Kërko

 Manastiri i Guadalupes Manastiri i Guadalupes 

Në Spanjë, më 2 gusht, hapet Porta Shenjte e Zojës së Guadalupes

Me kremtimin e hapjes dhe Meshën Shenjte do të nisë Jubileu i Zojës së Guadalupes, që do të përfundojë më 8 shtator 2021. Me këtë rast ipeshkvijtë spanjollë kujtuan, përmes një letre, se “shtegtimi në Guadalupe” e shndërron njeriun, i jep guxim t’ia hapë zemrën Zotit e të shikojë ëndrra të ndritura.

R. SH. - Vatikan

“Guadalupe: Streha e Marisë, Shtëpia e Shërimit”- ky, titulli i letrës baritore, nënshkruar më 16 korrikun e kaluar nga kryeipeshkvi i Toledos, imzot Francisco Cerro Chaves dhe nga ipeshkvijtë e dioqezës së Estremaduras - Celso Morga, kryeipeshkëv i Mérida-Badajoz; José Luis Retana, ipeshkëv i Plasencia e Diego Zambrano, administrator dioqezan i dioqezës së Coria-Cáceres - me rastin e Vitit Jubilar të Guadalupes, i cili do të nisë më 2 gusht, me hapjen e Portës Shenjte të Manastirit të Shën Marisë. Kremtimi, që do të nisë në orën 12.00, do të kryesohet nga kryeipeshkvi i Toledos, në bashkëkremtim me ipeshkvijtë e dioqezës së Estremadurës. Viti Shenjt Guadalupian do të përfundojë më 8 shtator 2021, në përkim me 25-vjetorin e njohjes së Manastirit “Pasuri e njerëzimit”.

Jubileu, shtegtim i popullit të Zotit

Prelatët, në krye të dokumentit, bëjnë një shtegtim historik, duke kujtuar kurorëzimin papnor të ikonës, nga kardinali Segura, më 12 tetor 1928, kurorëzim që Kisha në shtegtim në Estremadura e priti me entuziazëm  e kënaqësi të pashoqe, duke falënderuar bashkësinë françeskane brenda Manastirit e duke kujtuar edhe lidhjet e monarkisë me këtë vend marian, që nga kohët e mbretëreshës Izabela, mbiquajtur “Katolikja”, e duke nënvizuar  angazhimin e ipeshkvijve të Toledos, “posaçërisht atyre të gjysmës së dytë të shekullit XX, “që qenë pranë bashkësisë në të gjitha shqetësimet dhe veprimtaritë e saj”.

Jubileu “është ngjarje kishtare me rëndësi të dorës së parë - pohojnë prelatët - në të cilin dëshirojmë të marrë pjesë i gjithë populli i Zotit, shtegtar në dioqezën Estremadura”.

Guadalupe, Betania e re

Të nisesh për shtegtim në Guadalupe - saktësojnë - nuk mjafton t’i ndryshojmë zemrat tona, të bëjmë kthesë e të shërohemi shpirtërisht, por edhe, e sidomos, t’i japim zemër vetes për të shikuar lart e larg, për të ëndërruar ëndrra të ndritura e për t’ia hapur zemrat ndjesive fisnike, që na çojnë në një cak, të cilin as që mund ta përfytyrojmë”. Shenjtërorja mariane - vijojnë ipeshkvijtë -  është vend shërimi e takimi me Krishtin e Marinë. E duhet të bëhet Betani e re, qendër përshpirtërie, ku mund të shkosh e të pushosh në Zotin e në të Lumen Virgjër Mari. Vend, ku mund të dëgjosh, të meditosh, të lutesh në paqe. Me bindjen se Shenjtërorja i ka gjithnjë krahët e hapur për kulturën, për takimin, për dinjitetin njerëzor, në të gjitha këndvështrimet e tij.

Një mendim, për kë u prek nga pandemia

Së fundi, letra baritore u drejtohet të gjithë atyre që, për shkak të pandemisë së coronavirusit, humbën njerëz të familjes, miq e dashamirë: “Mos harroni - përfundojnë - kur të jeni në shtegtim drejt Guadalupes, se i kemi pranë edhe ata - që nuk janë më mes nesh  - por që na inkurajojnë nga qielli e na bëjnë thirrje ta jetojmë këtë Vit Jubilar me dhembshuri e mëshirë. E ne mund t’i marrim përsëri për dore, falë fesë, shpresës e dashurisë, në pragun e Portës Shenjte të qiellit, e kështu t’i përqafojmë e t’u themi sa shumë vijojmë t’i duam”.

 

31 korrik 2020, 10:46