Kërko

Vatican News
LEBANON-SECURITY/BLAST-PRIEST  LEBANON-SECURITY/BLAST-PRIEST  

Kishat e Lindjes së Mesme: nuk duhet të braktiset Libani!

Pas dy shpërthimeve të 4 gushtit, që e dëmtuan rëndë Beirutin, duke shkaktuar 200 të vdekur dhe shumë të humbur e të plagosur, Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme (Mecc) bën thirrje për solidaritet, në mbështetje të Libanit. Vendi është në gjunjë e kishat e tij nuk janë në gjendje t’i plotësojnë nevojat e panumërta të çastit e të rindërtimit. Flasim me maronitin, atë Rouphael Zgheib.

R.SH. - Vatikan

“Pas shpërthimit të 4 gushtit, që shkaktoi dëme të mëdha në Beirut, Libani, i tronditur thellë edhe nga një krizë e rëndë ekonomike, tani është në gjunjë. Qindra ndërtesa, duke pëfshirë edhe depot, ku magazinohej rreth 85% e grurit të vendit si dhe shumë banesa, u dëmtuan rëndë. Disa edhe u shkatërruan plotësisht. Kjo situatë përshkruhet në thirrjen, që bëri më 16 gusht Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme. E këtyre dëmeve u shtohen edhe shkatërrimet e tre spitaleve të krishtera, që strehojnë të sëmurë të krishterë e myslimanë, me rëndësi shumë të madhe për shtrimin e të prekurve nga Covid 19. Mecc vë në dukje edhe se shumë shkolla historike të krishtera në lagjet Gemmayzeh, Mar Mikhael e Achrafieh u goditën rëndë e kjo ndodhi vetëm pak javë para fillimit të viti shkollor, në një kohë kur shtatori është fare pranë. “Lagjja e krishterë e Beirutit si dhe dhjetë kisha u shkatërrua plotësisht. Pikërisht për këtë, pohon në intervistën tonë atë Rouphael Zgheib, drejtor kombëtar i veprave Misionare të Libanit dhe anëtar i Mecc, ka rëndësi themelore, që  vendi i kedrave të mos lihet vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, nga Kishat e vendeve të tjera e nga organizatat humanitare”.

Libani, vend i historisë së një mori krizash  

Gjatë shumë krizave, që iu desh të përballonte Libani në historinë e tij të kohëve të fundit, Kishat e krishtera u përpoqën gjithnjë ta ndihmojnë popullsinë, por sot - rrëfen atë Zgheib - ata nuk janë më në gjendje ta kryejnë shërbimin, për shkak të shkatërrimit të strukturave të tyre shëndetësore dhe edukative. E për kthimin e tyre në normalitet duhen  miliona dollarë. Deri tani ishte shumë e çmuar veprimtaria e vullnetarëve të shumtë, të cilët, që nga 4 gushti, po bëjnë gjithçka që mund të bëhet: po pastrojnë gërmadhat nga rrugët, nga kishat e spitalet, po ndihmojnë popullsinë, posaçërisht atë më nevojtaren e më të ligshtën. Edhe manastiret e shkollat i hapën lokalet e tyre për të strehuar njerëzit e mbetur në rrugë të madhe e për t’i ndihmuar me ushqime e ilaçe.

Njerëzit kanë nevojë për gjithçka

Nga ana e saj Mecc po aktivizohet në ndihmë të familjeve të varfra, të cilave po u shpërndan kite higjienike, kite për pastrimin personal, mjete për kuzhinën, ndërresa, ushqime, ilaçe, mjete për t’u mbrojtur nga Covid-19. Ndërsa vullnetarët po i pajisin me material për pastrimin e kishave, të spitaleve, rrugëve. Në ndihmat përfshihet edhe furnizimi me ilaçe i shumë njerëzve të prekur nga sëmundjet kronike ose tumorët. Në një fazë të mëvonshme Këshilli do të marrë pjesë edhe në riparimin e shtëpive, shkollave e dispanserive të dëmtuara. Por i gjithë ky angazhim nuk mund të çohet përpara, pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Prej këndej, thirrja e Mecc për ta lehtësuar barrën, që rëndon mbi shpatullat  e qytetarëve dhe të familjeve të ligshta, të prekura rëndë nga kjo katastrofë e pashoqe, ngarkuar me vuajtje, terror e dëshpërim!

20 gusht 2020, 09:11