Kërko

boat-in-the-river.jpg

Dita Ekumenike e Rinisë: shëndeti mendor dhe problemet në rritje ndër të rinjtë

Mirëqenia psiko-fizike, veçanërisht ndër adoleshentët e kërcënuar nga ankthi dhe depresioni. Të flasësh për të nuk duhet të jetë tabu. Kjo është tema e zgjedhur për edicionin e dytë, krejtësisht virtual, të veprimtarisë së organizuar nga Këshilli Ekumenik i Kishave (WCC) për të nxjerrë në pah rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në zhvillimin e shoqërisë.

R.SH. - Vatikan

Me një program të ngjeshur bisedash e lutjesh “virtuale”, mbahet sot Dita Ndërkombëtare Ekumenike e Rinisë, organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave (WCC). Tema e këtij viti është “Rinia dhe shëndeti mendor”. Ky është edicioni i dytë i kësaj nisme, pas vitit të kaluar në Gjenevë, që dëshmoi masën me të cilën të rinjtë mund të japin kontributin e tyre në trajtimin e çështjeve, që u interesojnë nga afër. Ideja vjen nga Dita Ndërkombëtare e Rinisë (IYD) e themeluar në vitin 1999 nga OKB-ja, pikërisht më 12 gusht. Synohet të vihet në pah rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve në zhvillimin e shoqërisë. Këshilli Ekumenik i Kishave ka në program çastin e lutjes virtuale dhe bisedimet me ekspertët, sipas doracakut që u ka dhënë Kishave lokale për të përgatitur ngjarjen. Për të kuptuar më mirë qëllimet e kësaj Dite të dytë Ekumenike të Rinisë, ia drejtuam mikrofonin, atë Lawrence Iwuamadi, dekan i Institutit Ekumenik të Bossey në Gjenevë, lindur në gjirin e Këshillit Ekumenik të Kishave, për të promovuar dialogun dhe takimin ndërmjet të krishterëve të traditave të ndryshme:

Që nga viti 2000, OKB-ja e ka shpallur 12 gushtin, Ditë Ndërkombëtare të Rinisë, duke synuar ndërgjegjësimin e të rinjve për problemet e moshës së tyre. Të gjitha organizatat, që merren me rininë, ftohen të vënë në dukje përpjekjet e të rinjve për të krijuar një botë më të mirë. Edhe Këshilli Ekumenik i Kishave, nga ana e tij, organizoi Ditën Ndërkombëtare Ekumenike të Rinisë në Gjenevë vitin e kaluar, për të nxjerrë në pah kontributin e rinisë në lëvizjen ekumenike. Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Federatën Botërore Luterane dhe me Federatën Botërore të Studentëve të Krishterë. Vjet u lutëm së bashku për drejtësinë dhe paqen në gadishullin korean.

Pas suksesit të Ditës Ndërkombëtare Ekumenike të Rinisë vitin e kaluar, sivjet,  Këshilli Ekumenik i Kishave vendosi të trajtojë çështjen e shëndetit mendor. Ky është rezultat i rekomandimeve të ndryshme, që vijnë nga vetë të rinjtë brenda dhe jashtë rrjeteve të Këshillit Ekumenik. Siç e dimë, ankthi dhe depresioni janë çrregullimet mendore më të zakonshme, fatkeqësisht, në rritje ndër adoleshentë e të rinj. Studiuesit flasin për tensionin kulturor si shkak i kësaj rritjeje. Jo vetëm kaq. Çrregullimet mendore janë shkaku kryesor i kufizimit të aftësive tek të rinjtë. Prandaj e zgjodhëm këtë temë, që të rinjtë të mësojnë më shumë për argumentin, por edhe pse, në disa zona të botës, tema është tabu. Përkundrazi, duhet të flasim për të.

Si t’i inkurajojmë të rinjtë, si t’i udhëheqim për të shfrytëzuar më mirë energjitë e pasionet e tyre?

Në vitin 2018, Papa Françesku u drejtoi fjalë të rëndësishme delegatëve në takimin para-sinodal të të rinjve, duke u thënë atyre se as të rriturit e as ata, që ndihen të rinj, nuk duhet t’i tregojnë Kishës se si t’u drejtohet të rinjve dhe brezit të tyre. Por janë vetë të rinjtë ata, që duhet ta bëjnë këtë. Nga këto fjalë të Papës, nxjerrim disa ide të rëndësishme. Duhet t’u krijojmë hapësira ​​të rinjve, sepse vetëm kështu, ata mund të shprehin ç’kanë në shpirt. E pastaj, duhet të marrim parasysh këndvështrimin e tyre, çfarë mendojnë, sidomos kur merren vendime për ta. Duhet t’i vlerësojmë entuziazmin, energjitë, pasionet e tyre. Vetëm kështu mund t’u tregojmë si t’i shfrytëzojnë aftësitë. Duhet edhe të gjejmë mënyrën më të mirë për ta lehtësuar komunikimin me të rinjtë, për t’i inkurajuar në jetë.

12 gusht 2020, 12:16