Kërko

Vatican News
 Protestat në Bjellorusi Protestat në Bjellorusi  (ANSA)

Bjellorusi, Kondrusiewicz: dialogu ta shmangë luftën civile

Pas fitores së kundërshtuar të Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale, në Bjellorusi vijojnë protestat në shesh, për të kërkuar votime transparente. Liderët e opozitës bëjnë thirrje për ndalimin e manifestimeve. Kryeipeshkvi i Minskut, i pyetur nga Vatican News, kërkon dialog e lutje për paqen.

R. SH. - Vatikan

Edhe një ditë tjetër protestash në Bjellorusi. Policia ndërhyu në Minsk për të shpërndarë qytetarët, që po çojnë lule pranë stacionit Pushkinskaja të metropolitanës, në kryeqyetet, në vendin ku dje u vra një nga manifestuesit. Përkrahësit e kandidates së opozitës, Svetlana Tikhanovskaja, vijojnë t’i kundërvihen fitores së zgjedhjeve presidenciale nga presidenti Aleksander Lukashenko dhe të kërkojnë votime të drejta e transparente. Qindra, arrestimet në radhët e demonstruesve. Tikhanovskaja, pasi kërkoi më kot rinumërimin e skedave, u largua në drejtim  të Lituanisë. Prej aty u bën thirrje mbështësve të saj t’i japin fund manifestimeve. E gjithë bashkësia ndërkombëtare ndjek plot vëmendje  zhivillimin e situatës në ish-vendin sovjetik, me frikë se mund të shpërthejë lufta civile.

Shqetësimi i Kishës në Bjellorusi

Për të zgjidhur krizën bjelloruse, duhet qetësi e dialog. Më se një herë këto ditë, kryeipeshkvi Tadeusz Kondrusiewitz, i nxit bjellorusët të gjejnë një rrugëdalje paqësore. Prelati kërkon lutje, që të shmanget rreziku i luftës civile:

“Është çast shumë i vështirë për Bjellorusinë! Pas reagimit të presidentit, në rrugët tona ndjehet fryma e luftës. Një njeri vdiq, shumë u plagosën, si nga ana e civilëve, ashtu edhe e ushtarëve. Unë i lutem Zojës së Rruzares e të Paqes për popullin tonë. E edhe sot i bëra thirrje popullit që të rikthehet qetësia e respekti reciprok. Kërkova edhe organizimin e një tryeze të rrumbullakët, për ta zgjidhur ndeshjen me dialog, që të shmanget, kështu, rreziku i luftës civile,  e cila do të peshonte rëndë mbi jetën e të gjithëve! Jemi shumë të shqetësuar e i kërkojmë gjithë botës lutje për Bjellorusinë”.

12 gusht 2020, 10:14