Kërko

Vatican News
At Daniel Gjeçaj OFM At Daniel Gjeçaj OFM 

At Daniel Gjeçaj OFM në pёrvjetorin e kalimit në amshim

Më 30 gusht kujtojmë përvjetorin e vdekjes së françeskanit shqiptar at Daniel Geçajt (Theth, 14/10/1913 – Romë, 30/08/2002). Figurë poliedrike, At Danieli tërë jetën punoi duke iu përmbajtur binomit të njohur që Kleri Katolik Shqiptar ka pasur gjithmonë, për Fè dhe Atdhè.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik të 30 gushtit, kujtojmë pervjetorin e vdekjes së françeskanit e studiuesit shqiptar, atë Daniel Geçajt. Figurë poliedrike, Atë Danieli tërë jetën punoi duke iu përmbajtur binomit të njohur që Kleri Katolik Shqiptar ka pasur gjithmonë, për Fè dhe Atdhè.

Në periudhën më të vështirë e të errët të vendlindjes e të popullit të vet shqiptar, nën regjimin komunist e ateist, Atë Daniel Gjeçaj për vite të tëra qe pikë referimi për diasporën shqiptare dhe emigrantët në Itali e Romë, për të cilët qe atë shpirtëror e mbështetje vëllazërore. Atë Daniel Gjeçaj për vite të tëra ishte edhe bashkëpunëtor i Programit Shqip të Radio Vatikanit që në kohën e themelimit nga dom Zef Shestani, me të cilin bashkëpunoi nga afër e deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Jan të shumta botimet dhe ribotimet e veprave letrare që dolën nga shtypi jashtë atdheut me mbështetjen e Atë Danielit. Ndër to përmendim “Andrrën e Pretashit” te Pater Anton Harapit, “Lahuten e Malcis”, ribotuar dy herë, Vale mbi Vale po e Anton Harapit. Gjithashtu Atë Daniel Gjeçaj shquhet edhe për vepra origjinale si “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra” apo për përkthime te tilla si “Psalmet” dhe Shkrimi i Shenjtë për të cilin punoi deri në fund të jetës.

Në numrin e fundit të revistës së françeskanëve “Hylli i Dritës” (janar-qershor 2019) u botuen disa shënime: frytet e para të pendës së Atë Daniel Gjeçajt OFM ( Theth,14. 10. 1913- Romë †30. 08. 2002) në mërgim. Mund të thirren “Histori, tregue me dy fjalë, e martirizimit të françeskanëve shqiptarë nën komunizëm”.

Janë relacion! Britmë e fuqishme drejtue Papës e botës mbarë, për ta ndalue rrëkenë e gjakut katolik, që vijonte të derdhej në Shqipninë, nën diktaturë, me synim, zhdukjen e plotë të krishtenimit. Pasojë e stuhisë shumë ma të rreptë, se ajo e kohës kur pushtuesi otoman i ngulte në hu të bijtë e vorfën të Shën Françeskut. Sepse predikonin atë liri, që gjindet vetëm aty, ku asht Shpirti i Zotit! Jo i sulltanëve e i diktatorëve.

Në vjetën 1948 Atë Danieli, në kërkim të kësaj lirie, e la ilegalisht Shqipninë për t’u strehue në Jugosllaví, si emigrant politik. Në vjetën 1955 hyni në Italí. Puna e parë që bani ishte me marrë pendën e me shkrue, nësa i vlonte gjaku e i trazohej shpirti nga tragjedia e porsa jetueme, këtë dëshmi. Për ta vu në dijeni së pari Selinë Apostolike, e mandej edhe botën mbarë, përmes shtypit e edhe valëve radiofonike. Shkëputëm nga ky shkrim vetëm Epilogun, titullue: “Dy fjalë për veti: Pse ika prej Shqipnie?”.

“Ika, - shkruen atë Danieli - tue marrë me vete plagët e kujtimet e Kalvarit të vëllazënve të mi françeskanë, të ngjashme me ato të Krishtit. Me tronditjen e Golgotës në zemër. Prandej vonë e mora guximin me folë edhe për Kalvarin tem. Më dukej tepër i lehtë, përballë atij të sivëllazënve. Mbasi u mbyll kuvendi, me lejen e të parëve, vendosa me vijue misionin në Plan, ndërmjet malcorëve të mi. S’kisha çka me ba ma në Shkodër, ku ishte krijue një boshllek i tmerrshëm, që do të vijonte gjatë. Ika e nisa jetën e famullitarit të maleve. Po as atje nuk më lanë në punë teme. Shumë shpejt më vunë prangat. Më çuen në një zyrë, ku po më priste një prej atyne zyrtarëve, që dinë me folë vetëm me shputa e shtjelma. E me një shputë të fortë nisi edhe biseda jonë, që vijoi të kalonte prej pyetjeve, në shputa e prej shputave, në pyetje. Kërkonte prej meje të pohoja se kisha qenë fashist, tradhtar, nazist, spijun, në shërbim të anglezëve e amerikanëve, e, natyrisht, të Vatikanit.  Më kujtonte, në vijim, se kisha marrëdhanie me të arratisunt, me rezistencën antikomuniste, se isha anmik i popullit, se kisha ba e vijojshe me me ba propagandë kundër regjimit, se drejtojshe kryngritësit antikomunistë, mësojshe doktrina të rrejshme kundër komunizmit, i ndalojshe besimtarët me marrë pjesë në parti, kisha organizue atentate të armatosuna e planifikojshe rrëximin e qeverisë. Nuk mund ta kuptojshe ku e kisha gjetë kohën, që duhej për me ba gjithë këto krime përnjëheresh. Po ai burri, që e mbushte kohën e vet vetëm me grushta e shtjelma, besonte plotësisht se mund të baheshin. A se, së paku, mund e duheshin pranue shpejt e shpejt, edhe pa i pasë ba. Nga ora tetë e natjes, deri në tetë të mbramjes, më shkapeste prej një qoshje të odës, në tjetrën. Kur lodhej e këputej, thirrte dy ndihmës, ma të këqij se vetja, krejtësisht të freskët, që e vijonin me devocion veprën e besueme prej eprorit.

