Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra e Shën Palit për Filemonin

Sot, në rubrikën e së enjtes, do të shohim shkrimin më të shkurtër të krejt Biblës, Letrën e Shën Palit drejtuar Filemonit. Apostulli i shkruan mikut të tij, që banonte në Kolos, në vitet 62-63, gjatë burgosjes së tij të parë në Romë e për ta kuptuar tekstin, është e nevojshme të kemi parasysh kuadrin historik të kohës. Siç nënvizon meshtari italian don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”, që po ndjekim për këtë rubrikë, ai kuadër do të na e kishte ngjethur mishtë sot.

R.SH. - Vatikan

Arsyeja e shkrimit të Letrës është një skllav, Onezimi, i cili ikën nga pronari i tij, Filemoni. Ky i fundit mblidhte në shtëpinë e vet të krishterë, prandaj, shën Pali e njihte mirë dhe e përmend edhe në Letrën drejtuar Kolosianëve. Vetë apostulli e kishte kthyer në krishterim si Filemonin, ashtu edhe Onezimin. Skllavi, me paratë e vjedhura nga pronari, ikën nga Kolosi e mbërrin në Romë, 1400 kilometra larg. Takon shën Palin, ndoshta, i penduar, ose ndoshta, duke e ndierë rrezikun, që i kanosej.

          Vërtet, skllevërit, në perandorinë romake, ishin pronë e padronit dhe vetëm ai mund të vendoste për jetën e tyre, mund t’i dënonte e mund t’i trajtonte si të donte. Nuk ishin të pakta rastet, kur pronari e trajtonte mirë dhe e mbronte skllavin e vet, por jo pak ishin edhe ngjarjet e masakrimit të skllevërve, që nuk bindeshin. Onezimi, natyrisht, kishte bërë një faj të madh e, për Shën Palin nuk është e lehtë ta mbrojë. Por, megjithëse apostulli nuk i kundërvihet sistemit të skllavërisë, siç do të prisnim sot, kjo Letër është një hap i vogël përpara në këtë drejtim.

          Kujtojmë edhe se në atë kohë, një e treta e popullsisë përbëhej nga skllevër dhe ishte e pamundur të mendohej një ndryshim rrënjësor i shoqërisë. Të gjithë, përfshirë shën Palin, mendonin se skllavëria bënte pjesë në rendin e natyrshëm të gjërave. Mund të gjejmë në krishterim, njerëz si shën Gregori i Nisës, që në shekullin IV, e denonconte me forcë këtë rend: “Zoti –shkruante - nuk do ta skllavëronte kurrë natyrën njerëzore, Ai që, spontanisht, kur kishim rënë në skllavëri, na çliroi. E nëse Zoti nuk e skllavëron njeriun e lirë, kush është ai, që pretendon një pushtet më të madh se ai i Hyjit?”. Gjithsesi, duhet të vijë koha e Papës Gregori XIII, në shekullin XVI, që krishterimi ta dënojë për herë të parë, zyrtarisht, skllavërinë.

          E bota jashtë Kishës nuk sillet më mirë! Mjafton të kujtojmë se në vitin 1857 – pra, shumë më vonë se Papa Gregori – Gjykata e Lartë amerikane vendosi që “zezakët, për normat e ligjeve civile, nuk janë qytetarë amerikanë”, pasi konsideroheshin pronë e padronit.

          Në Letrën drejtuar Filemonit, gjithsej 25 rreshta, shën Pali bën ç’është e mundur ta bindë mikun e tij për vlerën e patjetërsueshme të dinjitetit të çdo njeriu. E bën këtë, duke u nisur nga feja dhe nga miqësia e duke imagjinuar për Filemonin e Onezimin një jetë të re e jo më marrëdhënie pronar/skllav.

          “Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vend tënd këtu në burg ku gjendem për shkak të Ungjillit, por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd që, vepra e mirë të cilën do ta bësh, të mos duket se e bëre përdhunë, por vullnetisht” (Flm 1,13-14).

          Onezimi duhet t’i jetë ofruar shën Palit si shërbëtor, por apostulli nuk dëshiron që Filemoni të ndihet i fyer, prandaj, ia dërgon mbrapsht skllavin e tij, duke shpresuar që në vend të dënimit, të pritet vëllazërisht. Onezimi është për të vëlla në Krishtin, prandaj i kërkon mikut kolosian ta presë si vëlla, së pari, sepse është njeri dhe, së dyti, sepse është i krishterë. E apostulli merr përsipër të gjitha dëmet:

          “Ndoshta shi për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë që te ti të kthehej për gjithmonë, jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin. Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua! Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë dëm ose të ka gjë borxh, më detyro mua për të gjitha” (Flm 1,15-18).

          S’mund të pritej më shumë se kaq prej shën Palit, pavarësisht se sot e mendojmë ndryshe. Por e vërteta bën hapa përpara edhe përmes qëndrimeve e fjalëve si këto. Shpesh detyrohet të ndalet, sepse njeriu nuk arrin ta kuptojë. Mjafton të përmendim se Deklarata e të Drejtave të Njeriut u nënshkrua vetëm në vitin 1948, në përfundim të luftës më të përgjakshme në histori.

          Në Letrën për Filemonin, shën Pali e konsideron skllavin “vëlla”, një e vërtetë që ai ia kumton një bote, e cila akoma nuk mund ta kuptonte, ashtu siç nuk mund të merrte me mend pasojat e fjalëve impenjuese, që apostulli u pati thënë galatasve:

          “Nuk ka më: hebre - grek! Nuk ka më: skllav - i lirë! Nuk ka më: mashkull - femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!” (Gal 3,28).

06 gusht 2020, 08:33