Kërko

Vatican News
 Jeruzalemi Jeruzalemi 

Shtegtim drejt Tokës Shenjte

Në emisionin e dytë të rubrikës “Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, parë si shtegtim virtual në caqet kryesore historike të shtegtimeve, që janë Jeruzalemi-Toka Shenjte, Roma, Lurda e Santiago de Compostela, për të kaluar pastaj në caqet kryesore shqiptare të shtegtimeve, në Shenjtëroret e Zojës e të Shëna Ndout, sot ju ftojmë për shtegtim drejt Tokës Shenjte…

Po ndalemi, pra, së pari tek Toka Shenjte, që shtrihet ndërmjet Detit Mesdhe e lumit Jordan, tejet tërheqëse për shtegtarët, të cilët vijojnë të rrajnë në shekuj nga mbarë bota.

Është tejet tërheqëse për shtegtarët, Toka Shenjte, që shtrihet ndërmjet Detit Mesdhe e lumit Jordan. Duke nisur nga  fundi i luftës II botërore, zona është qendër e konfliktit arabo-izraelit.

Për hebrenjtë, është Toka e Premtuar, a toka drejt së cilës Zoti i priu popullit të zgjedhur përmes Moisiut profet. Për ta, monumentet më të rëndësishme janë Muri Lindor i Tempullit të Jeruzalemit - Muri i lotëve - dhe Kupola e Shkëmbit.

Për të krishterët, që kanë të përbashkët me hebrenjtë Besëlidhjen e Vjetër, është edhe toka ku lindi, vdiq e u ringjall Jezu Krishti, mishërim i Fjalës së Zotit. Në këto troje gjinden viset e lidhura me jetën e Mesisë: Betlehemi, Jeruzalemi, Nazareti…

Myslimanët besojnë se kjo është toka në të cilën Muhameti  arriti të përfundojë shtegtimin imagjinar të natës (isra) në Parajsë, pasi kishte përshkuar ferrin. Kupola e shkëmbit, në Jeruzalem, u lartua në kohën e omajadeve, pikërisht në vendin, ku nisi ngjitja në qiell e profetit të Islamit.

Vendet kryesore, që  meritojnë të vizitohen janë:

Jeruzalemi, vend i disa prej predikimeve të Jezusit, por, sidomos, vend i Darkës së Mbrame, domethënë, i themelimit të Eukaristisë. Pastaj, Betlehemi, vendi ku lindi Krishti; Nazareti, vendi ku Zoti kaloi  fëmijërinë e ku gjindet Bazilika e Lajmërimit të Zojës. Gjatë kryqëzatave shtegtarët  krishterë shpesh kërkonin vise të reja të shenjta, sidomos në fillim të shekullit XII. Ndërmjet tyre kujtojmë Zipporin, ku Virgjëra Mari pati treguar se priste një fëmijë; lumin Jordan, ku u pagëzua Jezusi; shpellën e Shën Gjon Pagëzuesit; Detin e Galilesë, malin Tabor, ku u shndërrua Krishti; Jerikon, udhën që përshkoi Samaritani i mirë…

Vise, që i pati përshkuar edhe Shën Françesku, më 1219, duke lënë pas, si roje të këtyre viseve, fretërit e tij.

Termi “Tokë Shenjte” gjindet edhe në Kuran e të kujton çlirimin e hebrenjve nga Egjipti,

Ndërmjet gjithë këtyre viseve, që meritojnë të vizitohen nga shtegtarë të tri feve monoteiste, e jo vetëm prej tyre, shquhet sidomos Jeruzalemi, me një histori tejet të pasur, që mbetet gjithnjë shenjt për të krishterët e mbarë botës. 

29 korrik 2020, 11:23