Kërko

Bihar-Jesuits.png

Atë Sosa: në krizën e Covid-19, “kujdesemi” edhe për demokracinë

Në festën e sotme të Shën Injacit të Lojolës, eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit flet për misionin e jezuitëve në botë, ndryshuar nga pandemia: tundimi i autoritarizmave është rrezik real, kemi rastin të përforcojmë vëllazërimin.

R.SH. - Vatikan

Bota e “distancuar”, frika nga një virus që nuk zhduket e, madje, përhapet më tej, rreziku i personalizmave politike në një fazë, në të cilën është tejet e rëndësishme që busulla të orientohet drejt së mirës së përbashkët. Pastaj, përpjekjet për të mbrojtur të ligshtit, ata që koronavirusi nuk i kursen, por që kanë pak, ose aspak mundësi të mbrohen si duhet, si, për shembull, migrantët. Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, venezuelani atë Arturo Sosa arsyeton për këto argumente, në një intervistë me Radio Vatikanin – Vatican News, në ditën kur Kisha kremton themeluesin e jezuitëve, Shën Injacin e Lojolës. Atë Sosa bën një panoramikë mbi misionin e Urdhrit, mbi gurët themeltarë të përshpirtërisë, që vijojnë t’i shndrisin hapat e jezuitëve edhe në punën e tyre për të përballuar sprovën e koronavirusit. Ta dëgjojmë:

Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, venezuelani atë Arturo Sosa
Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, venezuelani atë Arturo Sosa

         Në misione provojmë të njëjtat probleme, që përjetojnë popullsitë e prekura nga koronavirusi. E, sidomos, përjetojmë pasojat shoqërore të kësaj pandemie. Dua të ndalem në këtë aspekt, sepse vërtet që pandemia është problem shëndetësor, i cili mbase do të kapërcehet, por pasojat shoqërore, ekonomike dhe politike të saj duhen marrë shumë seriozisht. Më vjen ndërmend ç’po bëjnë provincat e Shoqërisë së Jezusit në Indi, në Azinë Jugore. Ato sigurojnë ushqimin dhe ilaçet, si edhe shpërndarjen e tyre bujare, për të gjithë njerëzit, që nuk janë në gjendje t’i sigurojnë vetë. E kuptuam se nuk mund të kujdesemi për veten, pa u kujdesur për të tjerët. Ka shumë përvoja shoqërimi, personalisht a përmes rrjeteve shoqërore, me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion e jo vetëm me meshën në internet. Zgjodhëm katër përparësi, që u miratuan nga Papa e që na ndihmuan për të përballuar pandeminë: të jemi të vetëdijshëm se Zoti na e tregon udhën që duhet të ndjekim, t’i shndërrojmë strukturat shoqërore të padrejta, të kujdesemi për gjithësinë dhe të dëgjojmë të rinjtë, të cilët janë fara e shpresës për të ardhmen.

         Pandemia i ka detyruar qeveritë e shumë vende të botës të marrin vendime politike, që as mendoheshin më parë…

         Në të gjitha rajonet e globit. E kam thënë shpesh se një nga viktimat e pandemisë mund të jetë demokracia, nëse nuk kujdesemi për politikën. Në këtë çast, tundimi kryesor është autoritarizmi. Për shembull, shumë vende e shfrytëzojnë pandeminë për të ndryshuar politikën e tyre migratore, duke ua mbyllur dyert emigrantëve. Ky është gabim i madh, nëse botën e duam vërtet më të drejtë e më vëllazërore. Edhe përsa i përket temës së punës, ka shumë firma që e shfrytëzojnë rastin për të pushuar njerëzit nga puna, për t’ua ulur pagat, për t’u hequr nga kontrata disa përfitime shëndetësore etj.. Si Kishë Katolike ne duhet të shfrytëzojmë mundësitë që na jep pandemia për të ecur përpara e jo mbrapa, prandaj, duhet të impenjohemi për drejtësinë e paqen, për shoqëri më mikpritëse e më demokratike.

         Sot është festa liturgjike e shën Injacit të Lojolës, themeluesit të jezuitëve. Cili do të ishte kriteri i tij i punës, në këto kohë pandemie?

         Sigurisht, afërsia me të varfërit është kriter shumë i rëndësishëm. Nëse nuk jemi në gjendje ta shikojmë nga afër botën, duke i parë në sy të varfërit, me vështrimin e Jezusit në Kryq, atëherë gabojmë vendimet. Ky është kriter shumë i qartë. Nëse të varfërit nuk mund të mjekohen, nuk mund të kenë punë, bota nuk ecën. Një kriter, që ka dalë qartë në pah këto kohë është kujdesi për shtëpinë e përbashkët. Nëse toka vuan, ne nuk mund të banojmë në të.

         Duke folur në përgjithësi për jezuitët, cilat tipare të përshpirtërisë injaciane janë më të rëndësishme për misionin e sotëm të Urdhërit?

         Thelbi i përvojës shpirtërore injaciane është takimi personal dhe i thellë me Jezu Krishtin, të Kryqëzuarin e ringjallur, që çon në një familjaritet të tillë me Zotin, sa je në gjendje ta gjesh në çdo gjë dhe në çdo çast. Kështu, takimi me Jezu Krishtin të jep atë liri shpirtërore, që është kusht për ta lënë Shpirtin Shenjt të të tregojë udhën. Kjo do të thotë gatishmëri e plotë për të bërë vetëm atë që dëshiron Zoti, pa u kapur pas ndonjë personi, vendi ose institucioni. E kjo do të thotë edhe një jetë me lutje e shërbim. Shumë i rëndësishëm është Shqyrtimi apo Rrëmimi, një nga tiparet e përshpirtërisë injaciane, që njihet më pak. Shën Injaci këshillonte të bëhej dy herë në ditë, por edhe në çaste të caktuara gjatë ditës. Gjatë këtij shqyrtimi, kuptojmë nëse e kemi lënë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt. Është mënyrë për ta falenderuar Zotin, që vepron në historinë e secilit.

31 korrik 2020, 11:14