Kërko

Vatican News

Krishti, Zoti ynë, na flet

Në Katedralen e madhe të qytetit gjerman Lübeck, të bie menjëherë në sy një rrasë, ku lexohen, të skalitura disa fjalë, që Krishti vijon t’ua drejtojë njerëzve të të gjitha vendeve e të të gjitha kohëve

R. SH. - Vatikan 

Ju më thoni Mësues, e nuk më pyesni;

Ju më thoni Dritë, e nuk më shihni;

Ju më thoni Udhë, e nuk më ndiqni;

Ju më thoni jetë, e nuk më dëshironi;

Ju më thoni dije, e prej meje nuk mësoni;

Ju më thoni i Hijshëm, e nuk më doni;

Ju më thoni i pasun, e nuk më lypni;

Ju më thoni i Amshuem, e nuk më kërkoni;

Ju më thoni i dhimbshëm, e nuk më besoni;

Ju më thoni Bujar, e nuk më shërbeni;

Ju më thoni i Gjithëpushtetshëm, e nuk më nderoni;

Ju më thoni i drejtë, e nuk më droni,

Per n’ju çofsha në zjarm të pasosun,

mos harroni….

Historia e kërkimit të idhujve nisi heret. Njëheresh me njeriun!

E “viçi i artë” është simbol i gjithë idhujve.

Gjatë ravgimit nëpër shkretëtirën e jetës, nis kërkimi i idhujve

Historia e kërkimit të idhujve nisi shumë heret. E vijoi, kur njerëzit endeshin nëpër shkretëtirë, vend i thatë, i egër, i pasigurt, “simbol i vetë jetës njerëzore”, kushtet e së cilës janë krejt të paqarta e pa asnjë garanci jete. E vijon…

Mund të vdesësh nga çasti në çast. Ose mund të jetosh si qen, rrugash! E pikërisht pasiguria ngjall ankthet e para, pyetjet e para, ngarkuar me një mori të panjohurash. E më të parat: “Ku do të gjejmë për të ngrënë e për të pirë?”. Pyetje, që krijojnë truall  të pëlleshëm për idhujtari.

Natyra njerëzore, për të shpëtuar nga mungesat, vihet në kërkim të një feje, të cilën nuk përton aspak ta sajojë sipas dëshirave: fe më vete! Në se Zoti nuk po na duket, ta bëjmë një zot, sipas masës sonë! “Para idhullit mund të përkulesh pa frikë se të bën thirrje të dalësh nga siguritë tua, sepse idhujt ‘kanë gojë, por nuk flasin’ (Ps. 115,5). E kuptojmë, atëhere, se idhulli është pretekst, që na hap udhën për ta vënë vetveten në qendër të realitetit, “nësa adhurojmë veprën e duarve tona”. E i kundërvihemi, duke u shitur për shumë më pak se 30 monedha argjendi, që mori Juda kur shiti Krishtin!

Suksesi, pasuria e paraja: tundime të përhershme

Nevoja për të pasur një idhull e shtyn Aronin të krijojë viçin - askohe simbol i pjellorisë, i begatisë, i energjisë, i forcës - derdhur në ar e, prej këndej, edhe simbol që flet vetë, e menjëherë, për pasurinë. Sukses, pushtet, para  janë tundime, që vijojnë gjithnjë! Ja, pra, ç’është viçi i artë: simbol i të gjitha dëshirave, që të krijojnë iluzionin e lirisë, ndërsa të skllavërojnë.  E Zoti pikërisht këtë kërkon: “Ta shkulë idhujtarinë nga zemra jonë. E të na e  mbushë zemrën me dëshirat e Tij. Kjo na ndihmon edhe ta përballojmë ligështinë tonë, paqartësinë, pasigurinë.  Pa epërsinë e Zotit, njeriu bie lehtësisht në idhujtari e kënaqet me siguritë e tij mjerane.

Ligështia nuk është fatkeqësi

E pra ta pranosh Jezusin, që u bë i varfër për ne, do të thotë “të pranosh se ligështia jote nuk është fatkeqësi e jetës njerëzore, por kusht për t’ia hapur zemrën Atij, që është vërtet i fortë”.

Nëpër portën e ligështisë, hyn shëlbimi i Zotit (krh 2 Kor 12,10) e pikërisht forca e mangësisë e shtyn njeriun t’ia hapë zemrën atësisë së Zotit. Liria e njeriut lind, kur pranon se Hyji i vërtetë është i vetmi Zot. Kjo na krijon kushtet të pranojmë ligështinë tonë e t’i dëbojmë idhujt nga zemra jonë.

Në Krishtin nuk ka mashtrim marramendës

Kur e shikojmë Krishtin e Kryqëzuar, ne, të krishterët, pranojmë se në Të “ashtu të ligshtë, të përbuzur, të zhveshur nga çdo pasuri”,  është fytyra e vërtetë e Zotit, “lavdia e dashurisë e jo e mashtrimit marramendës” .

Ne mund të na shërojë vetëm Ai, që u bë i varfër, që e pranoi dështimin, që mori mbi vete, deri në fund të fundit, ligështitë tona, për t’i mbushur me dashuri e me forcë. Ai vjen për të na dëshmuar atësinë e Zotit: në Krishtin, ligështia jonë nuk është më mallkim, por cak takimi me Atin e gurrë e forcës, që vjen nga lart!

11 korrik 2020, 11:19