Kërko

Vatican News
 E Shenjtnueshmja Trini E Shenjtnueshmja Trini 

Lajmëtari i Shëna Ndout boton librin “Trinia mes nesh”

Lajmëtari i Shëna Ndout boton librin “Trinia mes nesh, tekste të mjeshtrave shpirtërorë”, nën kujdesin e Scolastica Blackborow.

R. SH. - Vatikan

“Trinia mes nesh. Tekste të mjeshtrave shpirtërorë”, nga Scolastica Blackborow. Ky është titulli i vëllimit, publikuar nga Shtëpia Botuese e “Lajmëtarit të Shëna Ndout” të Padovës, nën kujdesin e Scolastica Blackborow, themeluese dhe presidente e Shoqatës së vullnetariatit Oaza, themeluar më 1993 për të shoqëruar të sëmurët me kancer të spitalit të Ferrarës. Është një antologji e vogël, por shumë e pasur me teskte prekëse:  nga Shën Atanasi - tek Paul Jaegher, nga Shën Gjon Pali II - tek Shën Elizabeta e Trinisë, nga Shën Tereza e Jezusit - tek Georges Lefébvre, për të kujtuar vetëm disa prej tyre. “Libri - siç shkruan në paraqitje  mëkëmbësi i përgjithshëm i kryedioqezës Ferrara-Comacchio, imzot Massimo Manservigi, mund ta ndihmojë njeriun të ecë në dritë, i prirë nga Shpirti Shenjt, brenda një bashkësie me fytyra e histori, nga të cilat mund të mësosh shumë, të marrësh këshilla, të gjesh ngushëllim e, sidomos, të thellosh miqësinë me Krishtin e me Trininë, që banon në shpirtin e secilit prej nesh e na shtyn drejt të tjerëve”.

Është një rrugë, personale e komunitare, kjo e Blackborow, e nisur  50 vjet më parë me leximin dhe komentin e teologut domenikan Marie Michal Philipon, “Doktrina shpirtërore e Motrës Elizabeta e Trinisë”.

Edhe falë teksteve si ky, e sidomos, atyre të Etërve të Kishës, mistikë e mistike, teologë e teologe, të lashtë e të rinj - autorja - siç shkruan ajo vetë në parathënie, nis ta shikojë jetën shpirtërore  si  bashkëdepërtim i shpirtit në Zotin e i Zotit në shpirt: bashkëjetesë reciproke, që  na hapet përpara, për ta pranuar!

15 korrik 2020, 11:42