Kërko

Kurban Bajrami në Tiranë Kurban Bajrami në Tiranë

Urimet e ipeshkvijve të Shqipërisë për myslimanët, në festën e Kurban Bajramit

Me rastin e festës islame të Kurban Bajramit, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë u bën një vizitë bektashinjve, ndërsa kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit u dërgon të gjithë myslimanëve një mesazh urimi.

R.SH. - Vatikan

Edhe besimtarët myslimanë shqiptarë, si e gjithë bota islame, festuan sot festën e flijimit Id al-Adha, apo Kurban Bajramin, siç e njeh populli. Në kohë pandemie, bashkësia myslimane vendosi të mos bëjë pritje, por dyert i hapi për pak vetë Kryegjyshata Bektashiane. Aty bënë sot një vizitë kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse.

Imzot Angelo Massafra
Imzot Angelo Massafra

          Ndërkaq, që dje, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u dërgoi të gjithë myslimanëve një mesazh urimi, ku vë në dukje se festa e sotme kujton provën e fesë së Abrahamit, i cili për të dëshmuar se besonte në Hyjin, u tregua i gatshëm të flijonte djalin e vet. E Zoti e shpërbleu besnikërinë e tij, duke i dhënë një qengj për fli e duke ia shpëtuar djalin. “Kurbani i vërtetë, si flijimi i Abrahamit, - shkruan imzot Massafra – është respekti i të drejtave njerëzore dhe i lirisë së fesë, është besimi ndaj tjetrit, si na ka dëshmuar Abrahami, ati ynë i përbashkët në fe”.

Imzot George Frendo
Imzot George Frendo

          Bashkimi shpirtëror, që i ka rrënjët në besimin në Zotin e vetwm, vihet në dukje nga imzot George Frendo, i cili, në një mesazh zanor për Radio Vatikanin, shpjegon se gjatë vizitës tek bektashinjtë u bëri thirrje edhe politikanëve të marrin shembull nga ata besimtarë të të gjitha feve, që shikojnë çfarë i bashkon e jo çfarë i ndan, në shërbim të së mirës së përbashkët të të gjithëve. Ta dëgjojmë…

Dëgjo imzot Frendon...

 

31 korrik 2020, 17:20