Kërko

Vatican News
 Viktimat e zgjedhjeve në Bjellorusi Viktimat e zgjedhjeve në Bjellorusi  (ANSA)

Bjellorusi: Nuk duhet flijuar e vërteta për interesa politike

Bjellorusi: “Duhet të kalojë më se një brezni, për shërimin e plagëve hapur nga dhuna njerëzve, që po ushtronin të drejtën e tyre për protestë paqësore!”. Këtë theksoi, në një fjalim drejtuar presidentit Lukashenko dhe autoriteteve të vendit, kryeipeshkvi i Minskut, imzot Kondrusiewitcz.

R. SH. - Vatikan

“Atdheu ynë po kalon një çast të vështirë, vaditur me gjak,  tronditur  nga arrestimet e mijëra civilëve të rrahur mizorisht, vetëm pse duan të dinë të vërtetën për zgjedhjet presidencìale të 9 gushtit”. Me këto fjalë kryetari i Konferencës së ipeshkvijve katolikë të Bjellorusisë, metropoliti i Minskut, imzot Tadeusz Kundrushewitz, e hapi, të premten e kaluar fjalimin drejtuar presidentit aktual Alexander Lukashenko, autoriteteve shtetërore të Bjellorusisë dhe gjithë atyre, që ushtrojnë pushtetin në nivele të ndryshme të vendit.

Zoti na krijoi të lirë!

Zoti na krijoi të lirë! E e vërteta na bën me të vërtetë të lirë, thotë Krishti. Njerëzit kanë të drejtë ta njohin të vërtetën, që nuk mund të flijohet për të përmbushur interesat politike e oportunistike të ndokujt, kushdo qoftë!”. – deklaroi Kondrushewicz. “Gjaku, që shkoi rrëke nëpër udhët e qyteteve tona, shpërdorimi i njerëzve, që morën pjesë në manifestimet paqësore, sepse duan të dinë të vërtetën, trajtimi mizor dhe burgimi çnjerëzor, janë mëkat mortar mbi ndërgjegjen e atyre, që i dhanë këto urdhëra kriminale  e kryen gjithë këtë dhunë”. Dhunë e cila, për prelatin  bjellorus, sjell me vete vetëm destabilizm e përçarje shkatrrimtare në shoqëri, duke  imponuar edhe një pyetje: “Sa kohë, ndoshta edhe më shumë se një brezni, do të duhet për t’i shëruar plagët, që e fyejnë të vërtetën, kur vëllai ngre dorën kundër vëllait?”.

“Zoti i Mëshirshëm i pranoftë në mbretërinë e vet viktimat kombëtare. Të plagosurit u shërofshin. Të mjeruarit u ngushëllofshin. Populli bjerrorus, tolerant e dashuronjës i qetësisë, gëzoftë paqen. E dhurata e dashurisë për të afërmin  u fuqizoftë në shpirtin e tij, që e mira ta mundë të keqen”

Tadeusz Kondrusiewitz, metropolit i Minskut.

Nevoja e dialogut

Përballë  udhës së pendimit, të pastrimit shpirtëror e moral, që duhet të përballojë shoqëria bjelloruse e pa të cilin  është e pamundur ta kapëcejë krizën shoqërore-politike, kryetari i episkopatit bjellorus, në emër të paqes, që është më e nevojshme se kurrë, i nxiti autoritetet të nisin dialogun konstruktiv me shoqërinë, t’i japin fund dhunës e t’i lirojnë “menjëherë”  të gjithë qytetarët e pafajshëm, të arrestuar gjatë manifestimeve paqësore!

17 gusht 2020, 09:44