Në përfundim të ditës më kërkohej me shkrue një tip rrëfimi, që unë, fajtori, “duhej edhe ta nënshkruaja” të sapo daktilografuem në kopje të mirë. Po firma duhej vu ne nesre natje, pak para se të fillojshin hetimet e freskëta.

Gjatë natës rrëfimi ndryshohej krejtësisht. Nuk mbetej asnjë fjalë prej pohimeve të mia. Në atë copë të re karte, unë pranoja të gjitha krimet, pohoja sabotimet, paraqitesha si fajtor para popullit e partisë e madje edhe kërkoja dënimin me vdekje, pa të drejtë mbrojtje. E kështu për ditë. Nënshkrueje! - bërtiste hetuesi, tue ba gati grushtat. Për fat të mirë qysh herën e parë i hodha një sy asaj karte. E mora guximin mos me firmosë kurrë, çka nuk e kisha thanë me gojë e aq ma pak, çka nuk e kisha ba. E me pranue vijimin e Kalvarit të ditës përpara. Kështu për dy javë rresht. Derisa më  ngrehën rrëshanë mbas një shkambi, në mes të turmës së popullit, e banë sikur më pushkatuen, tue i zhgrehë pushkët përpjetë. Provova mizanskenën e pushkatimit tem, që nuk do të vononte, po të mos i hapshe një rrugë tjetër vetit. Ishte çast i vështirë aq, sa më dukej si me pasë plumbat në trup edhe mbasi, për çudi, më liruen, tue më premtue se do të ritakoheshim së shpejti. Kur ktheva në shtëpi, e gjeta Tringën, domethanë loken, që jetonte me mue, të shndërrueme në një nanë guri!  Kujtonte se po i dukej fantazma ime. Vonë e herë u shkri dhe kuptoi se isha gjallë. Se duhet të mbetesha gjallë. Prandej më dha bekimin, kur vendosa të marr rrugën e gjatë, ndoshta pa kthim, të mergimit. Një ditë prej ditësh, mergimtarët e tjerë më treguen se kishte mbyllë sytë me emnin tem në gojë, pranë votrës së shueme, sepse robtë e shtëpisë ishin internue të gjithë. Për fajin tem!

Sa herë kujtojshe këto ngjarje, përsëritshe me mend versetet e Psalmit 73:

Sjelli gjurmët tueja kah këto gërmadha të përhershme;

anmiku ka rrenue gjithçka në shenjtnoren tande.

Kundërshtarët tú uluruen në tempull tand,

si shenj fitimi  ngrehën flamujtë e vet.

 Si ai që spatën nalt e vringëllon

në një pyllë,  ku të jetë ma e shpeshta;

 me spatë edhe me latë

dyert e tij i coptojnë.

I kanë dhanë flakë shenjtnores sate,

shkelë e dhunue kanë tabernak’llin e emnit tand.

 Në zemër të vetën thonë: “Ata t’i qesim faret,

shkrumboni tana shenjtnoret e Hyut përmbí tokë!”.

E jo ma pak, kujtojshe edhe deklaratat njerëzore për të Drejtat e  Njeriut,  nënshkrue qysh heret në histori, për t’i vu pritë shëmtimeve, që sapo i kujtuem, tue nisë nga Magna Charta e Enrikut III (1215-1225), për të vijue me Deklaratat e Kushtetutën amerikane (1776-1787), franceze (1789-1799), me Kartën e San Franciskos (26. 06.1945), Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB-së (10. 12. 1948), Paktin Ndërkombëtar të OKB-së (16. 12. 1966); Traktatin e Romës (04. 11. 1950), Konferencën mbi Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë të Helsinkit (03. 07. 1973 - 01. 08. 1975), traktatet e Beogradit (1977- 1978) të Madridit (1980-1983), të Vjenës(1986), të cilat vijojnë të kërkojnë gjyq edhe për ma se një gjysë shekulli tragjik në Shqipni, që la mbrapa gjurmë të pashlyeshme gjaku. Në emën të asaj lirie, që lind me njeriun, e vdes me të, nën thundrën e përdhunës. Për të rilindë përsëri, bashkë me lirinë e vërtetë! Atje ku asht Shpirti i Zotit!

30 gusht 2020, 10:51