Kërko

Vatican News

Kishat ortodokse për Shën Sofinë: “Goditje e fortë për të krishterët e gjithë botës”

Moska, Rumania, Qipro, Gjeorgjia. Bota ortodokse reagon ashpër ndaj vendimit për ta kthyer Hagia Sophia të Stambollit në një xhami. “Është goditje e fuqishme për ortodoksinë botërore”, thotë hapur mitropoliti rus Hilarion. “Mendoj se ky vendim do të ndikojë me siguri në marrëdhëniet e Turqisë me botën e krishterë. Më se një herë, edhe gjatë ditëve të fundit, dëgjuam zëra krerësh të krishterë, që u bënë thirrje autoriteteve turke të ndalen”. Por ata nuk deshën.

R.SH. - Vatikan

Bota ortodokse reagon ashpër ndaj vendimit për ta kthyer Hagia Sophia të Stambollit në xhami. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e dha njoftimin pas vendimit të Këshillit të Shtetit për anulimin e statusit të muzeut për bazilikën e dikurshme të krishterë. Në dekretin e nënshkruar nga Erdogan dhe botuar në profilin e tij Twitter, thuhet: “u vendos që Hagia Sophia të vihet nën administrimin e Diyanet-it” (autoritetit shtetëror për çështje fetare, i cili administron xhamitë e Turqisë), e “të rihapet për lutjen islame”, duke filluar nga e premtja, 24 korrik. Këshilli i Shtetit turk anuloi dekretin e 24 nëntorit 1934 të presidentit të atëhershëm Mustafa Qemal Ataturk, i cili e ktheu Shën Sofinë në muze. Vendimi u mor unanimisht, duke pranuar ankesën e paraqitur në vitin 2016 nga një grup i vogël lokal islamik, Shoqata për Mbrojtjen e Monumenteve Historike dhe të Ambientit.

Të menjëhershme e të ashpra, reagimet e botës ortodokse

 E para që ngriti zërin është Patriarkana e Moskës. “Shpresuam që autoritetet turke ta rishikojnë vendimin, por me keqardhje dhe me dhimbje të madhe mësojmë se është marrë tashmë”, pohon mitropoliti Hilarion, kreu i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të Patriarkanës së Moskës, duke komentuar lajmet në një intervistë me “Rusia 24”. Shndërrimi i Shën Sofisë në xhami “është goditje e rëndë për ortodoksinë botërore, sepse për të krishterët ortodoksë në të gjithë botën, kisha e Shën Sofisë ka të njëjtën vlerë, që ka për katolikët bazilika e Shën Pjetrit në Romë. Tempulli u ndërtua në shekullin VI dhe iu kushtua Krishtit Shëlbues, prandaj, për ne, mbetet një tempull kushtuar Shpëtimtarit”.

Deklarata e mitropolitit Hilarion

“Unë mendoj - vazhdon numri dy i Kishës Ortodokse Ruse - që vendimi do të ndikojë me siguri në marrëdhëniet e këtij vendi me botën e krishterë. Më se një herë, edhe gjatë ditëve të fundit, kemi dëgjuar zërat e krerëve të krishterë të cilët u bënë thirrje autoriteteve turke të ndalen”. Edhe Patriarku i Moskës, Kirill, në një deklaratë të botuar më 6 korrik, shprehu shqetësimin e tij për fatin e “njërës prej kryeveprave më të mëdha të kulturës së krishterë”. Stambolli është shtëpia e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës. Në deklaratë, Patriarku rus kujton se kohët e fundit ka pasur periudha “nganjëherë mjaft të vështira në historinë e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Kostandinopojës”. Por më pas, shton: “Sidoqoftë, me hidhërim dhe indinjatë, populli rus i është përgjigjur në të kaluarën dhe i përgjigjet edhe tani çdo përpjekjeje për ta degraduar a shkelur trashëgiminë shpirtërore mijëvjeçare të Kishës së Kostandinopojës”.

Kishat Ortodokse mbrojnë Patriarkanën Ekumenike të Kostandinopojës

Patriarku Bartolomeu mbajti qëndrim të hapur e të qartë kundër planit për ta shndërruar Shën Sofinë në xhami e, më 1 korrik, denoncoi: “Kthimi i Shën Sofisë në xhami do të zhgënjejë miliona të krishterë në botë”, theksoi ai, duke kërkuar që shndërrimi i Shën Sofisë të mos bëhet “shkak konfrontimi dhe konflikti” në shekullin XXI. Nga Qipro, sipas faqes së internetit “Orthodox Times”, kryepeshkopi Chysostomos pohon se nuk dëshiron ta kontaktojë Patriarkun ekumenik, sepse “turqit përgjojnë telefonat”. Chysostomos është i shqetësuar, pasi “Patriarku ekumenik jeton në Turqi – nënvizon - dhe e dimë mirë se çdo frymëmarrje e tij i bezdis turqit. Duhet ta mbrojmë atë dhe jo ta vëmë në vështirësi. Situata është delikate”. Edhe Patriarkana e Gjeorgjisë mban qëndrim. Në një kohë kur “njerëzimi përballet me shumë sfida globale, është tejet e rëndësishme të ruhen dhe të forcohen marrëdhëniet e mira ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve”, thuhet në një deklaratë. Patriarku Daniel, kreu i Kishës Ortodokse të Rumanisë, nga ana tjetër, i dërgon një letër Patriarkut ekumenik Bartolomeu, për t’i shprehur mbështetjen dhe për t’u ripohuar “solidaritetin e tij gjithë atyre, që mbrojnë këtë simbol të Kishës universale”.

Të ashpra, edhe qëndrimet e qeverisë greke dhe asaj qipriote. Ministri i Jashtëm i Qipros, Nikos Christodoulidis, nënvizon në një tweet “shkeljen e vazhdueshme dhe flagrante të detyrimeve ndërkombëtare nga ana e Turqisë”, që ia ndryshoi destinacionin Shën Sofisë, “vend i trashëgimisë botërore dhe simbol universal i besimit ortodoks”. Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias, shkruan po në Twitter: “Njoftova kolegët e mi për vendimin provokues të Turqisë - kundër trashëgimisë kulturore botërore dhe Unesco-s – që anuloi dekretin e vitit 1934 të Qemal Ataturkut për mbrojtjen e Shën Sofisë”.

(bazuar mbi artikullin "Turchia: Santa Sophia torna moschea. Chiese ortodosse: “Un duro colpo ai cristiani di tutto il mondo” publikuar në agjencinë katolike Sir)

13 korrik 2020, 15:21