Kërko

2019.08.02 Sant Eusebio di Vercelli, 2 agosto 2019.08.02 Sant Eusebio di Vercelli, 2 agosto 

Mё 2 gusht kalendari kishtar kujton shёn Euzebin e Verçelit, ipeshkëv

Shkalla e vërtetë e vlerave, duket sikur na thotë e gjithë jeta e Euzebit, figurë e ndritur e shekullit IV, nuk vjen nga perandorët e djeshëm e as të sotëm, por vjen nga Jezu Krishti. E kështu Shën Euzebi, që ishte shumë i lidhur me qytetin e tij, në të cilin nuk banonte vetëm popullsi e krishterë, por edhe njerëz që nuk e ndiqnin Kishën, arriti të bëhet prijës shpirtëror i të gjithëve.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike, mё 2 gusht, përkujton Shën Euzebin, që njihet me atributin “i Verçelit”, gjë që zakonisht tregon vendlindjen, në të vërtetë lindi në Sardenjë nga fundi i shekullit III dhe fillimi i shekullit IV. Emrin Euzeb e mori në Romë ku, si vendosi të kthehej në fenë e krishterë, u pagëzua nga Papa Euzebi. Aty nga viti 345, pasi kishte kryer studimet kishtare, fitoi admirimin e Papës Juli I, i cili e emëroi ipeshkëv të Verçelit. Këtu vendosi të jetonte në kuvend, së bashku me priftërinjtë e tij, duke e lidhur, kështu, ngushtë ungjillëzimin me stilin e jetës murgare. 

Ishte shok i ngushtë me Liberin, që më pas do të bëhej Papë. I bashkonte dëshira për ta jetuar deri në fund të fundit Ungjillin. Gjatë veprimtarisë së tij si ipeshkëv i Verçellit, vend që i dha atributin, hasi vështirësi të mëdha aq, sa për qëndrimin e tij të palëkundur, u internua në Azi nga perandori arian Kostanci, së bashku me ipeshkvin e Milanos, Dionizin. Atje u torturua, vuajti nga uria e nga etja por, pati fatin të rikthehehej në selinë e vet Ipeshkёvnore, njëherësh me Dionizin.

Shën Euzebi e drejtoi Kishën e Verçellit me urti e shenjtëri edhe dhjetë vjet pasi u kthye nga internimi. Ia fitoi zemrën të gjithëve me oratorinë e jashtëzakonshme. E jo vetëm sepse fliste mrekullisht mirë, por ajo që ka më tepër rëndësi, sepse shprehte atë që e ndjente në thellësi të shpirtit. E ashtu si kishte jetuar me frymën e Ungjillit, ashtu edhe vdiq. Kur mbylli sytë në qytetin ku ishte ipeshkëv e ku ruhen edhe sot reliket e tij, edhe viti 371 numëronte ditët e fundit.

Dëshmia e Shën Euzebit të Verçelit, ipeshkvit të parë të Italisë veriore dhe thirrja kundër mjerimit në botë, ёshtё njё porosi tejet e rëndësishme edhe pёr Kishёn e sotme. Shërbimi dhe besnikëria ndaj Kishës: kёto tiparet e Shёn Euzebit. Të shpëtosh shkallën e drejtë të vlerave, pa u përkulur kurrë para modave të çastit e preteksteve të padrejta të sundimtarëve: kjo ёshtё një nga mësimet e ipeshkvit të Verçelit, figurë e ndritur e shekullit IV.

Kur perandori mbështeti herezinë ariane tё asaj kohe, Euzebi u detyrua të merrte udhën e hidhur të internimit, thjeshtë sepse nuk pranoi të mohonte fenë e vet, nuk pranoi të mohonte natyrën plotësisht hyjnore të Jezusit, përcaktuar nga Koncili Kishtar i Nikesë: e ky është një nga elementet kryesore të shenjtërisë së tij. Një element tjetër është themelimi nga ana e tij e një bashkësie meshtarake sipas modelit monastik a murgar. E kjo do të thotë se ai pati ndjekur e u pati kërkuar edhe ipeshkvijve të ndiqnin rregullat e jetës murgare, ndonëse jetonin në zemër të qyteteve; u pati kërkuar edhe të merrnin pjesë në zgjidhjen e problemeve të bashkëqytetarëve, por duke pasur në zemër një qytetari tjetër, të ndryshme, atë të Qielli.

Shkalla e vërtetë e vlerave, duket sikur na thotë e gjithë jeta e Euzebit, nuk vjen nga perandorët e djeshëm e as të sotëm, por vjen nga Jezu Krishti. E kështu Shën Euzebi, që ishte shumë i lidhur me qytetin e tij, në të cilin nuk banonte vetëm popullsi e krishterë, por edhe njerëz që nuk e ndiqnin Kishën, arriti të bëhet prijës shpirtëror i të gjithëve.

Sipas traditës, themeloi dy shenjtërore shumë të njohura: atë të Oropës (Biela e sotme) dhe atë të Kreas (Aleksandria e sotme). Shën Euzebi është pajtor qiellor i zonës piemonteze të Verçelit në Itali. Emri i tij vjen nga greqishtja e do të thotë njeri i mëshirshëm, që jeton me frikën e Zotit, ndërsa simbolet e Shenjtit janë shkopi baritor dhe mitra. 

02 gusht 2020, 09:04