Kërko

Vatican News
 Betlehemi Betlehemi 

Ekonomia e Betlehemit, në gjunjë nga emergjenca e Covid

Vincenzo Bellomo i Shoqatës “për Tokën Shenjte” në Betlehem, përshkruan situatën dramatike ekonomike të familjeve palestineze, për shkak të bllokimit të turizmit fetar, por edhe projektet e Rojtarisë në ndihmë të popullsisë

R. SH. - Vatikan

Në Tokën Shenjte vala e dytë e pandemisë, nisur nga fundi i qershorit, ishte shumë më e fortë se e para, e vijon të shkaktojë dëme të rënda shoqërore, sidomos në Palestinë. Posaçërisht i dëmshëm, bllokimi i shtegtimeve, në fuqi që nga fillmi i marsit. Gjë që e dëmtoi e vijon ta dëmtojë rëndë bashkësinë e krishterë, e cila e bazon ekonominë mbi turizmin fetar. Kësaj situate shqetësuese, për shkak të virusit, që nuk do të pushojë, i shtohen edhe mungesat e shumta të sistemit shëndetësor. Situatën na e pëshkruan, nga Betlehemi, në mikrofonet e Vatican News, Vincenzo Bellomo, i Shoqatës “Për Tokën Shenjte”:

“Alarmin e parë  për koronavirusin e patëm  në fillim të marsit. U përhap menjëherë në gjithë Tokën Shenjte. Po në Betlehem u regjistrua numri më i madh i rasteve. Në të njëjtën periudhë frike, që u ndje fort edhe në Itali e në vendet e tjera evropiane. Pastaj, aty nga fundi i majit, e në ditët e para të qershorit, u duk se emergjenca u fashit. E se Betlehemi mund të merrte frymë lirisht.  Po aty nga fundi i qershorit,  rastet me coronavirus u shtuan ndjeshëm në të gjithë Izraelin e Palestinën e sot konsiderohemi përsëri “Zonë e kuqe”. E të mendosh se drejt Tokës Shenjte patën nisur përsëri  fluturimet e avionëve plot me shtegtarë. … Po tani jemi në kulmin e valës së dytë, në gjendje të mirëfilltë emergjence. Sidomos në Izrael, ku numërohen dymijë raste në ditë, ndërsa në Palestinë mesatarja është gjashtëqind në ditë. E rëndë, pra, situata!”.

E në nivelin shëndetësor?

“Autoriteti palestinez në fillim u trondit thellë nga pandemia, ashtu si të gjithë. Posaçërisht sepse Palestina jetonte edhe para sëmundjes në një situatë shëndetësore kritike, gjithnjë në gjendje emergjence. Në këto tre-katër muaj, Autoriteti Kombëtar Palestinez, bëri të pamundurën për të ndihmuar qendrat më të goditura nga virusi. Po sëmundja vijon…”.

Bazilika e Lindjes së Krishtit e Viset e tjera të Shenjta janë të hapura, apo të mbyllura?

“Të mbyllura e të hapura. Më qartë, Bazilika e Lindjes së Krishtit është edhe famulli, kështu mbetet vendi kryesor për bashkësinë e krishterë të Betlehemit. U mbyll tri javë, por që nga e diela, 26 korrik, u hap rishtas. Po shtegtarët nuk po shtegtojnë më. Kaluam rrufeshëm nga koha, kur kishim turma shtegtarësh, në kohën kur rrugëve po rritet bari, nga që nuk ka kush ta shkelë. Të trishton kjo verë pa shtegtarë e me mendime aspak të këndshme për të ardhmen. Ndonëse nuk mungojnë projektet, për ta ndihmuar popullsinë në këtë çast të vështirë. Por në qendër të vëmendjes  së misionit tonë është gjithnjë përpjekja për t’u siguruar punën banorëve, posaçërisht të rinjve. Këtë synojnë të gjitha përpjekjet tona! Që Toka Shenjte të mos mbetet kurrë pa të krishterë!". 

01 gusht 2020, 13:30