Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Shën Palit për Timoteun, testamenti i apostullit

Pas së parës, sot, do të shqyrtojmë Letrën e dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut. Nëse për të parën ka disa dyshime mbi autorësinë, e dyta është, pa dyshim, shkrim i dorës së apostullit, i cili ndodhet në burg, krejtësisht i braktisur, në prag të vdekjes. Pas tonit magjisterial të Letrës së parë, në tekstin e së dytës gjejmë shpirtin e zbutur të shën Palit, që kupton se udhëtimit të tij mbi tokë po i vjen fundi. Ndjekim, si gjithnjë, reflektimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Kur lexojmë Letrën e dytë të shën Palit drejtuar Timoteut e kuptojmë se kemi në duar testamentin e apostullit, që ka hyrë në histori me fjalët, me të cilat përfundon teksti:

“Sa për mua - gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta” (2 Tim 4,6-7).

Gjatë jetës së vet, shën Pali përshkoi 10 mijë kilometra e luftoi gjithnjë për të dëshmuar Krishtin, ashtu siç e perceptoi vetë në udhën e Damaskut. Tani kundron çastet e fundit: i lodhur, i lidhur në zinxhirë, i braktisur, por i fortë në shpirt, bëhet gati për martirizimin, që do të ndodhë në vitin 67, në Romën perandorake, gjatë persekutimit të të krishterëve nga Neroni.

Kjo Letër duhet lexuar duke dëgjuar rrahjen e zemrës së apostullit, emocionet e tij e forcën e fesë së pathyeshme, që e mban në këtë pjesë të fundit të udhëtimit tokësor. Në atë më të vështirën. Ja si i shkruan Timoteut, “birit” të tij shpirtëror, që tashmë, është bërë vëlla:

“Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua: të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq! Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!” (2 Tim 4,16-18).

Zoti, që përmendet dy herë në pak rreshta, e mban fjalën, edhe në kulmin e vuajtjes së shën Palit. Apostulli i kujton Timoteut, tashmë ipeshkëv, apo mbikqyrës, i bashkësisë së krishterë në Efes, fenë e tij të pastër, marrë nga gjyshja e nga e ëma. Por Letra vijon edhe me emra të tjerë, fytyra, njerëz, që i qëndruan besnikë, që e tradhtuan, që shkaktuan dëme, njerëz të denjë e jo të denjë për besimin e apostullit. Është ushtria e tij e vogël, ushtria e parë e shpëtimit në historinë e krishterimit. Janë ata, që e përhapën fenë pa internet, pa trena, pa avionë, pa makina e whatsapp… Si ia dolën vallë? Me letra, që mbërrinim pas muajsh. Me njerëzit, që nuk i dëgjonin, sepse parapëlqenin gjërat e kësaj bote; me miq, që ktheheshin nganjëherë në armiq e me armiq, që nuk lodheshin së përndjekuri të krishterët. Na e jep një ide vetë shën Pali, kur i kërkon Timoteut:

“Mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill, duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit” (2 Tim 1,8).

 Kjo ftesë nuk është guxim i marrë nga ana e Palit, është Hiri i Tënzot që e shtyn. Këtu nuk hyjnë aspak veprat tona, është Zoti, që na ka zbuluar Ungjillin e tij, duke e mundur vdekjen dhe duke na treguar jetën e pakorruptuar. Ky është hiri, që e bëri Palin lajmëtar, apostull e mësues. E thotë edhe ai vetë, kur pohon se ai di, pasi e pa Atë, në të cilin beson. Ky është sekreti i tij, siç ia lë testament Timoteut, në një nga pjesët më kulmore të Letrës:

“Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit simbas Ungjillit që unë predikoj, për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. E vërtetë është kjo fjalë: ‘Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk jemi besnikë - Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrësesi nuk mund ta mohojë Vetveten’” (2 Tim 2,8-13)

 E ne, që i lexojmë qetë-qetë këto fjalë, duhet të kujtojmë se Pali fliste kështu, i lidhur me zinxhirë. Edhe sot, apostulli na kërkon të mos na vijë turp nga ata vargonj e të mos e mohojmë Krishtin, ashtu siç i thotë edhe Timoteut, duke i rreshtuar të gjitha kurthet, që mund të hasë në udhën e tij të krishterë: thashethemet bosh, diskutimet e kota, pasionet e tepruara, hipokritët që vishen me fe, por mohojnë fuqinë e saj. E këshillon dishepullin e tij ta njohë Shkrimin Shenjt, i cili kthehet në Fjalën e Zotit vetëm përmes kumtimit. I bën thirrjen e fuqishme, të vlefshme edhe sot për gjithë të krishterët, por sidomos për ipeshkvijtë:

“Po të përbej para Hyjit… predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim!... kryeje mirë detyrën e ungjilltarit, kryeje plotësisht shërbesën tënde!” (2 Tim 4,1-2.5)

Pasi e ka dorëzuar testamentin e vet, shën Pali është gati të vdesë. Jo pa na lënë fjalët e tij të fundit, tashmë, pjesë e çdo meshe:

“Zoti qoftë me shpirtin tënd! Hiri qoftë me ju!” (2 Tim 4,22)

23 korrik 2020, 08:17