Kërko

Vatican News
 Imzot  Henrique Soares Imzot Henrique Soares  

Coronavirus, vdes ipeshkvi i Palmares, në Brazil

Vdiq në moshën 57 vjeçe, imzot Henrique Soares da Costa. Me të arrin në tre numri i ipeshkvijve viktima të Covid-19 në Brazil, që mbetet vendi i dytë në botë për numër të prekurish nga pandemia, rreth dy milionë, e më se 78 mijë të vdekur.

R. SH. - Vatikan

Imzot Henrique Soares da Costa vdiq dje, në moshën 57 vjeçare. Me të, arrin në tre umri i prelatëve të vdekur nga Covid-19 në Brazil, që mbetet vendi i dytë në botë për numër të prekurish nga pandemia, rreth dy milionë, e më se 78 mijë të vdekur.

Prelati mbylli sytë dje, në Palmares të shtetit brazilian Pernambuco. Qe shtruar më 4 korrik në repartin e urgjencës të Spitalit “Memorial San José”, në Recife. Njoftimin e jep Konferenca ipeshkvnore braziliane. (Cnbb).

Besimtarët, në lutje për ipeshkvin

Gjendja e tij shëndetësore  u keqësua ditët e fundit, kur diagnoza tregonte se ishte prekur nga Covid 19. Në fillim të javës besimtarët e dioqezës së Palmares u gjunjëzuan në lutje, transmetuar edhe përmes mjeteve të komunikimit.

I lindur më 1963, në Panado, në Shtetin e Alagoas, i diplomuar në Filozofi pranë Universitetit Federal të Alagoas (Ufal) e më pas edhe në  Teologji Dogmatike, pranë Universitetit Papnor Gregorian, në  Romë, imzot Costa qe shuguruar meshtar më 1992. Pas disa detyrash të ndryshme, në vitin 2009, u emërua nga Benedikti XVI ipeshkëv ndihmës i Aracaju. Ipeshkëv i Palmares nga viti 2014, ishte edhe gazetar.

Ipeshkvi i tretë brazilan, që vdes n ga Covid-19

Imzot da Costa është ipeshkvi i tretë brazilian, që vdes nga Covid-19, pas imzot  Aldo Pagotto, kryeipeshkëv nderi i Paraiba, i sëmurë prej kohe nga tumori, që ndërroi jetë më 14 prill. Para tij, më 1 qershor, vdiq në moshën 78 vjeçare, imzot Pedro Ercílio Simon, kryeipeshkëv nderi i Passo Fundo.

20 korrik 2020, 09:01