Kërko

Vatican News
 Kryqi i djegur n Katedralen e Managua Kryqi i djegur n Katedralen e Managua 

Atentat kundër Katedrales së Managuas: “Urrejtje kundër Kishës katolike”

Zjarr i ri, në Katedralen e Managuas: digjet një kryq i lashtë. Për kardinalin Brenes, është akt terrorist. Plagë e thellë për bashkësinë katolike nikaraguense.

R. SH. - Vatikan

“Akt terrorist”: kështu e quajti kardinali Leopoldo José Brenes, kryeipeshkëv i Managuas, atentatin e kryer dje kundër Katedrales së kryeqytetit nikaraguens.

Sipas disa dëshmitarëve, një burrë me maskë hodhi një bombë molotov në Kapelën e Gjakut të Krishtit, brenda Katedrales, duke shkaktuar zjarrin, i cili shkrumboi, ndërmjet tjerash, edhe  Kryqin e lashtë, që nderohej aty prej katër shekujsh. Zjarri u shua me shpejtësi të madhe e, për fat, nuk pati asnjë të plagosur fizikisht. Po shpirtërisht kjo ishte një plagë e rëndë për gjithë bashkësinë katolike.

Kisha në Nikaragua kërkon zgjedhje të lira e të drejta

Në një Komunikatë të Kryedioqezës, pohohet se ky ishte një veprim  i paramenduar dhe i planifikuar, kryer nga specialistë të krimit. Kryqi - nënvizohet - u dogj i tëri nga një lëndë ende e panjohur. Përjashtohet plotësisht çdo pandehmë mbi rënie aksidentale zjarri, sepse në zonën e sulmit nuk ka qirinj. Kryedioqeza flet për një “veprim kriminal”, që fyen e plagos thellësisht të gjithë katolikët, sepse ky Kryq, nga më të dashurit e më të nderuarit prej nikaraguensëve, është po aq i dashur e i nderuar nga të gjithë të krishterët e botës!

Në Nikaragua, kërcënime të reja kundër Kishës

“Ky fakt i dënueshëm - vijon komunikata - u shtohet një mori aktesh sakrilegje, si dhunimet e pronave të Kishës e rrethimet e tempujve, që nuk janë tjetër, veçse shprehje e urrejtjes kundër Kishës Katolike dhe veprimtarisë së saj ungjllëzuese. Sulmet kundër fesë së popullit katolik kërkojnë një analizë të thellë, për të sqaruar autorët mendorë e materialë të këtij akti makabër, që s’është tjetër, veçse sakrilegj.

Së fundi, komunikata i porosit besimtarët t’i ndjekim me shumë vëmendje ditët e ardhshme, porositë e kryeipeshkvit, për t’iu përgjigjur me fe “dhimbjes së thellë që të pushton përballë krimeve të tilla dhe pafuqisë përballë tyre, gjë që na shkakton hidhërim të jashtëzakonshëm, të cilin mund të na e zbutë vetëm Kryqi, edhe ashtu i djegur! Kryq, që na kujton se Golgota përsëritet në shekuj. Ashtu siç përsëritet edhe Ringjallja!  

Para Kryqit të djegur, qe lutur Shën Gjon Pali II

Para Kryqit të djegur, qe lutur Gjon Pali II, gjatë vizitës që bëri në Katedrale, në shkurt të vitit 1996. E gjatë fjalimit, drejtuar besimtarëve, pati theksuar:

“Ju deshët që ky tempull, zemër e Kryedioqezës së Managuas, ku nderoni me devocion Kryqin e lashtë, simbol i 'Gjakut të Krishtit' ardhur këtu nga Spanja që prej tre shekujsh, që e paraqet Jezusin mbi kryq, duke ia ofruar Atit  gjithë gjakun e gjithë njerëzimin, të dominohej nga Krishti i Ngjallur! Mos e harroni kurrë këtë mister të vdekjes e të ringjalljes! As atëhere kur lodhja, vetmia, keqkuptimet nga ana e të tjerëve, mund t’jua pakësojnë entuzìazmin e mund t’jua lëkundin deri në fund të fundit shpirtin. Mos e harroni kurrë se Zoti ju do, gjithherë e gjithkund, se dashuria e tij ju prin e ju shoqëron, gjithnjë, e se fitorja e Tij është garancia jonë!”.  

01 gusht 2020, 09:34