit në shpirt, ua rrëmben gëzimin e të jetuarit. Kemi nevojë kudo për njerëz, që shpërvjelin mëngët  e nuk kanë frikë t’i ndotin duart me baltë, që përkulen mbi të varfërit, mbi  njerëzit në grahma të vdekjes, mbi ferishtet e flakura në kazanet e plehrave, parë si hedhurina nga bota e pasur, e ngopur, por gjithnjë e pakënaqur.

Dil nga vetvetja, kalo në anën e dashurisë! Eja, të presim, për të të bërë të lumtur. Sepse s’ka ndodhur kurrë në këtë botë që egoisti të jetë i lum. Të siguroj për këtë!

Kjo ftesë e Nënë Terezës e ruan tërë forcën e saj e, sidomos, tërë aktualietin dramatik. Mos ta lëmë të shkojë kot!

25 gusht 2020, 09:49