Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra e Shën Palit për Titin

I erdhi radha Letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit, edhe kjo, pjesë e treshes së Letrave baritore. Ajo ndjek kronologjikisht Letrën e parë drejtuar Timoteut. Shën Pali ka dalë tashmë nga burgu dhe i shkruan, së pari Timoteut, që ndodhet në Efes e, pastaj, Titit, të cilin e ka dërguar në Kretë. Prandaj, të dyja letrat ngjajnë shumë me njëra-tjetrën, siç nënvizon meshtari italian don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”, që po ndjekim për këtë rubrikë.

R.SH. - Vatikan

Apostulli e lavdëron Titin, duke e quajtur “biri im i vërtetë në fenë e përbashkët”. Shën Pali e pati dërguar fillimisht në Korint, me detyrën për ta sjellë në udhë të drejtë bashkësinë e pabindur të krishterë të qytetit e, tani, e çon në Kretë. Bashkësia e atjeshme nuk kishte probleme kaq të rënda, por gjithsesi, duhej vënë rend në të, ndërsa rritej e shtohej. Prandaj, ashtu si të gjitha Letrat baritore të shën Palit, toni është magjisterial e jo personal e intim, si të ishte ndonjë “enciklikë” e apostullit.

Në këtë tekst kemi një zhvendosje terminologjike të shën Palit e me të, edhe teologjike: Ungjilli shndërrohet në doktrinë, ardhja e Krishtit në shpresë për jetën e amshuar e apostulli përdor fjalën “Shpëtimtar” a “Shëlbues” në vend të fjalës “Zotëri”, që e përdorte shpesh më parë për Jezu Krishtin.

Qëllimi i Letrës, ku ndoshta, ka vënë dorë shën Luka ungjilltar, mik besnik i shën Palit, synon të vendosë rregull në teologji, e cila bëhet sistematike dhe skematike e kthehet në “trashëgiminë” apo “bazën” për “rendin” e nevojshëm që Kisha të vazhdojë të ekzistojë në botë. Kjo është detyra e Titit:

“Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të kryesh çka mbetet për t’u rregulluar dhe të caktosh udhëheqës në çdo qytet simbas porosive që të kam dhënë” (Tit 1,5).

Struktura e Kishës, ajo që ne quajmë hierarki, duket në Letrat Baritore të Shën Palit pa asnjë qëllim tjetër, veçse për t’i dhënë mundësi punës së filluar nga apostulli të organizohej, për të sjellë fryte në kohën e duhur. Siç kujton në Letrën drejtuar Korintasve, apostulli kishte ardhur për “ta mbjellë arën e Zotit” e tani, i takon Titit ta ujisë e të kujdeset që të prodhojë fryte. Letrat Baritore shohin botën e armiqtë e saj dhe shprehin shqetësimin e shën Palit, i cili dëshiron të tregojë si duhet jetuar e bashkëjetuar me këtë botë tinzake dhe dinake e, sidomos, si duhet sjellë, në mënyrë që askush të mos ketë gjë për të thënë kundër të krishterëve.

Duket sikur shën Pali e shihte që larg rrezikun, që i priste besimtarët - rrezikun e persekutimit, të përgojimit, të denoncimit – prandaj, përpiqet të përvijojë një profil, që nuk i jep rast armikut të bëjë keq. Natyrisht, sipas kontekstit të kohës:

“Presbiteri… duhet të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t’ua mbushë mendjen kundërshtarëve.

Pleqtë të jenë të përkormë, të ndershëm, të urtë, të shëndoshë në fe, në dashuri dhe në qëndresë …plakat: të kenë sjellje si u ka hije shenjtërve, …të jenë të urta, të pastra, shtëpiake me mend, të mira, t’u binden burrave të vet - që fjala e Hyjit të mos shahet.

Të rinjtë… të jenë të përkormë. …fjala e tyre të jetë e shëndoshë, e patëmetë, që kundërshtari, duke mos pasur çka të flasë keq për ne, të turpërohet.

Skllevërit… të japin provën e besnikërisë së vërtetë. Kështu do t’i japin lavdi në gjithçka mësimit të Hyjit, Shëlbuesit tonë” (Tit 1,9; 2,2-10).

Shihet qartë se problemet e Kishës nuk janë vetëm të brendshme. Po përgatitet një luftë, që përvijohet tejet e vështirë e, shën Pali i fton të gjithë të kenë kujdes e të mos japin dëshmi të padenjë për Krishtin. Ftesë, që vlen edhe sot.

Më pas, në Letrën për Titin, duket edhe një herë besimi i patundur i shën Palit në Hirin e Tënzot, thelbi i Ungjillit të tij, të cilin i dërguari i tij në Kretë duhet t’ua mësojë të tjerëve, duke i këshilluar e duke u tërhequr vëmendjen, pa lejuar që askush ta përbuzë. Ja çfarë shkruan apostulli në kreun 2:

“U duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit pabesimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë të të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit” (Tit 2,11-13).

Është Hiri i Tënzot, që na dhuron shëlbimin e na mëson si të jetojmë në këtë botë. Ky është shpirti i kumtit të krishterë. Në pjesën e fundit të Letrës, shën Pali përdor dy terma, që tregojnë ç’do të thotë hir:

“Kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet” (Tit 3,4-5).

Janë “mirësia” dhe “dashuria” e Hyjit – dy formulime teologjike – gjëja më e bukur e Letrës drejtuar Titit. Shën Pali zbulon një Zot mik e të mirë, i cili e bën ta ndjejë sinqerisht veten, ashtu si i shkruante Timoteut: “isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë” (Tim 1,13).

Krishterimin nuk e ka shpikur shën Pali, por sigurisht, vetëm kur lexon shkrimet e këtij burri nga Tarsis mund të kuptosh ç’do të thotë të besosh në Jezu Krishtin!

30 korrik 2020, 08:21