Kërko

 Atmosfera e trishtuar e Covi-19 Atmosfera e trishtuar e Covi-19 

Katër leksione mbi “Zotin, të keqen e dhimbjen e pafaj”

Covid 19: Qendra e studimeve rosminiane dhe Pul (Universiteti Papnor Lateranens), në gusht do të mbajnë 4 leksione, titulluar “Leksionet e Teodikesë”, mbi “Zotin, të keqen e dhimbjen e pafajshme”. Përpjekje për t’u dhënë përgjigje njerëzore e kristiane atyre, që pyesin sot për kuptimin dhe zanafillën e së keqes, në përgjithësi, e të koronavirusit, që vijon ta trondisë mbarë botën, në veçanti.

R. SH. - Vatikan

“Leksione të Teodikesë. Zoti, e keqja e dhimbja e pafaj”. Kjo është tema, që Qendra ndërkombëtare e studimeve rosminiane e Stresa-s, në bashkëpunim me Universitetin Papnor Lateranens të Romës, ua propozon studiuesve dhe miqve të Rosminit, si shenjë e vazhdimësisë së Simpoziumeve Rosminane, ndërprerë sivjet për shkak të pandemisë, në vijim. Teodikea, fjalë që vjen nga greqishtja theos-Zoti e dike-drejtësia (Drejtësia e Zotit) është një degë e teologjisë, që studion lidhjen ndërmjet drejtësisë së Zotit e pranisë të së keqes në botë. Prej këndej, quhet edhe teologji natyrore e, në shekullin XIX, nga kultura franceze, teologji racionale.

Leksionet do të jenë katër, një për çdo ditë të kursit, parashikuar për këtë vit , në periudhën 25-28 gusht, nga ora 18.00 deri në orën 19.00. Të martën, më 25 gusht, pas një përshëndetjeje të shkurtër të rektorit të Universitetit Papnor Lateranens, Vincenzo Buonomo dhe të drejtorit të Qendrës Rosminiane, atë Umberto Muratore, Giuseppe Lorizio do të mbajë fjalimin e hapjes, titulluar: “Ateizmi tragjik dhe drejtësia hyjnore”.

Temat e katër leksioneve

Të mërkurën, 26 gusht, Umberto Muratore do të flasë për “Teodikenë  e Antonio Rosminit”. Të enjten, 27, për temën “Teodikea dje e sot. Tragjizmi banal i së keqes”. Të premten, 28 gusht, ciklin do ta mbyllë Vito Nardin, atë i përgjithshëm i Rosminianëve, me leksionin: “Për çdo të keqe, kujdesi i Zotit”.

Tema e zgjedhur për këto leksione synon të jetë kontribut, i cili ndihmon për t’i dhënë përgjigje njerëzore e kristiane atyre, që pyesin sot për kuptimin dhe zanafillën e së keqes në përgjithësi, e të koronavirusit, që vijon ta trondisë mbarë botën, në veçanti. Pjesëmarrja është e lirë e falas, por këshillohet regjistrimi paraprak, brenda 10 gushtit. Katër leksionet mund të ndiqen nga Webex dhe nga faqja Facebook e qendrës ndërkombëtare të studimeve rosminiane www.rosmini.it

Kujtojmë se Rosminianë quhen anëtarët e Urdhërit të themeluar nga Antonio Rosmini, më 1828 e, miratuar nga Papa Gregori XVI, në vitin 1839.  Tiparet themelore të këtij urdhëri i gjejmë në Massime di perfezione cristiana. – “ Fjalë të urta për përsosurinë e krishterë”, shkruar nga themeluesi, Rosmini. Selia e Qendrës Ndërkombëtare e Studimeve Rosminiane ndodhet në Stresa, në “Vilën dukale” të shekullit XVII, ku Antonio Rosmini kaloi pesë vitet e fundit të jetës.

23 korrik 2020, 12:56